Politika shkurt

0
169

parlamentiPDIU: Ambasada Greke, e vetmja që refuzoi të njihej me rezolutën çame

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka shprehur dje shqetësimin e saj në lidhje me refuzimin nga ana e rezolutës çame për marrjen e letrës për tu njohur me këtë çështje. PDIU dhe shoqata “Çamëria” kanë dërguar në mënyrë zyrtare drejt çdo ambasade të vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së rezolutën për çështjen çame dhe relacionin shpjegues. Në deklaratën për shtyp, PDIU-ja thekson se të gjitha ambasadat e kanë marrë këtë rezolutë, përveç ambasadës greke në Tiranë, e cila ka refuzuar të marrë, qoftë edhe letrën e projektrezolutës. “Refuzimi i marrjes së korrespodencës nga Ambasada Greke për rezolutën e dorëzuar nga postierët e Postës Shqiptare nuk është arsyetuar”, – thuhet në deklaratë.

 

Meta: LSI nuk pajtohet me staniacionin e integrimit         

Nga Vlora, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se forca politike që ai drejton nuk pajtohet me staniacionin dhe ngërçin politik që është duke kaluar integrimi. Numri një i LSI-së deklaroi se e ardhmja më e lumtur e të gjithë fëmijëve tanë do të jetë në Bashkimin Evropian. “Dhe ne sot jemi dëshmitarë të asaj që vendi interesin më të madh ka të eci më shpejt drejt integrimit evropian sepse kjo do të thotë më shumë për ne, do të thotë siguri, do të thotë mirëqenie, do të thotë më shumë begati dhe lumturi. Do të thotë një e ardhme më e ndritur për të gjithë fëmijët tanë”, – tha Meta. Duke cituar shprehjen e Sami Frashërit, i cili ka thënë që “të arsimosh një burrë do të thotë të mbjellësh një pemë që lëshon hije, por të arsimosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë që jo vetëm lëshon hije, por bën edhe fruta”, Meta deklaroi se kjo është shprehja më e qartë e asaj që gruaja nuk është një forcë e madhe, por është forca më e madhe e shoqërisë sonë dhe kjo forcë duhet ti çlirojë të gjitha energjitë dhe potencialet e saj njerëzore, shoqërore, intelektuale në mënyrë që vendi të tejkalojë staniacionin në të cilin ndodhet sidomos për sa i takon integrimit evropian. Në takimin e Vlorës merrte pjesë edhe kryetarja e gruas së LSI-së, Klajda Gjosha, dhe njëkohësisht zëvendësministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Duke përfunduar, lideri i LSI-së tha se mesazhi i LSI-së është një mesazh pozitiv, është një mesazh konstruktiv, është një mesazh shtensionues, është një mesazh që shkon në interes të qytetarit dhe jo të konfliktit që pengon zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

 

Panariti takon ambasadorin e ri të Zvicrës

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, u takua dje me ambasadorin e ri të Konfederatës Zvicerane në Tiranë, Alexander Wittwer, me rastin e marrjes së detyrës. Në fjalën e tij, shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, dhe në këtë kuadër, theksoi rëndësinë e thellimit të dialogut politik të nivelit të lartë, duke u shprehur se kjo i shërben intensifikimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. Ai gjithashtu, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Panariti shprehu mirënjohjen për asistencën në vazhdimësi që Zvicra i ka ofruar Shqipërisë me projekte e programe që synojnë zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe nënvizoi rëndësinë e investimeve zvicerane në vendin tonë. Ai vuri theksin në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke u shprehur se ekzistojnë hapësirat dhe mundësitë. Ambasadori Wittwer, nga ana e tij, konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve duke i konsideruar ato një bazë solide për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si dhe siguroi për vijimësinë e mbështetjes përmes Programit të Bashkëpunimit Zhvillimor zviceran.  Ambasadori, gjithashtu, bëri me dije se po punohet për realizimin e një sërë vizitash të rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm. Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunim shumë të mirë mes dy vendeve edhe në kuadrin shumëpalësh, i cili do të vijojë, veçanërisht, me marrjen e Presidencës së OSBE-nga Zvicra, në vitin 2014.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency