“Për një votë më shumë”, PS zbardh strategjinë për 2013-ën

0
174

Gëzim Saliu

Kreu i PS-së së Tiranës, Tahiri: Në 189 ditët e mbetura, nisim fushatën për “Çdo votë”

“Për një votë më shumë” do të jetë slogan kryesor i fushatës së Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në punimet e djeshme të asamblesë së Partisë Socialiste për degën e Tiranës, u zbardh edhe strategjia e opozitës për zgjedhjet e 2013-ës. Kreu i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, bëri të ditur në fjalën e tij se çfarë përmban strategjia e socialistëve, duke nënvizuar se ruajtja e votës do jetë objektivi primar për opozitën në zgjedhjet e 2013-ës. “Duke filluar nga sot, e deri në 23 Qershor, në këto 189 ditët e mbetura, t’ju ftoj të gjithë bashkë të nisim Fushatën për ‘Çdo votë’, punën e palodhur që duhet në çdo lagje, në çdo shtëpi, në çdo rrugë e në çdo shesh. Me çdo qytetar që ka të paktën një motiv për të na dëgjuar, për të na besuar e për të na votuar ne. Këto janë 189 ditët e fundit. Fushata jonë ka nisur për të rilindur lagjet e Tiranës, komunitetet, familjet, qytetarët, për të rilindur shoqërinë, për të rilindur vendin tonë. Në këto 189 ditë, ne do punojmë si asnjëherë më parë, të gjithë bashkë duke trokitur në çdo derë, për të mbledhur zemrat e shqiptarëve në luftën tonë të përbashkët kundër varfërisë, papunësisë, krimit dhe korrupsionit. Dhe nga këtu, i premtoj edhe në emrin tuaj, cilitdo që i ka shkuar qoftë dhe largësisht në mend se mund, Saliu i pari e pastaj ushtarët e tij, të mos guxoj ta mendoj njeri se në 23 qershor do mund të vërë dorë tek votat e qytetarëve sepse e para nuk e cenojnë dot kurrë fitoren tonë, por edhe sepse do marrin një ndëshkim të paparë që nuk do e harrojnë dot për gjithë jetën”, – tha Tahiri. Në këtë kontekst, deputeti socialist nuk nguroi të nënvizonte në fjalën e tij se ato që do të prekin votat do të paguajnë shtrenjtë. Më tej, kreu i PS-së së Tiranës në fjalën e tij paraqiti disa arsye që do i japin suksesin socialistëve në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se opozita do të bëjë të mundur rilindjen e ekonomisë nëpërmjet taksimit progresiv. “Do fitojmë për sipërmarrësit e vegjël që sot paguajnë më shumë taksa sesa biznesmenët e klientelës së oborrit dhe për sipërmarrësit e mëdhenj që sot nuk rriten më e as krijojnë vende pune pikërisht pse qeveria i ka mbytur me taksidarë e gjoba pa fund. Do fitojmë për veteranët dhe pasardhësit, për ish ushtarakët, për burrat e gratë, të rinjtë e të rejat, por dhe për fëmijët e çdo shqiptari që jeton me ndershmëri, përballon vështirësitë e jetës me sakrificë, e që ne kemi detyrë të rilindim mundësi të reja ekonomike dhe punësimi për ta bërë këtë vend të jetueshëm më shumë seç është sot. Të jetueshëm për të gjithë, jo për disa. Nga sot në këto 189 ditë, ne do punojmë me çdo qytetar, kudo qoftë, do bëhemi më shumë, më të fortë e më të mëdhenj. Në 23 qershor në do fitojmë bashkë me shqiptarët”, – u shpreh Tahiri.

Klosi

Ndërsa sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, deklaroi në punimet e asamblesë socialiste së degës së Tiranës se ndikimin kryesor në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme do ta ketë kryeqyteti i vendit. “Aksioni politik “Për një votë më shumë”. Kjo fushatë zgjedhore, po kryhet në një kohë shumë kritike për shqiptarët, ku vitet e qeverisjes së djathtë kanë goditur fort besimin e qytetarëve tek drejtësia e sistemit, tek vota, tek institucionet, tek e ardhmja, ndaj do kontributin e të gjithë socialistëve për t’u dëshmuar se partia jonë është një parti e madhe ëndrrash dhe idealesh. Një parti e gatshme të kontribuojë për një shtet të fortë social, të marrë vendime kurajoze në emër të lirisë, demokracisë, e Shqipërisë evropiane. Një forcë politike e aftë për të kapërcyer vështirësitë, e aftë të ndryshojë për të qenë gjithmonë në avangardë të shoqërisë, e aftë të krijojë dhe të bashkëpunojë. Një forcë politike e bashkuar në luftën për ndryshim, në luftën për të fituar”, – tha Klosi. Nga ana tjetër, deputeti socialist theksoi se fushata politike do të drejtohet nga ajo që ai e quajti “Ushtria e Vullnetarëve të Fitores në Terren”, e cila, sipas tij, së bashku me programin, do të bëjë të qartë se pse duhet votuar PS. “Puna për të arritur çdo votë, çdo votues në terren do jetë arma më e fortë për ta kthyer fitoren tonë nga të sigurt, në të padiskutueshme. Ne u flasim atyre që vuajnë, atyre që shfrytëzohen, atyre që presin, atyre që shpresojnë. Ju flasim atyre që vuajnë pasojat e një qeverie të papërgjegjshme, arrogante e të korruptuar. Ju flasim atyre që meritojnë një fat tjetër nga ky i sotmi. Ne ju propozojmë një rrugë të re, ju propozojmë Rilindjen Shqiptar. Ne do ju propozojmë një Shqipëri krenare mes kombeve të tjera. Ne ju propozojmë një shoqëri që u jep shpresë qytetarëve”, – deklaroi sekretari organizativ në Partinë Socialiste Blendi Klosi.

 

 

Shifrat e PS-së për votën

Sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, bëri të ditur dje në punimet e asamblesë socialiste të degës së Tiranës edhe apatinë e madhe të votuesit që vjen në votime nga televizori. Sipas tij, ajo ishte: “Në Tiranë Edi Ramën 120.000 nga 503.000; në Durrës Vangjush Dakon 33.000 nga 165.000; në Vlorë Shpëtim Gjikën 23.000 nga 102.000; në Fier Baftjar Zeqon 16.000 nga 67.300”, – bëri të ditur Klosi.

 

Asambleja e zgjeruar e Tiranës zgjedh sekretarët

Me propozim të kryetarit të PS-së Tiranë, Sajmir Tahiri, asambleja e zgjeruar e kryeqytetit zgjodhi dje sekretariatin e PS Tiranë. Kështu, Pajtim Bello u zgjodh si sekretar organizativ, Aziz Tahiri si sekretar për pushtetin vendor, Shpëtim Cami si sekretar elektoral, Julinda Dhame si sekretare për rininë dhe Anila Cobani si sekretare për gruan. “Sot do t’ju propozoj që asambleja e zgjeruar e Tiranës të zgjedhë sekretarët e Partisë së Tiranës. Pas konsultimesh të shumta me kolegë, miq dhe strukturat e PS, kemi arritur thuajse njëzëri në krijimin e një sekretariati që do të ndihmojë realizimin e fitores tonë. Strukturë që do përbëhet nga personalitete të nderuara por dhe aktivistë të spikatur”, – tha kreu i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, lidhur me përzgjedhjen e djeshme të sekretariatit të socialistëve të kryeqytetit.

 

Rama: Nuk premtoj se një votë sot garanton një vend pune nesër

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi dje se modeli ekonomik i përzgjedhur nga mazhoranca qeverisëse po rëndon mbi përkeqësimin e ekonomisë së vendit. I ftuar konferencën ndërkombëtare “Shqipëria dhe kriza”, me pjesëmarrje të ekspertëve të ekonomisë vendase dhe të huaj, Rama bëri një pasqyrë të ekonomisë aktuale në vend, duke theksuar se ekonomia e Shqipërisë nuk mund të rimëkëmbet brenda një nate. “Lejomëni t’ju them fillimisht çfarë unë nuk mund të bëj. Unë nuk mund të premtoj se ne do ta shndërrojmë ekonominë brenda natës. Do të na duhet kohë dhe vendosmëri. Unë nuk mund të premtoj se një votë për ne sot, do të garantojë punë për të gjithë nesër. Por mund të premtoj po, që nëse njerëzit do të na marrin ne në punë për të zgjidhur problemin e papunësisë së tyre, do t’i përkushtohemi me të gjitha fuqitë dhe eksperiencën, udhëheqjes së një procesi transformues të qeverisjes për një Rilindje Shqiptare”, – tha Rama. Për kryesocialistin, modeli ekonomik duhet rishikuar në themel përmes një rishikimi serioz për rrugën e tranzicionit që ka ndjekur vendi. Rama pohoi se beson se kriza shqiptare e ekonomisë nuk është vetëm një pasqyrë e krizës që ka prekur mbarë Evropën. “Kriza shqiptare është rënduar edhe më shumë sepse pikërisht kur nisi ky përkim dramatik, qeveria shqiptare zgjodhi dritëshkurtësisht t’i sforcojë mekanizmat e amortizuar të ekonomisë sonë në një përpjekje kokëfortë për të mos e pranuar krizën”, – tha ai. Duke u ndalur tek çështja e borxhit publik, Rama theksoi se,: “Çdo shqiptar, madje edhe çdo foshnjë që do të lindë në vitin e ardhshëm, do të ketë një borxh 3 mijë dollarë në vit, apo tri herë më të lartë se në vitin 2005 dhe çdo familjeje sot i duhet të paguajë 800 mijë lekë në vit vetëm për shërbimin e borxhit, pra më shumë se për konsumin e ujit dhe energjisë marrë së bashku”. Ndërkohë lidhur me marrëdhëniet me Kosovën, kreu i selisë rozë nënvizoi se sistemi i unifikuar arsimor e turistik, bashkimi doganor, strategjia e përbashkët energjetike dhe bujqësore përbëjnë bazën e strategjisë së PS-së për këtë çështje. “Duam të ngrihemi në një stad të ri për ekonominë respektive, në marrëdhëniet me të tjerët, në kuadër të perspektivës evropiane. Për projekte rajonale në infrastrukturë, infrastrukturën hekurudhore dhe portuale, për projektet e bashkëpunimit komunitar në nivelin ekonomik, social dhe kulturor, për një projekt për mbrojtjen me marrëveshje shumëpalëshe të minoriteteve si ura lidhëse dhe jo si ura zjarri mes vendeve të rajonit”, – tha kreu socialist Edi Rama.

 

Buxheti 2013, sot në Kuvend miratimi në tërësi

Buxheti i vitit të ardhshëm pritet të miratohet në tërësi në seancën e posaçme parlamentare të ditës së sotme. Dhjetë ditë më parë projektbuxheti i 2013-ës u miratua në parim, duke i lënë vendin shqyrtimit të mëtejshëm të tij në komisionet kuvendore. Pritet që seanca maratonë të shoqërohet me mjaft debate mes opozitës dhe mazhorancës për shpërndarjen e buxhetit prej 410 miliardë lekësh. Buxheti i vitit 2013 parashikon të ardhura në nivelin e 360.6 miliardë lekëve; rritje ekonomike 4% dhe një fond për pagat sa 5.2% e PPB-së.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency