Ismail Keta, kampioni i botës që gjallon Shqipërinë

0
148

Nga Irfan Rama

ketaAi është shqiptari i admirueshëm që prej një viti është shndërruar në një personazh ekskluziv i mediave gjermane e më tej, për shkak të mbizotërimit të tij total në sportin mjaft popullor në Gjermani, Kick-box. Ismail Keta, ky njeri i madh, tepër njerëzor dhe i jashtëzakonshëm i kombit shqiptar u shpall kampion bote një vit më parë, e pikërisht me 5 nëntor 2011, ndërkohë që pas gjashtë muajsh u detyrua që “t’ia kalonte” përkohësisht titullin një holandezi, të cilit më pas sikur t’ia jepte “peng” ia rrëmbeu sërish pas shtatë muajsh, duke i treguar mbarë botës se unë shqiptari nga Bulqiza nuk pyes për askurrkënd. “Bualli” shqiptar Keta (mediat gjermane i kanë vënë nofkën “The Bull”, madje ai quhet në Gjermani e njihet kudo në botë Jonny “The Bull” Keta) me 1 dhjetor, në qytetin e Dyseldorfit, në prani të mijëra spektatorëve dhe njerëzve më në zë të këtij sporti si dhe të shumë shqiptarëve, e rrëzoi përdhe me nokdaun holandezin gjysmë të ngjyrtë. Ismaili brofi lart nga gëzimi i përqafur me ngazëllim delirant nga tre pjesëtarët e stafit gjerman trajnues dhe sapo këmbët prekën tapetin e ringut, i tregoi kameras të televizionit gjerman “SAT 1” flamurin e vogël shqiptar që e mbante në gjoksin e tij madhosh.

Origjina dhe karriera marramendëse

Ai lindi në Bulqizë të rrethit të Dibrës, me 13 dhjetor të vitit 1976, dhe u rrit në qytezën e kromit, në varfërinë si të mbarë shqiptarëve nga nëna e tij e mirë, Fiqeretja dhe babai Asllani, një burrë me tradita, me karakter të fortë e tepër njerëzor. Bashkë me të vëllain Gjetanin (edhe ky një kampion i madh i Gjermanisë në Kick-box dhe tepër i suksesshëm në vendin e hekurt të Evropës tashmë edhe në boksin profesionist) dhe Ajetin, preferonin sportet e forcës, por pa i ushtruar ato në mënyrë ekipore. Në shtëpinë e tyre kishin vendosur shtanga e mjete të tjera rrethanore për t’i shërbyer trupit të tyre e bukurisë së formatit trupor për t’u ngjarë trupave më të bukur e më në zë në botë si Steve Rives apo Arnold Schwarzenegger. Më pas vjen në Tiranë dhe për aftësitë, trupin e tij muskuloz e të hekurt pranohet në Gardën e Republikës ku shërben si bodigard i figurave shtetërore. Në moshën 21-vjeçare ai niset për në Greqi ku qëndron një vit dhe më pas shkon në Gjermani, ku për fillesë futet në punë si bodigard i një lokali ku bie në sy të “zbuluesve” gjermanë të Kick-box-it. Stërvitet në një qytet të vogël gjerman me shumë pasion, këmbëngulje dhe vitalitet, duke mos pyetur e kursyer 6-7 orë rinore shumë të vyera në ditë. Dhe triumfi nuk vonon dhe i përgjigjet mendjes së tij të zgjuar. Në vitin 2000 ai shpallet kampion i Gjermanisë në Kickboxing, ndërsa në vitin 2001 meriton titullin Nënkampion Bote në Thai Boxing. Që nga viti 2002 ai ka fituar licencën e profesionistit në këtë fushë tejet të bukur të sportit. Pas një dëmtimi, Ismaili detyrohet ta ndërpresë të ushtruarit vetjak garues, por jo pasionin e tij, ndaj hap në Mynih një shkollë të nivelit të lartë në Thai dhe Kickboxing ku që prej shtatë vjetësh ai mëson fëmijët gjermanë, shqiptarë etj. me metodat më të përparuara të shkollës tajlandeze dhe holandeze. I frymëzuar nga sukseset e vëllait të tij më të vogël Gjetan Keta, i cili u shpall dy herë kampion i Gjermanisë në Kickboxing (Gjetani erdhi në Gjermani në vitin 2005 dhe në Gjermani e thërrasin Mike sinonim i Majk Tajsonit të famshëm amerikan) në vitin 2010 Ismaili i madh, shqiptari ynë mrekullant rikthehet edhe një herë në ringun ndërkombëtar tashmë me objektivin madhor: Për t’u shpallur kampion bote! Tridhjetekatërvjeçar! Udhëton drejt Tajlandës, vendit të lavdisë të këtij sporti dhe bën stërvitje e trajnohet me boksierët më të mirë të botës Melvin Manhoef dhe Goekhan Saki. Luftëtari i madh pas 7 vitesh “mërgimi” nga ringu i rikthehet atij, por tashmë me një peshë të re, peshën 85 kilogramë. Beteja për titullin botëror zhvillohet kundër hungarezit Joszef Siklodi që mbante gjerdanin e artë të “Crusierweight World Title in K1-Rules”. Pas pesë muajsh, një mjeshtër holandez, më trupakët se Ismaili ynë, me knockout ia rrëmben rripin e artë atij. Por vullneti, këmbëngulja, pasioni dhe shpaga e brendshme prej shqiptari e bëjnë atë që në moshën 36-vjeçare të udhëtojë e të stërvitet spartanisht në Tajlandë e Holandë për t’iu kthyer mbrëmjes së 1 dhjetorit të ngrirtë gjerman për t’u rishpallur rishtazi kampion bote. Me këmbët e tij të fuqishme e grushtimet e vërteta tajsoniane arrin të hedhë poshtë në nokdoun të njëjtin holandez që e kishte shkurorëzuar vetëm 7 muaj më parë. Remos Arns rrotullohet sa poshtë lart dhe dorëzohet. Përqafime duet! Gazetares gjermane të “SAT 1” pas disa fjalëve në gjermanisht i kërkon t’i thotë disa fjalë në shqip Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ajo me qytetërimin e kombit të saj e lejon të përshëndesë: “Këtë titull botëror ia dedikoj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe 100-vjetorit të pavarësisë dhe jam krenar dhe e kam për nder që jam shqiptar”.

 

Nderimi i kampionëve në Tiranë

Një spektakël i madh dhe ceremoni e mrekullueshme u bë më 13 dhjetor në hotel “Tirana” për të nderuar kampionin e botës Ismail Keta dhe vëllain e tij kampion të Gjermanisë Gjetan Keta. Gazetari i mirënjohur i “TVSH”, Dëfrim Methasani, emocionoi me fjalët e tij sallën e mbushur plot e përplot me figura të shquara të sportit shqiptar, deputetë e mjaftë të ardhur nga Bulqiza, duke përfshirë edhe kreun bashkiak, bashkëshorten e kampionit me djalin e vogël, të afërm, familjarë e gazetarë të shumtë, këngëtarë e valltarë të vegjël me kostume popullore shumëngjyrëshe etj., kur në sallë hynë dy vëllezërit Keta me gjerdanin dhe kupën e kampionit të botës. Bashkia Bulqizë e nderoi të papërsëritshmin Ismail Keta me titullin “Qytetar Nderi” për meritat e mëdha të tij në shërbim të komunitetit bulqizak. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, shumë i emocionuar i dha titullin “Mirënjohja e Akademisë së Shkencave” Ismail Ketës, ndërsa gazetari i mirënjohur kosovar i “RTK”-së Melaim Krasniqi i dhuroi dy dhurata historike kosovare kampionit Keta. Spektakli me këngëtarët Qerim Sula, Françesk Radi, Dilan Leka, Dritan Jashari dhe vallet e fëmijëve elektrizuan sallën. Dy vëllezërit Keta i priti në një takim të veçantë kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha. Televizionet shqiptare si “TVSH”, “Top Channel”, “Klan” etj. i kanë kushtuar emisione të veçanta dy nderuesve e ambasadorëve të vërtetë të Shqipërisë në Gjermani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency