3.3 milionë drita për dekorin e Tiranës, festë te pedonalja për Krishtlindje

0
139

Blerta Mrishaj

pedonaljaDeljani ka bërë të ditur se pemët e Vitit të Ri janë shpërndarë edhe në zona të tjera të Tiranës, në mënyrë që atmosfera të shtrihet në gjithë qytetin

 

Teksa pak ditë ndajnë kryeqytetin nga festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, Tirana është përgatitur të festojë fuqishëm. Përveç vendosjes së dekorit në gjithë qytetin, bashkë me pemën dhe zbukurime të tjera, Bashkia e Tiranës ka përgatitur edhe aktivitete ku me rastin e festës së Krishtlindjeve, me 24 dhjetor te pedonalja do të ketë koncert festiv.

Dekori

Zyrtarisht është sqaruar se janë 3.3 milionë drita të cilat përbëjnë dekorin shumëngjyrësh të kryeqytetit shqiptar, në prag të festave të fundvitit. Pema e madhe e vendosur në sheshin “Skënderbej” por edhe dekori i vendosur në rrugë të ndryshme të qytetit kanë sjellë një atmosferë të veçantë festive për çdo qytetar të Tiranës. Drejtoresha e Drejtorisë së Artit dhe Kulturës, në Bashkinë e Tiranës, znj. Greta Deljani ka bërë të ditur se pemët e vitit të ri janë shpërndarë edhe në zona të tjera të Tiranës, në mënyrë që atmosfera të shtrihet në të gjithë qytetin.

Festimet

Festimet për këtë fundvit filluan me ndezjen e dritave të pemës, secila përmban 640 dekorime dhe gjithashtu ka 25 200 drita. Më tej, dekori ka vazhduar me bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit. Si kurrë më parë, Tirana ka të dekoruara shumë rrugë, që nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tek “Zogu i Parë”, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Rruga e Elbasanit, Rruga e Dibrës. Gjithashtu, janë dekoruar 1500 shtylla. I gjithë qyteti, sot ka 3 milionë e 300 mijë drita, në të gjithë dekorimet që janë përdorur për të gjitha rrugët. Natyrisht dekorit i janë bashkëngjitur dhe shumë aktivitete festive që do të zhvillohen përpara pemës, në sheshin “Skënderbej”, në rrugën “Murat Toptani”, por edhe ambiente të tjera të kryeqytetit, si qendra “Ten”, Teatri i Metropolit etj.

Aktivitetet

Janë shumë aktivitete festive për të gjitha grup moshat , duke filluar që me fëmijët, të cilët mezi presin festat e fundvitit, dhuratat e çdo gjë tjetër. Aktivitetet për fëmijë janë përqendruar kryesisht përpara pemës, pasi është dhe ambienti më i preferuar për ta. Gjatë ditëve të pushimit do jetë Teatri i Kukullave, Cirku, animatorë, babagjyshët. Çdo pasdite, tek pema do të ketë animatorë edhe babagjyshë, të cilët do të bëjnë lojëra me të gjithë fëmijët që do i afrohen pemës apo do të bëjnë fotografi me ta, për ta bërë sa më të këndshme këtë atmosferë për fëmijët e pse jo, në mënyrë që ata të kenë një kujtim të bukur nga ky fund – viti. Do të ketë një festë ditën e Krishtlindjeve. Më datë 24, në mbrëmje e deri ne orët e para të datës 25 do të ketë aktivitet tek Pedonalja, një festë për të rinjtë. Më tej, më datë 25, përpara pemës do të ketë aktivitete për fëmijë, ansambli dhe koncert me muzikë klasike, krishtlindjesh. Aktivitetet do të variojnë për të gjithë grup-moshat dhe për çdo shije.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency