Të godasësh një hije mes hijeve

0
219

Visar Zhiti

-datëlindja është kudo… –

 

juriKa datëlindjen poeti estonez Juri Talvet, – më tha pedagogia e Universitetit të Durrësit, studiuesja e letërsisë Marisa Kerbizi. – E kam mik, e kam takuar në konferenca ndërkombëtare, – shtoi duke më treguar një libër të tij me poezi anglisht, “Of snow, of soul”.

Po e shfletoja, përkthim nga estonishtja prej H. L. Hix. Borë dhe shpirt. M’u shfaqën ca si vezullime të gjalla. Ja, dikush kujtohet për një datëlindje të largët, është nderimi për poetin, po mendoja, kudo qoftë ai, edhe larg në Veriun e ftohtë të Evropës, në Estoni, në Tartu… Seç është diçka e fshehtë që i lidh njerëzit edhe pa u takuar, një si shenjtëri, do të thosha, ndodh të përjetosh një ngjarje ku nuk do të jesh, nëpërmëndesh madje për të panjohur, ku as në vendin e tyre nuk ke qenë e as ata në tëndin. Ka një mister, tretur nëpër ajër dhe kumtet gjithsesi nisin qyshkur. Ka datëlindjen ai… mbase shkulmet në Baltik i hovën lart fjalët, duke i përzierë me erërat për t’i sjellë në brigjet e Adriatikut, që të kthehen prapë ku nisën. Po ku nisi, ku? Vërtet ka diçka që nuk mësohet dot plotësisht, e njëjtë në cilëndo gjuhë, që, megjithatë nuk mbetet as e pakuptuar e as e pa vazhdim. Hapet njëlloj si një guaskë, e shtyrë nga dallgët e shpirtrave.

Sikur t’i botoheshin disa poezi në shqip? Në vend të urimit. Po dhe kjo dëshirë, ky shqetësim lehtësues janë poezi më vete. Që sikur i hapin udhë kërshërisë për poetin e panjohur dhe vendin e tij. Republika e Estonisë është gati sa dyfishi i madhësisë së vendit tonë, por me popullsi diçka sa një e treta e jona. Estonishtja si gjuhë ugro-finike është ndër të paktat në Evropë që nuk bën pjesë në familjen indoevropiane, por Estonia është pjesë e Bashkimit Evropian. Duhet të ketë poezi të shumtë jete atje, gjersa ka 1.400 liqene dhe kujtesë të fortë historike, teksa 245 muzeumet e tij ruajnë mbi 10 milionë objekte, që para vikingëve.

“Unë kam lindur pas gjakderdhjes së madhe, më të fundit botërore…”- shkruan për veten poeti dhe akademiku Jüri Talvet. Ai erdhi në jetë në dimër, më 17 dhjetor 1945, në Pärnu, pikërisht kur një vit më parë vendin e tij, pas mundjes së nazizmit, e kishte gllabëruar Bashkimi Sovjetik. Kur u bë republikë e BRSS-së njohu deportimet në Siberi dhe gulagët e tmerrshëm. Vetëm në vitin 1991 mundi të shkëputej, kur dhe tek ne binte diktatura.

Juri Talvet është autor librash të shumtë, krahas atyre me poezi, edhe me kritika, ese, me teori të letërsisë, proza të ndryshme, përkthime të autorëve bashkëkohore si nobelistin Gabriel Garcia Marquez, ndërkaq dhe e ndërsjellta, i përkthimeve të veprave të vendit të tij në gjuhë të tjera. Talvet ka kryer Masterin për filologji angleze në Universitetin Tartu, më të vjetrin e Europës Veriore, themeluar nga Mbreti i Suedisë, Alfons Gustafi II më 1632, ndërsa libri i parë i Estonisë është i vitit 1241, përmban emra vendesh dhe familjesh. Pastaj Talvet mbrojti PhD në Shën Petërburg për letërsinë e Evropës Perëndimore. Duke qenë dhe profesor, ai bën dhe Shefin e Letërsisë Krahasuese në Universitetin e Tartusë, ku dhe ka themeluar katedrën e studimeve spanjolle, ngrehina e tanishme e së cilës ngjan me atë të Filologjikut në Tiranë. Sigurisht ndikim arkitektonik sovjetik, kur dy vendet tona ishin brenda perandorisë komuniste.

Juri Talvet ka marrë çmime të ndryshme letrare si atë estonian më 1986, të poezisë më 1997, të esesë më 2002, etj. Poezia e tij ka kumbime moderne, qëllimisht mbart ndonjë imazh lorkian si dhe nga linguazhi i Eliotit, të cilët ai i njeh mirë, ashtu si letërsinë Hispanike edhe atë Anglosaksone, por mbi të gjitha ajo është vetvete.

Në fund të fundit datëlindja është kudo, ku janë miqtë, sado larg, gjithkund ku ikën poezia, e cila lind çdo ditë dhe i gjen vetë rrugët e përhapjes, vetëtimthi, duke të arritur kudo qofsh, për të të ndriçuar, sa do pak. Si plotësim të urimit po japim në shqip disa poezi të Juri Talvet, por dhe të dëshirës ngazëlluese të dikujt në Durrës, që tha: po ai ka datëlindjen, që në Estoninë e largët nuk ka pse të jetë dëgjuar, po ku ta dish, mbase një fëshfërimë e tjetërllojtë do të jetë ndjerë dhe atje. Gjithandej…

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency