Shkruan letrën e lamtumirës dhe varet teksa të afërmit flinin

0
187

Elton Qyno

vevarjaSaimir Loca i kërkon falje të atit dhe vëllait para se të vetëvritej. Një 36-vjeçare helmohet

Dy vetëvrasje janë regjistruar në Tiranë, ku një i ri 24-vjeçar dhe një grua 36-vjeçare i kanë dhënë fund jetës së tyre, duke u vetëvarur me litar dhe duke pirë fotoksinë. Ngjarjet janë regjistruar në mesnatën e djeshme, ku i riu Saimir Loca është gjetur i vdekur në ambientet e shtëpisë së tij në zonën e “Siri Kodrës”, ndërkohë që e pajetë në rrugë është gjendur edhe shtetasja 36-vjeçare Vita Mizini, e cila banonte në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Sipas policisë së Tiranës, 24-vjeçari Saimir Loca, para se të ndërmerrte aktin ekstrem të varjes në litar, ka shkruar një letër në të cilën i kërkonte ndjesë babait dhe vëllait të tij për vuajtjet dhe mundimet që u kishte sjellë ai me veprimet e tij të pamoralshme në zonën ku banonte familja Loca. Pas kësaj letre, 24-vjeçari ka hedhur litarin në një nga trarët e shtëpisë, duke ndërmarrë aktin ekstrem të vetëvrasjes. Ndërkohë që viktima tjetër është gjendur e pajetë nga disa kalimtarë në rrugë. Fillimisht ata kanë dyshuar për një pushim zemre, por pas njoftimit të policisë dhe verifikimeve të kryera nga strukturat e komisariatit nr. 6, ka rezultuar se 36-vjeçarja i kishte dhënë fund jetës, duke u vetëhelmuar me fotoksinë.

Vetëvrasja e 24-vjeçarit

“Babai dhe vëllai im i shtrenjtë ju kërkoj falje për të gjitha problemet që ju kam hapur gjatë kësaj kohe. E pranoj që kam gabuar dhe se tani nuk mund ta shtyj dot më këtë situatë, prandaj kam vendosur të largohem në një botë tjetër, duke ju kërkuar falje për atë që ju kam shkaktuar”. Ky është teksti që 24-vjeçari i kishte shkruar dy anëtarëve të familjes së tij, përpara se të ndërmerrte aktin ekstrem të vetëvrasjes. Pas kësaj 24-vjeçari ka marrë një litar, me të cilin është vetëvarur brenda ambienteve të shtëpisë së tij, që ndodhet në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë. Kanë qenë familjarët e tij, ata që kanë konstatuar trupin e pajetë të Saimir Locës, të cilët më pas dhe kanë njoftuar policinë e Tiranës. Në vendngjarje kanë shkuar specialistët e komisariatit nr. 4, të cilët kanë bërë hetimet paraprake si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale letrën e shkruar nga viktima. Pas administrimit të saj në dosje, janë marrë në pyetje familjarët e viktimës si dhe rrethi shoqëror i tij, të cilët kanë treguar se 24-vjeçari për shkak të problemeve që kishte dhe kritikave që kishte marrë nga babai dhe vëllai i tij më i madh, ka hyrë në gjendje depresive, duke bërë që mesnatën e djeshme t’i japë fund jetës duke u vetëvarur. Akti makabër ka ndodhur, teksa të gjithë anëtarët e tjerë të shtëpisë ishin duke fjetur në shtëpi.

Helmimi i 36-vjeçares

Kanë mjaftuar dy kokrra fotoksinë që t’i marin jetën 36-vjeçares Vita Mezini. Kjo e fundit, sipas policisë së Tiranës, është gjendur e pajetë në një rrugë në zonën e Kombinatit në kryeqytet nga kalimtarë të rastit. Pikërisht kanë qenë këta të fundit që kanë njoftuar dhe policinë e cila ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje. Fillimisht është menduar se 36-vjeçarja kishte humbur jetën si pasojë e ndonjë pushimi zemre, por pas transportimit të saj në spital dhe kryerjes ekspertizës mjekoligjore është mësuar se Vita Mezini i kishte dhënë fund jetës, duke u vetëhelmuar me dy kokrra fotoksinë. Pas pyetjes së të afërmve të viktimës, policia e Tiranës ka mësuar se 36-vjeçarja prej kohësh vuante nga sëmundje mendore dhe se kohët e fundit një gjë e tillë, ishte reflektuar shpesh tek 36-vjeçarja.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency