Berisha: Ina Rama shiti dosjet dhe rrënoi hetimet, Llalla dërgoi zyrtarë në prokurori

0
160

Ina Jano

 

berishaRama donte të lidhte statusin me zgjedhjet, por KE shprehu qartazi se tri ligjet janë kusht për integrimin

Qeveria do të mbajë borxhin publik nën kontroll të rreptë

Kryeministri: Projekti evropian është projekti që realizon bashkimin e shqiptarëve

 

Kryeministri Berisha ka rezervuar vlerësimet më të mira për kreun e ri të organit të akuzës, zotin Adriatik Llalla. Shefi i qeverisë shqiptare, duke folur për ish-prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, nënvizoi se ajo shiti dosjet dhe rrënoi hetimet për çështje të ndryshme dhe se duhet të ishte larguar më parë nga drejtimi i këtij institucioni. “Kam besimin e plotë që Kryeprokuroria do funksionojë bazuar në ligj dhe zoti Llalla në institucionin e verifikimit të pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve ka dërguar shumë dosje në prokurori. Janë denoncime të bëra publikisht prej tij. Kam besim që do përdorë po kritere që përdori në ILDKP dhe në prokurori”, – deklaroi Berisha. Duke shprehur mbështetje për Llallën, lideri i mazhorancës tha se edhe Presidenti Nishani do të mbështesë luftën kundër krimit dhe korrupsion në vend.

Statusi

Referuar votimit të tri ligjeve, Kryeministri tha se Rama insistonte që statusi të lidhej me zgjedhjet e ardhshme, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Sipas zotit Berisha, për të marrë statusin e vendit kandidat duhet vetëm të votoheshin tri ligjet, dhe këtë e thanë qartësisht si zoti Fule ashtu edhe organet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. “Stefan Fule ka deklaruar që Shqipëria meriton statusin me kusht që të votojë tri ligjet. Ka kërkuar të votohen tri ligjet, në mënyrë që të bëhet rekomandimi përfundimtar pozitiv. Ligjet nuk i votoi Rama. Raporti shkoi në Këshillin e Evropës. Rama kishte shpresë që Këshilli do ta lidhte statusin me zgjedhjet, por prapë është shumë i dobët në analizë politike. Me zgjedhjet u lidh diçka, negociata jo statusi. Pasi dështoi në këto pretendime Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Evropian mbajtën të njëjtin qëndrim. Kam dëgjuar drejtues socialist që thonë se PE nuk ka rëndësi, jo e kanë gabim. Të tre institucionet e BE-së kanë të njëjtin qëndrim, votoni ligjet, merrni statusin”, – theksoi Berisha.

Borxhi

Kryeministri Sali Berisha garantoi se borxhi publik do të jetë nën kontroll të plotë.
Sipas Berishës, rritja e investimeve dhe në kohë krize është fakt se Shqipëria nuk do ta tejkalojë borxhin publik. Në lidhje me çështjen ai deklaroi: “Gjatë këtyre viteve të vështira në Evropë dhe botë asnjë qeveri nuk ka kontrolluar më rigorozisht, më besnikërisht borxhin se qeveria shqiptare. Modeli në pamje të parë, pa dyshim paraqiste një rrezik, nëse parashikimi yt nuk dilte. Pse Shqipërisë i ka lëvizur borxhi me 2%. Radiografia e kësaj krize tregonte një zhvillim të paqëndrueshëm në vende të tjera, por në Shqipëri ka qenë i qëndrueshëm. Absolutisht, kontroll rigoroz. Modelin ekonomik nuk e kemi për të tjerët, por e kemi një nga pasuritë më të çmuara. Dhe ka funksionuar, FMN, reformat e ndërmarra mbrojtën ekonominë shqiptare. Është keq që dezinformojnë që thonë se nuk ka kufi për borxhin, por është përcaktuar 62.2 ne e kemi faktuar që nuk e tejkalojmë”.

Nacionalizmi

I pyetur për deklaratat e ambasadorëve në vend sa i përket çështjes së nacionalizmit lideri i qeverisë tha se ai nuk do t’i komentonte ato pasi asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Berisha pohoi se që në dekretin e vitit 1992 është sanksionuar edhe dhënia e shtetësisë shqiptare për të gjithë ata që do të duan ta marrin atë dhe ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Kryeministri tha se do të ketë një marrëveshje me qeverinë e Kosovës për të mos cenuar procesin e saj të pavarësisë dhe të konsolidimit të shtetit. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit shtoi se në fakt nuk ka asnjë pretendim territorial të Shqipërisë ndaj Greqisë apo ndonjë vendi tjetër. “Projekti evropian është projekti që realizon bashkimin e shqiptarëve, që i bën kufijtë të parëndësishëm. Kemi humbur shumë territore, nuk do të humbasim as edhe një metër katror”, – tha Berisha.

CEZ

Duke iu referuar problemeve me kompaninë CEZ, Berisha tha se është e patolerueshme që u ndërmor akti i ndërprerjes së energjisë në ujësjellës. Ai tha se një veprim i tillë nuk mund të ndërmerrej, pasi cenon sigurinë kombëtare. Kryeministri shtoi se qeveria është përpjekur që të mos dëmtojë qytetarin, duke mos lejuar rritje të çmimit, gjë që nuk ka ndodhur për disa vite.

Rezoluta çame

Kryeministri tha se Parlamenti do të shqyrtojë çdo rezolutë që dorëzohet pranë zyrave të tij. Ai tha se të gjitha komisionet do të marrin në shqyrtim rezolutën dhe njëkohësisht nuk harroi të përmendte edhe faktin se ai së bashku me Gramoz Pashkon që në vitin 1991, kur ish-kryeministri i Greqisë u njoh me çështjen nga opozita shqiptare. Kryeministri garantoi se do të kalohet me kujdes rezoluta dhe se mazhoranca është e gatshme që të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Facebook-u

I pyetur nga media, shefi i qeverisë tha se ndihet i inkurajuar nga 195 mijë nga miqtë që ka në rrjetin Facebook që për Kryeministrin është i mahnitshëm. Ai shpjegoi se ka zgjedhur këtë rrjet, pasi është i interesuar të marrë edhe mendimin e qytetarëve dhe direktiva, duke nënvizuar se nuk ka nevojë për anshmëri. Duke iu referuar Ramës ai tha se kur kreu i opozitës bënte ciu-ciu dy muaj në Twitter asnjë nuk e nxirrte në gazetë, e kundërta ndodh me vetë zotin Berisha. Ky i fundit tha se televizionin e përdor për të bërë politikë, kurse Facebook-un për të komunikuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency