Siguria në shkolla Brenda qershorit 2013, gjimnazet me kamera

0
126

samiuOborret e shkollave shpesh kanë qenë dëshmitarë të sherreve mes nxënësve dhe tregtimit të lëndëve narkotike. Në shumë raste ndërhyrja e policisë ka qenë e vonuar, teksa stafi pedagogjik e ka të pamundur të mirëmenaxhojë situatën. Nisur nga problematika që haset kryesisht në gjimnazet e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka vendosur të instalojë kamera fillimisht në 15 shkolla të mesme. Sistemi i kamerave do të lidhet me policinë, çka do të mundësojë monitorimin e ambienteve gjatë gjithë kohës. Kjo nismë e bashkisë, sipas drejtorit të IT-së, z. Arbër Hysi, është në vijim të projektit “Për një Tiranë të sigurt evropiane”, nisur dy vjet më parë nga Ministria e Brendshme. Projekti pritet të nisë zbatimin, fillimisht në 15 shkollat e mesme të kryeqytetit dhe në total në 76 shkollat e Tiranës. “Si fillim mendohet të vendosen kamera në ambientet e oborreve të shkollave të mesme e më tej do të rishikohen nëse do të jetë e nevojshme vendosja e tyre edhe brenda shkollave. Në bazë të statistikave që janë mbledhur në oborret e shkollave, haset dhe problematika më e madhe e sherreve mes të rinjve apo e tregtimit të substancave të ndaluara. Do të krijohet një lidhje e sigurt me sallën e kontrollit, e cila ndodhet në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës dhe për çfarëdo lloj problematike që do të ndodhë në oborret e shkollës, Policia e Tiranës do të ketë imazhet në kohë reale dhe do të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme”, – u shpreh z. Hysi. Për një qytet më të sigurt, përveç kamerave të vendosura nëpër shkolla, gjatë vitit 2013 do të instalohen edhe 23 kamera në qytetin e Tiranës, që do t’i shërbejnë sigurisë në qytet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency