Demir Hyskja Aktori që kurrë nuk i tradhtoi dashuritë

0
177

 Artur Ajazi

demiriDemir Hyskja, aktori veteran i kinematografisë shqiptare, është dekoruar ditët e fundit të vitit 2012, nga Bashkia e Elbasanit, me titullin “Qytetar Nderi”, për vlerat dhe meritat e tij në fushën e artit dhe kulturës. Atë e kanë afruar me Naim Frashërin, Kadri Roshin, Sandër Prosin, Sulejman Pitarkën e dhjetëra të tjerë, si Pionieri i Kinematografisë Shqiptare. Ai mbetet elbasanasi që kurrë nuk e ka tradhtuar qytetin ku lindi, u rrit dhe edukua, duke dhënë kontribute të jashtëzakonshme. Në afro gjysmë shekulli teatër për Elbasanin do të mbahen mend regjisorë, aktorë dhe punonjës të skenës, të cilët i dhanë vazhdimësi dhe vlera këtij teatri. Por, mund të veçohen shumë emra të njohur dhe shumë pjesë që kanë jetuar në kujtesën e njerëzve ndër vite. Demir Hyskja, aktori që i ka dhënë jetë teatrit dhe kinematografisë dhe në Elbasan, konsiderohet si simboli i të dyjave, tregon emocionet, kujtimet dhe gjithçka. Hyskja shprehet për “standard” se “në jetën e një njeriu dy janë elementët aktualë dhe ato që do të mbeten pas, është lindja dhe vdekja, por ditëlindjet janë shumë të bukura, ndihem shumë i gëzuar dhe do të jem gjithmonë sa herë zihet me gojë puna dhe jeta e këtij teatri, sepse unë jetën këtu e kalova, pjesën më të bukur, më vitale dhe më të gjatë”. Demiri shprehet: “Kam qenë pjesë e këtij teatri për një periudhë më se 30-vjeçare, gjatë gjithë asaj kohe që kam punuar jo gjithmonë kemi bërë “vezë të kuqe”, si i themi ne këtu nga Elbasani, por kemi bërë edhe laramane, ndoshta ndonjë ka mbetur dhe e bardhë fare, por ato që konsiderojmë shfaqjet më të mira nuk harrohen kollaj. Mund të përmend këtu shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen me sy” që unë nuk do ta harroj, megjithëse nuk kam marrë pjesë aty. Ka pjesë të tjera në planin kombëtar si p.sh. “Familja e peshkatarit”, “Dy krisma në Paris”. Duke folur për mikun e tij, aktorin Astrit Çerma, ai shprehet: “Unë me Astritin kemi pasur role interesante, si p.sh. Astriti gjykohej për vrasje dhe unë kisha rolin e avokatit mbrojtës, duke e mbrojtur nga vdekja. Kjo shfaqje pati vlerat e veta në kohën e vet. Ka pasur edhe shfaqje të tjera të realizuara me mjeshtëri dhe “Tokë e ndezur” është nga fundi”. Në mjeshtërinë e teatrit, ai bën pjesë tek ata aktorë që linin gjurmë të fortë te publiku. Demiri thotë: “Unë dhe teatri kemi qenë dhe jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe kemi ndarë gjithçka, kemi folur për jetën, ka shfaqje plot edhe të huaja, edhe të vendit, me shumë vlera, janë disa role nuk mund të them për një të veçantë, pasi secili kishte vlera, ka edhe që nuk kam marrë pjesë, por për ato që unë kam marrë pjesë dhe që më kanë lënë mbresa, dhe që mendoj se kam marrë vlerat e atij roli, ka qenë “Tokë e ndezur” e Fahri Balliut pjesë e shkruar sipas motiveve të Nazmi Rrahmanit nga Kosova, është vënë në skenë dhe po e nis nga ajo që më ka ndodhur së fundi për të dalë tek ky rol”. Duke folur për rolin, ai tregon: “Teksa shkoja një ditë në shtëpi, në afërsi të shkollës së vjetër “Naim Frashëri”, më dalin para 6 burra, por gjigantë, të cilët më ndaluan. Ata kishin një hall, kërkonin të mësonin se ku ishte Shkolla Pedagogjike dhe kishin ndaluar te ish-shkolla e vjetër, e cila është duke u restauruar, menjëherë kuptova se ata ishin kosovarë dhe duke folur ata mësuan se unë isha Demir Hyskja dhe menjëherë bënë lidhjen me “Tokë e ndezur”, kur mësuan këtë ata ndryshuan qëndrim, sepse kjo pjesë e vënë në skenë në vitin 1981, edhe pse do të shkonim në Kosovë për ta dhënë shfaqjen, nuk mundëm të shkojmë për shkak se në atë kohë plasën demonstratat”.

 

Por kush është Demir Hyskja?

Demir Hyskja është një aktor i mirënjohur shqiptar. U lind më 1 janar 1937 në Elbasan. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes. Në vitet 1951-1955 përfundoi shkollën e mesme të ndërtimit. Teknik ndërtimi në vitet 1955-1962 dhe më tej aktor në teatrin “Skampa”. Gjatë punës 30-vjeçare në teatër ka realizuar mbi 50 role kryesore. Në kinostudion “Shqipëria e Re” ka realizuar 24 filma artistikë dhe dokumentarë. Është dekoruar disa herë me dekorata të shkallëve të ndryshme deri tek “Naim Frashëri i Klasit të Parë”. Në vitin 1969 nderohet me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 nderohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Është zgjedhur katër herë radhazi deputet në Kuvendin Popullor. Është ndër të paktët aktorë të mëdhenj që vazhdon akoma të jetë i gjallë. Jeton në një shtëpi të thjeshtë, vetëm me gruan e tij, në lagjen “Aqif Pasha” të Elbasanit dhe kafen e pi diku pranë teatrit “Skampa” të këtij qyteti, teksa përshkon ngadalë në këmbë gjithë rrugën. Aktori Demir Hyskja, megjithatë, “i injoron” vitet që ka mbi supe, teksa kujton vitet e rinisë dhe kohën kur iu fut rrugës së teatrit. Miqësia me Naim Frashërin e Sandër Prosin, jeta në teatër dhe tesera e deputetit kanë lënë gjurmë në jetën e Hyskes që rrëfen vetveten, ndërsa tymos një cigare. Fare i ri dhe pa përvojë, ai mendoi të bëhej aktor, jo aq nga pasioni i madh, por për t’i shpëtuar detyrimit ushtarak. “Kisha mbaruar të mesmen dhe u martova herët. Sipas ligjit duhet të shkoja patjetër ushtar. Vrava mendjen se si do t’i shpëtoja shërbimit ushtarak…”, – thotë Hyskja, teksa zhytet ngadalë në kujtime… Si rrjedh një ditë e zakonshme për ju?

 

Hyskja rrëfehet

Pasi pi kafen në prani të shokëve dhe miqve, i hedh një sy shtypit të përditshëm. Kam dëshirë të lexoj gazetat sportive. Kur afrohet orari i drekës, marr autobusin dhe shkoj në shtëpi. Pasi ha drekë, pushoj 2-3 orë dhe më pas ose lexoj ndonjë libër, ose shikoj televizor. Jetoj vetëm me gruan. Fëmijët i kam martuar, kurse nipërit dhe mbesat më kujtojnë shpesh. Kam lindur pak metra larg shtëpisë në të cilën jetoj tani. Shkollën fillore e mbarova në Elbasan, ndërsa të mesmen e vazhdova në Teknikumin e Tiranës. Madje, kam punuar rreth 6-7 vjet si teknik ndërtimi. Jemi familje autoktone elbasanase. Nuk më kanë pëlqyer shkencat ekzakte: matematika, fizika, kimia etj., asnjëherë nuk më kanë pëlqyer, por i mësoja nga halli. Kam pasur qejf historinë, letërsinë, gjeografinë. Nga të shtatë fëmijët e familjes vetëm ai ka mbetur gjallë. Nuk kam as vëlla dhe as motër. Kam dëgjuar të tjerët, që ndihen keq kur nuk kanë vëlla e motër, kurse unë përkundrazi ndihem fort mirë dhe a di pse? Sepse nuk jetoj me hallet dhe problemet që mund të kishin ata. Unë e vuaj vuajtjen e tjetrit.

 

Futja në rrugën e aktorit

Demiri tregon: “Kisha mbaruar të mesmen dhe u martova herët. Sipas ligjit, duhet të shkoja patjetër ushtar. Vrava mendjen se si do t’i shpëtoja shërbimit ushtarak. E vetmja mundësi ishte që të vazhdoja të lartën. Në vitin 1962 u hap dega e Aktrimit. Kisha dhënë ca prova me grupet amatore dhe isha mirë, ndaj vendosa të konkurroja në Tiranë. Duhet të përmend se fjalë të mira për mua tha edhe ish-ministri i atëhershëm i Kulturës, Thoma Deliana. Mbaj mend se kam konkurruar para një regjisoreje sovjetike, që më duket se e kishte emrin Nina. Ajo më pëlqeu dhe unë u pranova menjëherë. Kam qenë mirë me të gjithë elementët që kërkoheshin. Veçse me dansin jo. Atëherë isha i ri e i hollë dhe nuk kisha pengesa, por lëndën e baletit nuk e pëlqeja. Aventura zgjati shumë pak. Unë u detyrova ta braktisja shkollën. Gruaja sapo kishte lindur fëmijën dhe merrte vetëm 4 mijë lekë të vjetra. Shkurt, nuk ishim mirë me të ardhurat. Pastaj mora vesh se do të çelej teatri në Elbasan, ndaj vendosa të largohesha nga Tirana. Ashtu ndodhi. Unë u largova dhe fillova në teatër ku kam interpretuar dhjetëra role. E kuptova se shpejt u bëra aktor kryesor, ndonëse isha në provincë. E them këtë, sepse kam një eksperiencë të hidhur me regjisorët e mi. Mendoj se e keqja ishte pse jetoja në Elbasan. Për 5 vjet më radhë më kërkonin të kryeja prova për rolin kryesor, por në fund nuk më merrnin mua. E mbaj mend si tani, kur më kanë njoftuar për herë të parë. Më erdhi në shtëpi një telegram ku më kërkonin të shkoja në Gjirokastër. Nuk e fsheh, u gëzova dhe vendosa të nisesha. Me vete kisha 3 mijë lekë të vjetra. Siç e thashë nuk ishim mirë ekonomikisht. Sapo zbrita nga autobusi, përballë meje ishte Naim Frashëri. Pa më takuar më tha: “Ku je o mendjemadhi i Elbasanit?” Unë ia prita në vend. “Po ti, ku je o mendjemadhi i Shqipërisë?” U përqafuam bashkë dhe nisëm punën për xhirimin e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”.

 

Miqësia me Naim Frashërin

Aktori gjigant Naim Frashëri ishte pedagogu im, – tregon me mallëngjim Demiri. – Unë e kisha njohur që kur isha student për aq kohë sa qëndrova në shkollën e lartë. Më ka pëlqyer Gjirokastra në atë kohë. Unë blija biftek me të lirë në Qafën e Gjirokastrës dhe pastaj darkonim me Naimin në verandën e turizmit. Atëherë, në turizëm kishte muzikë dhe njerëzit kërcenin. Unë me Naimin kthenim nga një gotë. Nuk pinim shumë, pasi as unë dhe as Naimi nuk ishim qejflinj të gotës. Naimit, gjithsesi i pëlqente të pinte, por më thoshte shpesh: “Rakia do të më marrë në qafë”. Në fakt, ai vuante nga mëlçia nga e cila vdiq më vonë. Bashkë me Naim Frashërin më kujtohet edhe Sandër Prosi, të cilët i kam njohur në Tiranë. Sandri ishte shumë i qetë si natyrë, kurse Naimi ishte impulsiv. Na piqte muhabeti të treve. Njëherë mbaj mend se Naimi dhe Sandri u zemëruan bashkë. Nuk e mbaj mend se për çfarë u zunë, por më kujtohet skena. Naimi i tha diçka Sandrit dhe po priste përgjigje, por Sandri të çmendte me heshtjen e tij. Ai nuk i ktheu përgjigje Naimit dhe kjo e inatosi më shumë atë. Pra, i ktheu një përgjigje në heshtje. Pas kësaj ata nuk folën, ndonëse vazhdonim të xhironim filmin. U përpoqa t’i pajtoja, por ishte e kotë. Më vonë ata nisën të shkonin si më parë. Naimi vdiq i ri nga kanceri në mëlçi. Ishte një aktor i madh dhe unë isha një nga të katërt që mbajtën arkivolin. Naimi u varros me të gjitha nderet. Trupi i tij u përcoll në shtrat të topit. Por kam shumë kujtime edhe me Sandrin. Në vitin 1977 arrita të siguroja ca fotografi me Sandrin, të cilat pak kohë më parë ia dhurova djalit të tij. Atëherë ishte e vështirë të stampoje fotografi, megjithatë unë arrita të arkivoja diçka. Kam kujtime të bukura me shumë aktorë të moshës sime. Do të veçoj konsideratën që kam për kolegët e teatrit “Skampa”. Nuk e harroj mënyrën se si ma festuan 60-vjetorin në vitin 1997.

 

Demiri deputet në monizëm: Në 1989 dorëzova teserën, sot pa parti

Në monizëm, për 20 vjet me radhë, aktori Demir Hyskja ka qenë deputet i Kuvendit Popullor. Demiri thotë: “Deputet kisha emrin, se privilegje nuk kishim, shkonim dy herë në vit në Kuvend, ku vetëm ngrinim dorën për të miratuar direktiva”. Sipas tij, “gjithçka e përgatiste Komiteti Qendror. Kujt ia mbante të mos e ngrinte dorën? Gjithmonë kam mbarështuar shpendë në shtëpi. Njëherë dikush nga organizata më tha që të mos rrisja shpendë, se isha deputet. U detyrova dhe i thera dy pula që kisha”. Dhe meqë ra fjala për pulat, po ju tregoj një histori, – shton buzagas Demiri. Në atë kohë ishte e detyruar të abonoheshe në gazetën “Zëri i popullit”. Unë kisha një portë të vjetër dhe postieri e linte gazetën poshtë derës. Kur kthehesha nuk mund ta lexoja gazetën, pasi pulat që kisha, kishin një huq të keq. Ato e çukisnin gazetën aq shumë, sa nuk lexohej. Kur më thanë për abonim, bëra shaka, duke u thënë se nuk kisha ç’e doja gazetën, sepse ma hanin pulat. Vite më vonë e mora vesh se thënia ime ishte arkivuar. Pra, isha deputet, por kisha edhe dosje. Vërtet kam qenë i tillë, por e dorëzova teserën e Partisë para ndryshimeve demokratike. Ka qenë viti 1988 ose 1989, kur e kam dorëzuar teserën e Partisë së Punës, që e kisha mbajtur për 20 vjet me radhë. Tani desha të them se nuk më pëlqen politika dhe nuk merrem fare me të. Madje, në do ta dish, unë nuk shkoj në votime. Të dyja partitë, edhe e majta, edhe e djathta, më kanë ftuar të jem pjesë e tyre. Lidhur me këtë, unë bëj një shaka dhe them: “Mua më vdiq nëna, ç’më duhen njerkat!” Gjithashtu, jam edhe ateist. Nuk më kanë pëlqyer dhe nuk më pëlqejnë shumë fetë. Më pëlqen shumë sporti, sidomos futbolli dhe peshkimi. Në rini e kam bredhur të gjithë Shkumbinin nga burimi deri në bregdet. Tani nuk mund të merrem më me peshkim dhe ndjek futbollin. Jam tifoz me Elbasanin dhe më pëlqejnë skuadrat që luajnë futboll në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk shkoj më në stadiumin e Elbasanit dhe ndeshjet e kampionatit shqiptar i ndjek me radio. Ndjek shumë futbollin e skuadrave të njohura të kontinentit tonë. Nëse televizori ka sport, unë e mbaj në atë kanal. Më pëlqen teatri dhe aktrimi në filma, por urrej telenovelat, vazhdoj të ndjek me vëmendje kinematografinë botërore dhe më pëlqejnë aktorët e mëdhenj”, – përfundon Demiri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency