Kalivaçi, nga licenca e 97-të te kontrollet teknike të AKBN-së

0
163

kalivacSipas kontratës së vitit 1997, prodhimi i energjisë duhet të fillonte në vitin 2002, ndërsa sipas kontratës së vitit 2000, është nënkuptuar se prodhimi do të fillojë në vitin 2005. Sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011, por në Kalivaç ende s’kanë filluar ndërtimet.

 

Hidrocentrali i Kalivaçit është një histori e gjatë, e cila duket se nuk do të ketë fund. Në Kalivaç, në afërsi të Tepelenës sot duhet të ishte një hidrocentral, i cili do t’i shërbente vendit për prodhim e energjisë, por në të vërtetë aty ka vetëm disa makineri të prishura, ndërsa ato që punojnë kryejnë vetëm disa gërmime. Një ekip i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) kreu monitorimin në terren të punës së kryer nga koncesionari italian për ndërtimin e një prej veprave madhore të hidroenergjetikës shqiptare, por zbuloi se në atë objekt nuk ishte kryer puna e ngarkuar nga Ministria e Ekonomisë.

Kontrata e 1997-ës

Sipas kontratës së vitit 1997, prodhimi i energjisë duhet të fillonte në vitin 2002. Ndërsa sipas kontratës së vitit 2000, është nënkuptuar se prodhimi do të fillojë në vitin 2005, duke e marrë të mirëqenë se punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011, ndërsa praktikisht në këtë zonë nuk është bërë ndërtimi i asnjë gjëje serioze por vetëm ndërtime sa për t’u dukur.

Kontrolli i 2011-s

Në relacionin teknik të datës 13 mars të këtij viti, pas kontrollit të kryer në objektin në fjalë nga grupi i punës, thuhet se që nga prilli i vitit 2011 në këtë objekt nuk kishte lëvizur asgjë. Pra, punimet u konstatua se ishin po ato që ishin parë edhe në monitorimin në terren, të kryer një vit më parë. Më tej: dy fashat e pjesës më të rëndësishme të HEC-it – digës – rezultonin të dëmtuara në pjesën e brendshme të lumit, për shkak të prurjeve të mëdha, ndërkohë që nuk kishte asnjë shenjë të fillimit të betonimeve. Megjithëse kishte filluar puna për riprofilimin e skarpateve, që kishin rrëshqitur në krahun e tunelit të devijimit, në momentin e monitorimit nuk po kryhej asnjë punim. Ura e ndërtuar më parë për të kaluar në anën tjetër të lumit ishte prishur dhe kishte dalë jashtë funksionimi, kështu që tani koncesionari po rinegocionte për zgjidhjen përfundimtare të një ure të re. Ura rezultonte e mbuluar nga uji dhe nuk ishte madje e dallueshme me sy se ku ndodhej.

Punimet e parealizuara renditen si më poshtë:

  • Për para-digën e planifikuar deri në kuotën 94 metra, ishte depozituar vetëm një pjesë e materialit.
  • Perdja e çimentimit të fashës së majtë, fashës së djathtë dhe seksionit qendror të digës ende nuk kishte filluar.
  • Nuk ishte realizuar ngritja e fashave të majtë dhe të djathtë deri në kuotën 96 metra, sipas planifikimit në grafikun e punimeve, por në kuadër të mbushjes së trupit të digës, fasha e majtë ka arritur në 87 metra dhe ajo e djathtë në kuotën e 81 metrave. Praktikisht, në atë periudhë duhej të kishte përfunduar gjithçka.
  • Po kështu, nuk kishte përfunduar ekrani i betonit për faqen e majtë dhe të djathtë të digës.
  • Nuk kishte nisur fare betonimi i pjesës kapërderdhëse (tramplina, muret, traversa dhe kanali ndihmës), të planifikuar për t’u përfunduar.
  • Nuk ishte realizuar kompletimi i seksionit standard të devijimit, ku përfshihet vepra e marrjes, pjesa qendrore dhe ajo e largimit.
  • Nuk kishin përfunduar punimet civile në veprën e marrjes, në dhomën e manovrimit, kullë dhe urën hyrëse në këtë vepër. Kjo punë, sipas grafikut, duhej të kishte mbaruar në këtë kohë.
  • Nuk ishte realizuar vendosja e dy tubave të përforcuar dhe zgara e veprës së marrjes.

Por ekipi thekson se koncesionari ka paraqitur situacione të punimeve të ndërtimit që kanë datën 30 tetor 2009! Shoqëria nuk raporton asnjë lloj punimi ndërtimor më vonë se kjo datë. Po kështu, ekipit të AKBN-së i janë paraqitur libreza të masave të objektit, të panënshkruara nga mbikëqyrësi i punimeve, duke mos mundësuar krahasimin e situacioneve me preventivin e punimeve.

 

Precedenti i 2008-ës

Në shkurt të vitit 2008, kreu i AKBN-së informonte ministrin Ruli se iu kërkua shoqërisë ndërtuese të vinte në dispozicion dokumentacionin për gjithë punimet e kryera, pagat, shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit, por në përgjigje u dha vetëm një dokumentacion që tregonte realizim punimesh në vlerë, pa asnjë hollësi tjetër. Kryetari i atëhershëm i AKBN-së kërkonte mbështetje nga autoriteti i ministrit për të vazhduar kontrollin më tej.

Ndërkohë, e njëjta agjenci konstaton më datë 25 tetor të vitit të kaluar se akti i piketimit, që duhej të hartohej para fillimit të ndërtimeve, e që të ishte një material grafik, i shoqëruar edhe nga një proces-verbal, në fakt ishte thjesht një vizatim, por mungonin pozicionet me koordinata e kuota të të gjitha objekteve të veprës siç do të ndërtohen, ku të specifikohej edhe kuota maksimale në biefin e sipërm dhe ajo minimale në biefin e poshtëm. Po kështu, raporti i mbikëqyrësit për punimet e realizuara nuk ishte firmosur e as vulosur nga dikush dhe nuk kishte një situacion përkatës. Po kështu, matjet e prurjeve 30-vjeçare, ato të katër viteve të ndërtimit apo verifikimi i seksioneve efektive dhe kapacitetit të devijimeve ekzistuese nuk ishin të nënshkruara, për disa matje nuk kishte fare vlera.

Fakti më i rëndë nga të gjitha këto konstatime të AKBN-së duket se është ai që – duke iu referuar bilancit financiar të kompanisë të vitit 2009 – investimet në pajisje e makineri janë kryer në masën e 1.5 milionë lekëve, ndërkohë që vlera totale e përfshirë në kontratë është… 129 milionë euro! Ndërkohë, dokumentacioni ishte i pashoqëruar me fatura tatimore, situacione të punimeve, madje edhe deklarata doganore për zhdoganimin e pajisjeve të importuara.

Afatet

HEC-i u planifikua për t’u ndërtuar në tre vjet, me fondet e koncesionarit, pra jo nga buxheti i shtetit. Ai duhej të kishte mbaruar që në vitin 2011, por ende nuk duket asnjë shenjë përfundimi. Në të kundërt, vijojnë ecejaket në prokurori e gjykata të koncesionarit e të nënkontraktorëve të pajtuar prek tij, që janë ndryshuar në vite. Do të jepej 10 për qind e energjisë së prodhuar në favor të shtetit shqiptar dhe pjesa tjetër do të shkonte për shitje, brenda apo jashtë vendit, si e drejtë e koncesionarit. Vepra do të ishte e para e këtij lloji që prej vitit 1986, kur hyri në punë HEC-i i Komanit, por në fakt u parapri nga ai i Ashtës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency