Zgjedhjet e 2013-ës, Milo: Nuk fitohen me sondazhe dhe skicime kolltukësh

0
149

Gëzim Saliu

“Front dhe frymë” , aleati i PS-së: Koalicion të gjerë përballë mazhorancës


Aleati tradicional i Partisë Socialiste, kreu i PDS-së, Paskal Milo, bën thirre për një angazhim serioz dhe me alternativa të opozitës në kuadër të aspiratës së saj për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë Demokracia-Sociale, Milo theksoi se duke u marrë më sondazhe dhe lënë pas dore organizimin, strategjinë dhe taktikën, suksesi i opozitës në zgjedhjet e 2013-ës do të jetë i vështirë. “Por do te ishte gabim i rëndë e i pafalshëm në rast se opozita mendon se fundi i kësaj qeverisjeje është i sigurt, se duhet pritur në zyra duke bërë sondazhe e duke skicuar kolltukët. Berisha nuk bie lehtë, ka treguar se është i jashtëzakonshëm në hile, në manipulime e në skema abuzive elektorale, se keqpërdor në maksimum pushtetin dhe shtetin për të qëndruar e për të fituar. Ne që ta mundim atë duhet t’u tregojmë e t’i bindim shqiptarët me argumente e fakte se dimë të qeverisim më mirë, se realizojmë ato që premtojmë, se nuk mashtrojmë me shifra, se jemi të përgjegjshëm, se nuk do të përbetohemi për luftë kundër korrupsionit e pastaj të bëjmë të kundërtën, se nuk do të tolerojmë krimin e organizuar dhe atë ordiner e sidomos atë familjar, se do të forcojmë e respektojmë shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve, se do të bëjmë shtet për gjithë shqiptarët e jo për klikën, se do të ndryshojmë me punë e me vepra imazhin e dëmtuar të tij në Evropë e në botë nga politika e vjetër e konfliktit dhe e traumave sociale”, – theksoi Milo. Në këtë kontekst, kreu i PDS-së kërkoi krijimin e një fronti sa më të gjerë opozitar për garën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, duke propozuar edhe sloganin “Front dhe frymë”.

 

Nacionalizmi

Për kreun e PDS-së, deklaratat e fundit nacionaliste të aktorëve politikë në vend nuk i shërbejnë interesave të vendit dhe rajonit. Sipas Milos, Kryeministri i vendit po e shfrytëzon çështjen e nacionalizmit si një kalë beteje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Në këtë situatë krize të prekshme e të dukshme ku edhe premtimet abuzive të Kryeministrit nuk gjejnë më veshë për t’u dëgjuar, partia në pushtet ka zgjedhur si kalë beteje të radhës për të hedhur lumin, nacionalizmin. Zakonisht kjo është streha e fundit e regjimeve e qeverive të falimentuara. Kur kjo Qeveri dhe kryetari i saj muaj më parë në përgatitjet për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë shtuan dozën e retorikës nacionaliste nuk pati reagime dhe as keqkuptime për shkak se në këto raste është edhe e justifikuar deri në një farë mase. Përçartjet rreth rishikimit të historisë apo të figurave historike që Kryeministri i bëri në mënyrë inflacioniste në fund të fundit kishin një kosto kombëtare të brendshme e për më tepër askush nuk u besonte”, – tha Milo. Më tej, ai vazhdoi duke thënë: “Në momente të delikate e të rëndësishme për Kosovën, Sali Berisha del dhe bën të kundërtën e asaj që duhet bërë. Kur ne reaguam duke e paralajmëruar për këto rreziqe, ai vazhdoi të tregonte se ishte i ndërgjegjshme në rrugën e aventurës antikombëtare dhe lëshoi si zakonisht akuza bajate të arsenalit të tij të vjetër. Por ç’do të bëjë pas kritikave dhe paralajmërimeve shumë serioze e zyrtare që i bëri dje ambasadori amerikan Arvizu?!”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency