Pap-testi, ekzaminimi që “shpëton” gratë nga kanceri i mitrës

0

Në qoftë se rezultati i Pap-testit zbulon një anomali, që nga ndryshimet minimale e deri në ndryshimet e gradës së lartë, atëherë mund t’ju rekomandohet të kryeni një ekzaminim tjetër të quajtur kolposkopi

Loading...

 

Ku test zbulon:

Inflamacionin

Infeksionin

Qelizat jonormale

Qelizat prekancerogjene

 

Pap-testi është një kontroll rutinë i rëndësishëm për shëndetin e gruas, i cili bën të mundur kapjen herët në kohë të kancerit të qafës së mitrës, i cili sot trajtohet me sukses. Pap-testi është emërtuar kështu për nder të dr. George Papanicolaou. Pap-testi është mbledhja dhe vrojtimi mikroskopik i qelizave të marra nga qafa e mitrës.

Kategoritë

Në përgjithësi mosha për të bërë Pap-test fillon nga 21-25 vjeç dhe vazhdon deri në moshën 50-60 vjeç. Gratë mbi 30 vjeç mund të kontrollohen një herë në tre vjet në qoftë se ato kanë pasur tre Pap-teste të mëparshme me rezultat normal. Gratë e moshës 65-70 vjeç që gjatë 10 vjetëve të fundit kanë pasur të paktën tre Pap-teste normale, mund të vendosin duke u konsultuar edhe me mjekun gjinekolog për të mos e bërë më këtë kontroll. Gratë që kanë bërë heqje totale të uterusit dhe qafës së mitrës nuk kanë nevojë ti nënshtrohen këtij testi.

Ekzaminimet

Një Pap-test, së bashku me ekzaminime të tjera (kolposkopi, biopsi etj..), është një pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor rutinë e një gruaje për shkak se ajo mund të zbulojë anomalitë që mund të çojnë në kancer. Shumica e kancereve invazive të qafës së mitrës mund të zbulohen herët nëse gratë bëjnë Pap-testin dhe ekzaminime të tjera rregullisht. Si në shumë lloje të kancerit, kanceri i qafës së mitrës trajtohet me sukses në qoftë se ajo është zbuluar herët.

Zbulimi

Pap-testi është i dobishëm për zbulimin jo vetëm të qelizave kanceroze në qafën e mitrës, por edhe anomali të e tjera të qafës së mitrës dhe vaginale, duke përfshirë dysplasia (qelizat prekancerogjene) dhe inflamacionin.

Periudha

Ky ekzaminim duhet të kryhet kur nuk jeni me perioda, meqenëse gjaku mund të pengojë vlerësimin e rezultatit. Idealja do të ishte dita e 10-14 që nga dita e parë e periodave. Megjithatë edhe nëse keni një sasi minimale hemorragjie, testi përsëri mund të kryhet. Është mirë të evitohet përdorimi i tamponeve vaginale, shpëlarësve vaginalë dhe dushit vaginal për të paktën 24 orë para marrjes së Pap-testit. Në qoftë se keni simptoma të tilla si sekrecione hemorragjike pas kontaktit seksual, dhe nuk keni kryer asnjë Pap-test, duhet të planifikoni një Pap-test sa më parë t’ju krijohet mundësia. HPV dhe kanceri cervikal. Kanceri cervikal gati gjithmonë është i lidhur me HPV (virusi papilomatoz human), i cili transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual. Infeksioni me HPV është kaq i përhapur në ditët e sotme, saqë mund të quhet pjesë normale e aktivitetit seksual. Por megjithatë, shumica e grave që mbartin HPV-në, nuk do të zhvillojnë kancer cervical gjatë jetës së tyre. Kjo ndodh, pasi në shumicën e rasteve, HPV vetëpastrohet nga organizmi. Kjo mund të kërkojë 1 deri në 2 vjet, dhe nuk kërkon trajtim. Në rastet e tjera, virusi mund të persistojë në qelizat cervikale duke shkaktuar dëmtime qelizore. Në qoftë se këto ndryshime nuk zbulohen në kohën e duhur ose lihen pa u trajtuar, rreziku për zhvillimin e kancerit të kolumit rritet.

Rezultatet normale

Në qoftë se në Pap-test zbulohen vetëm qeliza normale, përgjigjja do të jetë: “Qeliza brenda kufirit normal”, dhe rezultati do të quhet negativ. Pap-testi juaj i ardhshëm do të jetë pas 1 apo 2 vjetësh, sipas rastit.

Rezultatet anormale

Në qoftë se në Pap-test zbulohen qeliza anormale, rezultati do të quhet pozitiv. Megjithëse kanceri i kolumit është gjëja e parë që mund t’ju shkojë në mendje, në shumicën e rasteve, një Pap-test anormal tregon një problem minor të kolumit, që mund ose mund të mos kërkojë fare trajtim, por vetëm kontrolle më të shpeshta (kjo varet nga tipi i qelizave të zbuluara në Pap-test). Në qoftë se rezultati i Pap-testit zbulon një anomali, që nga ndryshimet minimale e deri në ndryshimet e gradës së lartë, atëherë mund t’ju rekomandohet të kryeni një ekzaminim tjetër të quajtur kolposkopi. Kolposkopi është një instrument që zmadhon qelizat e kolumit, duke na dhënë një pamje të drejtpërdrejtë të përhapjes dhe natyrës së kësaj anomalie.

 

Loading...