Nga dashuria deri te humanizmi

0
153

Dr. Ilir Muharremi

 

humanizmiVështrim mbi librin me poezi “Buzëqeshje trëndafilash” të Mirsad Kutelit

 

I rrethuar nga iluzioni, buzëqeshja, përfytyrimi, melankolia dhe transformimi shpirtëror, aty gjejmë edhe vuajtjen e përjetësuar, ëndërrshikimin dhe thelbin estetik të emocionit. Krijuesi Mirsad Kuteli në librin e tij me poezi “Buzëqeshje trëndafilash” që në hyrje i detyrohet jetës ngaqë ajo meriton buzëqeshje. Në transformimin e tij individual ngrihet një tjetër iluzion, i ngjashëm me ëndërrimin dhe futurizmin. “Yjet mbi det” një titull simbolik ku figurat fluturojnë, të përpira nga shpresa dhe në mënyrë më sublime shpaloset bota apoloniane e së bukurës, urtësia krenaria, dashuria e humbur. Autori nuk mund ti ikë rimës dhe bindshëm krijon një dritë të figuracionit dhe të nocioneve. Ai vetiu i jepet gjendjes shpirtërore dhe vullneti shpërfaqet si një dukuri e jashtme estetike. “Simfonia e shiut”, aty jeta nuk është dashuri e as dashuria jetë, por çdo gjë është ëndërrim, nostalgji, vegim, teatër dhe jeta është si një horizont ku bredhim duke kërkuar dashurinë.

 

Dashuria, femra dhe imagjinata

Parimet dhe kujtimet e dashurisë burojnë nga imagjinata e Kutelit ngaqë rastësia nuk gjendet në jetë, por tek mendimi i tij. Ai ndërton një vargan fjalësh që përfundojnë me tretje, lot dhe dashuri që ka uri. Magjia ëndërrore apokaliptike mbi mendjen e autorit nuk zbehet edhe me ardhjen e ditës. “Dielli ngjyrosi liqenin, muzgu po bie, i vetmuar lundroj, një lule e bukur” janë disa nga vargjet fantazmagorike, që posedojnë qartësi përbrenda, fjalët rreshtohen njëra pas tjetrës, shpërfaqin lëvizjen e rregullt të formave, që krijojnë ritmin, lëvizin si një film, ngjajnë me lojën kozmike aty ku nuk ka peshë, aty ku çdo gjë rrokulliset rreth vetës dhe për të tjerët. Mendimi metaforik anon kah drita e arsyes, e guximit mjeshtëror, kah kometa dhe nga sytë e tij të përlotur për yjet. Ata janë larg, por fuqia, magjia i bënë më afër duke i ndarë në dysh, dhe krejt këtë ai e përdorë me një gjuhë të kuptueshme direkte. Realitet tjetër është poezia “Qyteti i dashurisë’, Prizreni i cili nuk është i bukur si më parë, ai ndjehet i huaj, por dashuria është si një memoar i pa shlyer. Ai i këndon femrës, ajo e cila gjithnjë nxiti lufta dhe shpartalloj një batalion burrash me epsh. Dy problemeve bazë i qaset autori: Dashurisë dhe femrës, dashuria ka forcë të arrijë në vetëdije dhe shndërrohet si një tërheqje e përkryer. Dukshëm nëpërmjet vargut të kënduar, na paralajmëron se dashuria nuk mund të vidhet, ajo jeton vetëm në zemrën që di të jepet me të gjitha forcat, ajo është burimi i çdo arti. Dashuria është si një metaforë e bredhjes prej një lule në tjetrën, andaj përdorimi i trëndafilave nuk është i rastësishëm tek Kuteli. Lulja lëshon aromë, shpërnda rreze paqeje, por vyshkja e saj demoralizon botën individuale të tij. Përse tërhiqemi aq shumë pas femrave ose e kundërta femrat pas meshkujve. A na bënë kjo krijuese, apo lehtësuese e brendëshmërisë?! Kjo është disi si një paradoks i qenies, absurd i pastër, kthjellët, i bardh konstruktohet prej mishit, por sekreti gjendet dikund edhe më thellë. Arsyeja shpesh është e vetmuar pran dashurisë edhe pse logjika e hekurt e bënë tradhtare.

 

Vargje me nëntekst humanizmi

Vargjet janë si një ekspozitë e kulluar, ngacmuese që rreshtohen në një diagonale frymëzuese. Të gjitha vargjet i përkasin një stili, frymëzimi që na këndell të gjithëve. Koha kryesore për të është dashuria, sinqeriteti dhe e bukura. Mirëpo, dashuria është përjetësi dhe këtë përjetësi ai e krijon me thurjen e vargjeve dhe titujve që asnjëherë nuk do plaken. Eleganca e të shkruarit, bukuria e të shprehurit, është si një imponim i autorit, por qëllimi i vargjeve është të jenë sa më të shkurtra, por problematike për mendjen. Vargjet kanë shumë nëntekst, humanizëm, aspak përçarje, por bashkësi, jetës të barabartë të pacenueshme, kjo dëshmohet me epilogun sepse qysh në fillim të vargjeve ai dëshmon se jeta e tij nuk është vetëm e tij, nuk është i përkryer…. Jeto dhe ndihmoji të tjerët. Qëndiset vargu i fundit si një këshillë për ta parë botën më të lulëzuar, me tonalitet të madh ngjyrash, me hapësirë të bollshme për të gjithë. E tëra kjo përfundon si një iluzion, bukuri, enigmë, vegim përshkëndites.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency