Përgatitjet Skënderbeu kërkon të marrë Krujën për të dytën herë

0
127

skenderbeuSkënderbeu udhëton drejt Krujës për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Trajneri Mirel Josa pret një transfertë shumë të vështirë me Kastriotin, megjithëse para kësaj sfide ai ndjehet optimist dhe ka besim tek të besuarit e tij. Reshjet e dendura të shiut e detyruan trajnerin kryeqytetas ta zhvillojë seancën e fundit stërvitore në prag të transfertës së Kupës me Kastriotin në fushën e vogël me bar sintetik në kompleksin “Tropikal”. “Timonieri” i kampionëve nuk pati mundësi që të përqendrohej tek ushtrimet taktike, megjithatë ai është i qetë për takimin e fundit të vitit, edhe pse e konsideron Kastriotin si kundërshtar shumë të vështirë, sidomos në fushën e tij. “Duhet të kemi parasysh se cilin kundërshtar kemi përballë dhe kur flitet për skuadrën e Kastriotit, na ka vënë në vështirësi më tepër se të gjitha në fazën e parë, pavarësisht se kemi fituar. Ka lojtarë të mirë në përbërje, ka një ekip që kërkon të luajë futboll, ndaj nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë”, – pohon kreu i stolit të bardhekuqve. Josa e ka të vështirë të japë një parashikim për ndeshjen, aq më tepër kur do të ketë mungesa në formacion. “Ne kemi 2-3 probleme me mungesat, të cilat na kanë lindur pas ndeshjes me Kukësin. Ademir është larguar për në Brazil, ndërsa Bicaj është i dëmtuar, pasi ka pësuar një çarje në gju dhe nuk do të jetë i disponueshëm. Por sidoqoftë, skuadra do të shkojë për të luajtur futboll dhe nuk mund të bëj parashikim përpara ndeshjes”, – tha tekniku kryeqytetas. Sipas trajnerit të korçarëve, çfarëdo rezultati që të prodhojë sfida e Krujës, Skënderbeu do të jetë i qetë gjatë pushimeve të fundvitit, teksa thotë: “Sido që të vijë puna, çfarëdo rezultati të marrim në Krujë, skuadra do t’i kalojë e qetë pushimet dhe më pas do të nisim më 5 janar minifazën përgatitore”. Sa i përket merkatos, Josa për momentin mendon ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme vitin me grupin që ka në dispozicion. Kujtojmë se në sfidën e vlefshme për Kategorinë Superiore ekipi i Josën mundi krutanët në fushën e dytë, 2-1.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency