Zgjohem kur më prek…

0
183

kercePoeti Visar Zhiti, dedikim për poetin estonez Juri Talvet, duke vënë në dispozicion të suplementit letrar “Logos & Art” disa poezi të përzgjedhura e të përkthyera, të cilat prezantohen për herë të parë në shqip për lexuesin tonë, shoqëruar me një shënim ku Zhiti veçon për sivëllain e tij se “gjuha e tij hapet si një guaskë, e shtyrë prej dallgëve të shpirtrave”, dhe poezia si një mesazh për urën e komunikimit mes vendeve

 

Juri Talvet

 

KU BANON KUJTESA

 

Gazeta kufizohet me ajrin

që përthith fjalët –

jo më pak të brishta a arratiake

se programi a ekrani

me nerva elektronike.

Era trondit një dritare.

Dora e kujt ledhatoi drojtur

flokët e një fëmije të fjetur?

Ç’degë të trazuara

ç’mjegull mbi buzët e tyre

ç’shenja të dala nga bari

krijuan këngën e këngëve?

 

Pas një muri të programur

të letrës së nervave artificiale

(a guxon ti?) banon kujtesa

(keni filluar tashmë

të përgatisni arratisjen?)dhe

ruan gjërat e harruara që ta falin

mëdyshjen tënde të tanishme.

 

 

SI JANË ATA

 

Ata na çajnë pa pushim nga koka deri te këmbët.

Ata na futin hala të gjata e të trasha në zëmrat tona.

Gishtat e tyre të padukshëm hapin me kureshtje

qepallat tona natën.

 

Përse merakosesh gjithmonë, nënë?

Sa merakmadhe je.

 

Ata u ndanë nga ne,

u tjetërsuan,

prej sinjaleve të gjelbra, zërat

dot s’i dëgjojmë.

Por ju prisni për ta,

në vjeshtën e vonë duke vëzhguar moçalin e acartë,

duke mbajtur brenda vetes më shumë:

gjysmën e jetës tuaj të kaluar.

 

(Tani ajo është këtu: e re, e vogël, jetë e bukur,

në ngutin e çmendur drejt lirisë.)

 

Ata na shtyjnë nga rruga e tyre, duke qeshur e dëshiruar.

Ata ishin fëmijët, që tani u rritën befas –

para se ne vetë

të ishim rritur.

 

SHIKOMË

 

shikomë shikomë shikomë

deri sa të bëhet aq e plotë

leja e gëlltitjes

në folenë e gjirin tënd Prekur

nga gishtat e mi të vegjël që mund

të rrëshkasin në ajrin mbi hijet

Me sytë e mbyllur peshoj i zbathur

në një litar kërpi të arrirë

Poshtë pëllëmbës së duarve të tua

gjatë natës pëshpërimat e mia mbledh:

Unë kurrë nuk do të fle sërisht

Ti kurrë nuk do ta vizitosh Afrikën

 

 

PËRSËRI ME HAMLET

 

Përse atëherë e bëtë atë, Gertrudë? A s’ishit

e vetëdijshme që dashuria e mbush trupin

me një helm të gjelbër që të paralizon, të vret?

Që ta dish këtë, nuk duhet të fluturosh

me aeroplan për në Danimarkë, nuk duhet

të jesh princ, mbretëreshë, i marrë.

Hamlet nuk ka. Kjo ishte e gjithë

Vetëm një film, një fiction, vajza ime e vogël.

(Ndonëse ti, vetëm pas një viti e gjysmë

në tokë, mund të puthësh pa plagosjen.)

Një shkollar sakson bëri libretin

për një bard britanik, që donte vetëm

të tregonte se si princi, i fiksuar

pas fronit (babai i tij), nxjerr

shpatën për të goditur veç një hije

mes hijeve, ku edhe vetë endej.

 

ËNDRRAVE, BORËS

e nxora foton tënde

nga faqet e shënjuara

libri nuk mund të të lëndojë ty

 

Je bletë mjalti Maya

mendim katër-vjeçar rruzull i mbajtur

gjithandej hera e parë jotja

 

Se këto karaktere nuk të njollosin

karakteret e një të huaji

që na konsideron ne gomerë

dhe dëshiron me çdo kusht

të shfajësojë dëshirën e fajit

 

ZGJOHEM KUR MË PREK              

 

Përsëri jam në shtëpi

por adresa

mbetet e panjohur

 

Veç një tabelë prej drite

para meje

 

E gjelbër

të dua

e gjelbër

 

Pastaj ti erdhe

si nga një tjetër

jetë

 

tjetër

por ende e njëjtë

 

Kisha pirë nga lumi

që fshin të keqen

nga kujtesa

 

Unë kisha harruar

emri tënd Lërmë

të të quaj

Linda

 

Grua e bukur

ti që arrin

në çdo

gjuhë

 

KINA RRJEDH POSHTË

 

Unë derdhem në qoshk

afër katit 11 – dritare

në Anne Blach Hotel

Këngë uji

rrjedh tej mishit

Këngë e freskët

rrjedh poshtë

Shkurt jetoj

Dhe jam Lao-tzu

në lumin njerëzor

që rrjedh tatëpjetë

nëpër rrugë

i sigurt për drejtimin e vet

në këngën prej uji

të kohës

 

 

SI ISHTE AJO?

 

Unë varros hundën time në flokët e tu,

Ti Maya, bletë mjalti,

për një lamtumirë më tepër,

brënda kaçubës së çelur,

që degët ia pastroje me sytë e tu.

 

Kështu ti jeton jetën tënde të shkujdesur.

Ç’të duhet e vendos mbi tryezë,

të tjera thirrje bien nga lart:

“Është koha të bëhesh mënçurak,

koha të arsyetosh,

dil tani nga poshtë tryezës!”

 

Ti qesh, e zënë

poshtë kaçubës së çelur,

poshtë tryezës, por jo indiferente

ndaj ikjes time: “Shko pra,

ta-ta, ti bubi-tigër!”

 

(Oh ç’rrugë e gjatë kështu,

Vogëlushja ime guximtare

oh sa larg është Córdoba!)

 

Ndryshe si të ta shpjegoj ty,

Të dashur miq, pjesëmarrës në konferencë,

çfarë animalmagnetismus është,

përmes të cilit Dr. Keiser në një vit të caktuar

mes dy luftërave botërore pohoi

se kishte konstatuar, testim

me gjuhën e tij, nona-entendre

akuzë elektrike tellurismi.

 

NË PUB-IN E QUAJTUR “FLOKËVERDHA JETON KËTU”

TI VËREN PAS BANAKUT, NË VEND TË DEKOLTESË

SË MERILYN MONROE-SË, VAJZËN E ERRËT HOLLAKE

ME SYTË-ALGADETI

 

Një gjethe verdhane e vogël të ndiqte, qerthulloi poshtë

xhaketës tënde, Zuri vënd qetësisht pranë filxhanit të kafesë.

Ju mund të shtireni sikur të jeni në Paris, por realisht Europa

juaj është askund tjetër, veçse këtu, sidomos tani që

pas një rrëmuje të madhe vere, vetëm mërmërima në gjuhën

tënde amtare, ajo mbetet, e rënies se gjethes së blirit

dhe e panjës, kurorë lisi nën këmbët e tua, kërcet,

kafja e errët e gështenjës, e kuqja e dorëzonjës që ka njollosur

anën e shtëpisë, ti, e larë me bardhësinë e verës.

Ti mbledh antonovkas*, lëkura e tyre e trashë, e qirinjtë,

lëre ndokënd ta quajë si frut dylli në muze, le ta mbajë

mendimin e vet për vete, le të jetojë më shumë dhe

të predikojë më pak. Një mollë të fortë lëre të bjerë

mbi kokën tënde para se ti të fillosh të predikosh. Ar,

e kuqe, kafe. Përgjatë bregut të Tahkurannas

Një vijë e artë rend, parku Tihemesta si një kopësht japonez,

kthetrat e erës grisin ujin e një shatërvani, me guxim

shqyejnë në copa tapetin gri të qiellit, por gjiri qëndron

më paqësor se Zemra Mesdhetare e Senekës, duke e ditur

se disa muaj mbeten, para se një cipë prej akulli të mbronte

zemrën e tij kundër epokës, disa muaj mbeten derisa ti

të rendësh duke bërtitur nga ngëzëllimi

drejt ritmeve pranverore, pavarësisht kohës.

______________________________

*antonovka – mollë e athët, tipike për Estoninë, Rusinë, Poloninë…

 

 

SI TA PËRFUNDOSH NJË SHEKULL ME DINJITET

 

Ç’valle shkronjash të shqetësuara

mbi faqet e bardha si borë

si çarçafë të ftohtë dhe të tendosur

në shtratin e së dielës në pritje

të ngrohtësisë së të dashuruarve! Marioneta

të një aktori të padukshëm, jo, por gra

shtatzëna me kuptime të palindura! (Ku tjetër

mund t’i gjesh, veçse brigjeve në Tierra del Fuego?)

Ajo që unë dot nuk mbledh, mblidhet.

Raftet e rënda, pa hapësirë frymëmarrje,

pa vend për të kaluar, asnjë qoshe për të vënë

bërrylin apo që milingona e zellshme të ngrejë

kudhrën e vet. Qetësohu, rritu kujtesë! Prit

për një shpërthim. (E di, e di, e di –

një herë ti ishe baba.) Ti, i vogëli, prit,

prit, unë kaloj nga faqja në faqe, drejt fundit,

prit, unë rrëshqas, pavarësisht bardhësisë,

pengohem mbi një shkronjë, letërprerësja

pëllëmbën time gjakos. Prit, unë do të përgjigjem

me përtypjet e tehut që po shijon tani si

barin e zakonshëm goja e një lope paemër

në kullotat pranverore në ditën e Shën Gjergjit.

Përktheu nga anglishtja Visar Zhiti

 

Shko Meshàr

 

Udha e mbarè se t’erdhi ora

me u kthye prap nè Vatikan,

ç’po na dridhet zemra e dora

tash qè del prej vendit tand..

 

Nuk ke faj Meshar’i Gjonit

jashtè tè nxori historia,

fjalèt Tueja si ujè kronit

nuk i donte osmanllia.

 

E prandej mergimin ndoqe

dole tej Adriatiku,

me u rradhitè me shokè e shoqe

n’Vatikan ku s’ish rreziku.

 

Udha e mbarè “Fryt-madhi” Gegè,

s’ke ma leje, veç nji muej,

e dij, malli ka me t’djegè

mor per tokè e mal e ujè,

n’pesqind vjet loti t’asht pjekè

tue ndej larg me vllazen Tuej.

 

Por me shpresè se permbas sodit

ktu lirija do t’marrè shndet,

kà m’u zbutè kjo qenje e Zotit

e me t’mbajtè nè gjij tè vet,..

 

Udha e mbarè “Liber ngallnjyes”,

ke marrè vlerè n’gjithè boten mbarè,

mos harro, kushdo tè pyesè

thuej Meshàr, un jam shqiptar-

 

Gjosho…8..12-2012

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency