Kupa e Shqipërisë, Skënderbeu dhe Bylisi nuk ndalen

0
110

skenderbeuRaundi çerekfinal luajti dje ndeshjet e treta, teksa Bylisi e Skënderbeu kanë bërë hapin e madh, atë të kualifikimit, duke qenë të vetmet me 9 pikë të plota deri më tani, ndërsa Teuta dhe Shkumbini i kanë dhënë lamtumirën Kupës  

 

Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë ulën siparin për vitin 2012 të futbollit në vendin tonë. Edhe një herë rezultatet i kanë dhënë të drejtë Skënderbeut që me shumë mundësi këtë vit, përveç kampionatit, do të tentojë të marrë edhe trofeun e dytë për nga rëndësia në vend.

 

Verdikti

Bylisi e Skënderbeu kanë bërë hapin e madh, atë të kualifikimit, duke qenë të vetmet me 9 pikë të plota deri më tani, ndërsa Teuta dhe Shkumbini i japin lamtumirën Kupës së Shqipërisë. Pasi i kishin fituar dy çerekfinalet e para, korçarët dhe ballshiotët, kryesues të grupeve të tyre përkatëse, gjendeshin përballë rivalësh me të ndryshëm, por fundi ka qenë i njëjtë.

 

Grupi A

Skënderbeu hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pasi mposhti 2-1 në transfertë Kastriotin, që gjithashtu ka pretendime serioze për t’i shkuar deri në fund këtij objektivi. Skuadra korçare tregoi edhe në Kupë se është skuadra më e fortë e futbollit shqiptar, duke konfirmuar gjithashtu se dominimi edhe në kampionat nuk është i rastësishëm. Pavarësisht se trajneri Mirel Josa para ndeshjes do të deklaronte se Kastrioti është shumë i vështirë për t’u mundur, 90 minutat e Krujës folën përgjithësisht për ekipin mik, që kaloi në avantazh pa u mbushur endë 20 minuta lojë me Pero Pejiç, i cili shfrytëzoi pasigurinë e mbrojtjes dhe të portierit Osmani. Ky gol i jep më shumë siguri lojës së Skënderbeut, që dyfishon rezultatin në fund të pjesë së parë me Sebino Plakun, që shfrytëzon në maksimum një harkim të saktë të Radas nga e djathta. Në pjesën e dytë korçarët kërkojnë të administrojnë lojën, por Caca 4 minuta para përfundimit ngushtoi diferencën. Pavarësisht nga dëshira e krutanëve për ta barazuar rezultatin, minutat e mbetura nuk mjaftuan që Kastrioti të merrte një pikë. Në përballjen tjetër të grupit A, Kukësi fitoi 2-0 në shtëpi me Shkumbinin, falë golave të Allmuçës me 11-metërsh dhe Malos vetëm pak minuta nga fundi i ndeshjes.

 

Grupi B

Flamurtari arriti fitoren e dytë kupë, këtë herë në Vlorë përballë Laçit, që e mposhti me rezultatin 2-1. Formacioni i Ernest Gjokës e kishte vlerësuar maksimalisht këtë kundërshtar edhe për faktin se ishte mundur në shtëpi nga laçianët në javën e dytë të kampionatit. Pas një fillimi të ekuilibruar, Flamurtari kaloi në avantazh në minutën e 38 me një supergol të Hair Zeqirit, që u pasoi nga një tjetër finalizim i bukur i Gjergji Muzakës, që dhanë përshtypjen e një fitoreje të lehtë. Në pjesën e dytë Laçi kërkon të fitojë terren, derisa arrin ta ngushtojë diferencën me Erion Vucajn, i cili tregohet tepër i saktë nga një distancë rreth 20 metra. Në takimin tjetër të këtij grupi Bylisi shkatërroi 5-0 në “Adush Muça” Teutën, që me shumë mundësi i ka larë duart nga Kupa.

 

 

 

Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ndeshjet e treta

 

19.12.2012

Grupi A

KASTRIOTI-SKËNDERBEU  1-2

Golat: Caca 87′ (pen) / Pejiç 16′, Plaku 43′

 

KUKËSI-SHKUMBINI  2-0

Golat: Allmuca 83′ (pen), Malo 85′

 

 

Grupi B

BYLIS-TEUTA  5-0

Golat: Izuçuku 4′ (pen), 7′, Bakiu 5′, 41′, Meto 89′

 

FLAMURTARI-LAÇI  2-1

Golat: Zeqiri 39′, Muzaka 44′ / Vucaj 67′

 

Renditja

 

Grupi A

Nd       F          B         H         Pikë

Skënderbeu             3          3          0          0          9

Kukësi                        3          2          0          1          6

Kastrioti                      3          1          0          2          3

Shkumbini                3          0          0          3          0

 

Grupi B

Nd       F          B         H         Pikë

Bylis                           3          3          0          0          9

Flamurtari                  3          2          0          1          6

Laçi                             3          1          0          2          3

Teuta                          3          0          0          3          0

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency