Qeveria, marrëveshje huaje me IBRD për burimet ujore dhe ujitjen

0
129

 Blendi Hasani

31 milionë euro do të përdoren nga MBUK dhe Ministria e Mjedisit për menaxhimin e burimeve ujore

Marrëveshja e huas që do të nënshkruhet ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) përbën një financim të Bankës Botërore për Projektin e Burimeve Ujore dhe Ujitjes me shumën 31 milionë euro (kundërvlefta në euro e 40 milionë dollarëve). Për këtë projekt do të akordohet dhe një financim me grant nga qeveria suedeze me shumën 5 milionë USD. Kostoja totale e projektit është 45 milionë USD pa përfshirë TVSH dhe kostot lokale, të cilat do të mbulohen nga qeveria shqiptare që mendohet të jetë rreth 9 milionë USD. Ky projekt ka si objektiv kryesor krijimin e kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivelin kombëtar dhe në basenet e lumenjve Drin, Bunë dhe Seman, si dhe të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme performancën e sistemeve të ujitjes në zonën e projektit.

Nëpërmjet këtij projekti synohet të adresohen prioritete të rëndësishme të menaxhimit të integruar të burimeve ujore dhe, në veçanti, të sektorit të ujitjes, si një faktor i domosdoshëm për zhvillimin aktual dhe perspektiv të bujqësisë në vend. Projekti është i ndarë në katër komponente: Rehabilitimi i digave dhe i sistemeve të ujitjes dhe kullimit; mbështetja institucionale për ujitjen dhe kullimin; mbështetja institucionale për menaxhimin e integruar të burimeve ujore; mbështetja për zbatim.

Kredia e Bankës Botërore do të financojë kryesisht investime, ndërkohë shërbimet e konsulencës, përfshirë supervizionin e punimeve, projektimin e detajuar dhe trajnimet do të financohen kryesisht me grant.

Projekti është parashikuar të përfundojë më date 31 maj 2018 dhe do të zbatohet nga ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.

 

 

TABELË

 

Huaja e Bankës Botërore që do të financojë projektin ka termat në vijim:

 

Shuma:                      31 milionë euro

Interesi:                      Bazuar në normën e referencës Libor + marzhin fiks

Maturimi:                   23 vjet, përfshirë 7 vjet pa pagese principali

Tarifa “Front-End”:   0.25% që do të financohet nga fondet e kredisë

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency