Miqësorja Tirana mund Tërbunin

0
145

tiranaPas fitores 2-0 me Vllazninë fundjavën e kaluar, Tirana zhvilloi një tjetër takim miqësor me Tërbunin para se të fillojë pushimet e fundvitit. Bardheblutë i mposhtën 4-2 pukjanët në fushën me bar sintetik në Skënder Halili, ku trajneri Alban Tafaj u dha mundësinë e aktivizimit edhe futbollistëve të rezervë apo disa të rinjve. Gjithsesi, tekniku bardheblu e nisi këtë miqësore me formacionin titullar, me Ilion Likën në portë, Sina, Pisha, Pashaj dhe Ahmataj në mbrojtje, Ferra, Taku, Karabeci dhe Duro në mesfushë, ndërsa në sulm Morina dhe Abilaliaj. Kualitetet e Tiranës bënë diferencën në pjesën e parë, që u mbyll me rezultatin e thellë 4-0. Fillimisht shënoi Duro, më pas Abilaliaj, Ferra dhe Karabeci. Në pjesën e dytë Tafaj aktivizoi në vend të Likës portierin Sejdo, ndërsa Peposhin në vend të Morinës. Më pas u hodhën në fushë Tushe, Halili, Shala, Kalari, Xhuti, Muça dhe Pigoni. Zëvendësimi i titullarëve e uli forcën e Tiranës, që pësoi dy gola nga Tërbuni, që mbajnë firmën e Agastras dhe Moricit. Të martën Tirana do të zhvillojë një tjetër takim miqësor me figura të njohura të saj të viteve 1990-2000.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency