Rama: U manipulua papunësia, Pollo: Kreu i PS-së ka probleme me aritmetikën

0
160

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi qeverinë dhe INSTAT-in se manipuluan të dhënat e Censusit sa i përket numrit të papunësisë në vend. Në forumin me temë “dialog për të ardhmen” të organizuar në Durrës, kryesocialistit nënvizoi: “Qeveria u fshehu shqiptarëve të vërtetën zyrtare mbi papunësinë. Kryeministri që e ka marrë nën varësi të drejtpërdrejtë INSTAT-in urdhëroi heqjen e këtij kapitulli, sepse Censusi vërtetoi atë që ne themi bazuar mbi llogari të thjeshta për gjendjen e papunësisë. Në Shqipëri ka mbi 1 milion të papunë. Ndërkohë që qeveria ka hequr dorë nga vlerësimet zyrtare të varfërisë që prej vitit 2008. Nuk ka guxim ta vlerësojë varfërinë dhe të shpallë shifra për gjendjen e varfërisë. Që nga 2008 kanë ndodhur disa gjëra që sigurisht shifrat e 2008 i kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore; Është përgjysmuar deri në frenim rritja ekonomike”. Pas këtyre akuzave nuk ka munguar edhe reagimi i ministrit të Informacionit Genc Pollo, i cili deklaroi se papunësia sipas Censusit 2001, një dekadë më parë, u botua tre vjet më vonë, pasi kaq kohë u desh për përpunimin e të dhënave. “Me Censusin 2011, ky përpunim do të marrë dy vjet dhe papunësia do të publikohet në shtator 2013. Zoti Rama mund të kishte komentuar rezultatet e publikuara të Censusit që dëshmojnë zhvillimin dinamik social-ekonomik në Shqipëri. Por duke iu shmangur kësaj e duke insistuar se në vend kemi 1 milion të papunë ose 58.5% e popullsisë aktive, Edi Rama insiston të dëshmojë se ka probleme akute me aritmetikën fillestare pa folur për nocionet bazë të demografisë”, – u shpreh ministri Pollo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency