“Mein Kampf” dhe deformimi i gjeopolitikës së Haushoferit

0
356

Prof. dr. Pajtim Ribaj

Albert Hitoaliaj

 

Karl Haushofer (1869-1946) është një nga figurat themelore historike të gjeopolitikës. Ai shërbeu si drejtues ushtarak gjerman gjatë LIB dhe shkroi libra e artikuj të ndryshëm, përfshirë këtu “Gjeopolitika e Oqeanit Paqësor perëndimor” (1925), “Politika botërore sot” (1934) dhe “Japonia ndërton perandorinë e vet” (1941). Haosuhofer drejtonte edhe botimin e revistës “Zeitschrift für Geopolitik” (1924–1944). Ai shërbeu si profesor në Universitein e Mynihut (1921-1939) dhe ishte presidenti i Akademisë Gjermane (1934-1937) i cili ishte institucioni kryesor për kërkime shkencore dhe për promovimin e kulturës gjermane. Haushofer kishte vetëm kontakte sporadike me Adolf Hitlerin (1889-1945), por ishte një mik i ngushtë i Rudolf Hess (1894-1945), gjë që lejoi teoritë e tij gjeopolitike që të fitonin influencë të rëndësishme në qarqet politikë-bërës naziste. Ideologjia gjeopolitike e Haushofer kishte prirje të qarta imperialiste qysh prej 1920, pasi synonte për Gjermaninë rritje territoriale. Ai besonte se kishte një bllok kontinental euraziatik, që zgjatej nga Gjermania nëpërmjet Rusisë deri në Japoni, se Japonia dhe Gjermania do të mundnin dikur, që të ndërtonin një politikë të jashtme me orientim fuqie tokësore, kundër fuqive detare të tilla si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar dhe ai solli prova se përse duhej ndërtuar kjo aleancë në vitin 1940. Duke qenë se kishte shpenzuar kohë duke jetuar në Japoni, ndërmjet viteve 1908-1910, Haushofer admironte gjithashtu atë vend dhe politikanët e tij. Ai filloi gjithnjë e më shumë që të shihte fuqinë detare si një element të rëndësishëm në gjeopolitikën e tij dhe mendimi e shkrimet e tij do ta ndanin tokën në tre rajone veri-jug me një qendër dhe periferi dhe mjedise të Arktikut, të buta e tropikale. Këto rajone, të cilët kishin potencialin për pavarësi ekonomike, ishin:

– Pan-Amerika, me SHBA si qendër

– Eurafrika, me Gjermaninë si qendër

– Azia Lindore, me Japoninë si qendër dhe Australia si periferi

Haushofer nuk ndërtoi kurrë një koncept teorik gjeopolitik, që të fitonte fleksibilitet intelektual e politik. Ai dhe kolegët e tij të revistës “Zeitschrift für Geopolitik”, bashkë me Grupin e Studimit të Gjeopolitikës, të krijuar në vitin 1932, synuan të tërhiqnin vëmendjen popullore ndaj gjeopolitikës, duke shërbyer si mekanizëm propagandues i politikës së jashtme dhe duke edukuar publikun e gjerë me atë që u dukej mendimi i drejtë politik, me qëllim që të korrigjoheshin pikëshikimet politike jokorrekte, të cilat sipas asaj që ata besonin, sollën humbjen e Gjermanisë në LIB. Ai ishte i përfshirë në përgatitjen anti-Komintern të vitit 1936, ndërmjet Gjermanisë dhe Japonisë dhe humbi shumë nga influenca e tij politike te nazistët, kur Hess fluturoi (dezertoi) në vitin 1941 për në Skoci. Pas LIIB Haushofer u mor në pyetje nga “U.S. Office of Chief of Counsel”, në lidhje me aktivitetin dhe shkrimet e tij, por nuk u akuzua në Gjyqin Ushtarak në Nuremberg dhe u la i lirë. Ai dhe bashkëshortja e tij kryen vetëvrasje në 10 mars 1946 dhe njihet si një prej atyre që ishin përgjegjës për promovimin e bazave intelektuale të ideologjisë dhe politikës naziste, duke e përgatitur Gjermaninë për LIIB. Nëpërmjet studentit të tij Rudolf Hess, idetë e Haushofer mund të kenë ndikuar zhvillimin e strategjive ekspansioniste të Adolf Hitlerit, edhe pse vetë Haushofer e ka mohuar influencën e drejtpërdrejtë te regjimi nazist.

 

Koncepti gjeopolitik

Haushofer e zhvilloi gjeopolitikën nga burime të shumta e të ndryshme, përfshirë punimet e Humboldt, Ritter, Ratzel, Kjellen dhe Mackinder. Gjeopolitika kontribuoi te politika e jashtme e nazistëve kryesisht në strategji dhe te justifikimi për lebensraum. Teoritë kontribuuan me pesë ide për politikën e Jashtme gjermane në periudhën mes dy luftërave:

– Shteti organik

– Lebensraum

– Autarkia

– Panrajonet

– Ndarja Fuqi tokësore / Fuqi detare

Gjeostrategjia si një shkencë politike është si përshkruese edhe analitike, ashtu si gjeografia politike, por shton një element normativ në recetën strategjike për politikën kombëtare. Teksa disa prej ideve të Haushofer u bënë bazë për gjeostrategët amerikanë e britanikë, gjeopolitika gjermane adoptoi një pamje esenciale në lidhje me interesin kombëtar, duke i mbi-thjeshtësuar çështjet dhe duke prezantuar vetveten si një “panacea”. Pozicioni i Haushofer në Universitetin e Munihut shërbeu si një platformë për shpërndarjen e ideve të tija gjeopolitike, artikujve në revistë dhe librave. Në vitin 1922, ai themeloi Institutin e Gjeopolitikës në Munih, nëpërmjet të cilit ai shpërndau idetë e tij gjeopolitike. Në vitin 1924 si drejtues i shkollës gjermane të gjeopolitikës, Haushofer do të krijonte “Zeitschrift für Geopolitik”, një revistë mujore dedikuar gjeopolitikës. Idetë e tij do të fitonin një audiencë të madhe në vitin 1926 me publikimin e “Volk Ohne Raum”, nga Hans Grimm, duke e bërë popullor konceptin e tij mbi Labesraum. Haoushofer ushtroi influencë si nëpërmjet mësimeve të tij akademike – duke i shtyrë studentët e tij që të mendonin në terma kontinentalë dhe duke theksuar veprimin në marrëdhënie ndërkombëtare – edhe nëpërmjet aktiviteteve të tija politike. Ndërsa fjalimet e Hitlerit do të tërhiqnin masat, punimet e Haushofer shërbyen për të sjellë intelektualët që mbeteshin jashtë, brenda tufës. Gjeopolitika ishte në thelb një konsolidim dhe kodifikim i ideve akoma më të vjetra, duke u dhënë atyre një shpjegim shkencor:

-Lebesraum, ishte një imperializëm kolonial i rishikuar.

-Autarkia ishte një shprehi e re për “gjobën” e proteksionizmit.

-Kontrolli strategjik i territoreve kyç gjeografikë, shfaqej njëlloj si skicat e mëparshme për kalin e Suezit dhe të Panamasë, d.m.th një pikëpamje për kontrollin e tokës në mënyrë të njëjtë si kontrollohej deti në këto pika kalimi.

– Pan-rajonet (Panideen) bazoheshin te Perandoria Britanike, Doktrina amerikane Monro, Bashkimi Pan-Amerikan dhe mbrojtja hemisferike, me anë të së cilës bota ishte ndarë me sfera influence.

– Kufijtë: Pikëpamja e tij mbi barrierat ndërmjet njerëzve nuk ishte politike (p.sh kufijtë), as nga vendndodhja natyrale e racave apo etnive, por ishte lëvizshmëria dhe përcaktimi i saj nga vullneti i lirë apo nevoja e grupeve racore e etnike. Orientimi kryesor në të gjitha këto ishte se fokusi qëndronte perandorinë tokësore në vend që të ishte te imperializmi detar. Në pamje, e bazuar te teoritë gjeografike të admiralit amerikan Alfred Thayer Mahan dhe të gjeografit britanik Halford J. Mackinder, gjeopolitika gjermane shton ide të vjetra gjermane. Parashtruar më forcë nga Friedrich Ratzel dhe studenti i tij suedez Rudolf Kjellén, ata përfshinë një koncept organik të antropomorfizuar të shtetit. Rrënja e gjeopolitikës unike gjermane qëndron te shkrimet e Karl Ritter i cili zhvilloi për herë të parë konceptimin e shtetit organik, që më vonë do të zhvillohej më tepër nga Ratzel dhe do të pranohej nga Haushofer. Ai justifikoi lebensraum, madje edhe pse në dëm të ekzistencës së kombeve të tjera, pasi pushtimi ishte një nevojë biologjike për rritjen e shtetit. Shkrimet e Ratzel përkonin me rritjen e industrializimit gjerman pas luftës franko-prusiane dhe kërkimit pasues për tregje që e çoi atë në një konkurrencë me Britaninë. Shkrimet e tij shërbyen si një justifikim mirëseardhje për ekspansionin imperial. I influencuar nga Mahan, Ratzel shkroi mbi aspirimin e fuqizimit të marinës gjermane, duke rënë dakord se fuqia detare ishte vetë-plotësuese, pasi përfitimi nga tregtia do të paguante për marinën tregtare, në kundërshtim nga fuqia tokësore. Haushofer ishte i njohur për Ratzel, i cili ishte mik i babait të Haushofer, një mësues i gjeografisë ekonomike dhe do të ndërthurte idetë e Ratzel në ndarjen ndërmjet fuqisë detare e fuqisë tokësore, duke thënë se vetëm një vend me të dyja këto, do të mund të kapërcente këtë konflikt. Gjeopolitika e Haushofer shtrihet mbi mendimin e Ratzel e të Kjellén. Megjithëse të vendosura vonë në shërbim të një drejtuesi, dy përfytyrimet e gjeopolitikës si shtet, si një organizëm në hapësirë, shkolla e Munihut e Haushoferit, e studionte veçanërisht gjeografinë si të lidhur me luftën dhe me skicimin e perandorisë. Rregullat e zhvillimit të gjeopolitikanëve të tjerë ishin shndërruar kështu në doktrina normative dinamike në veprim për lebensraum dhe fuqi botërore. Haushoferi e përcaktoi gjeopolitikën në vitin 1935 si “detyra për të mbrojtur të drejtën mbi territorin, mbi trojet në kuptimin më të gjerë, jo vetëm territori brenda kufijve të Rajhut, por e drejta për një Volk (popullsi) dhe territore kulturore më të zgjeruara.” Kultura në vetvete shihej si elementi më i favorshëm në ekspansionin e veçantë dinamik. Ajo ishte një udhërrëfyese për ekspansion në zonat më të mira dhe mund ta bënte ekspansionin në mënyrë të sigurt, ndërsa projektimi i fuqisë ushtarake apo tregtare nuk mund ta bënin kështu. Haushofer mbron madje idenë se urbanizimi ishte një simptomë e dobësimit të një kombi, duke vënë në pah zvogëlimin e kontrollit mbi territor, lindshmërinë dhe efikasitetin e rregullave të centralizuara.

Për Haushofer, ekzistenca e një shteti varej nga hapësira jetike, kërkimi i secilës duhet të shërbente si baza e të gjithë politikave. Gjermania kishte një densitet të lartë popullsie, ndërsa fuqitë e vjetra koloniale kishin një dendësi shumë më të vogël – një mandat virtual ky për ekspansionin gjerman në zonat e pasura me burime. Hapësira shihej si një mbrojtje ushtarake kundër sulmeve fillestare me rreze të gjatë veprimi prej fqinjëve armiqësor. Një zonë territoresh tampon apo shtetesh të parëndësishme do të shërbente si mbrojtje për Gjermaninë. Lidhur ngushtë me këtë nevojë, dilte edhe pohimi i Haushofer se ekzistenca e shteteve të vogla ishte evidencë e regresit politik dhe çrregullsisë në marrëdhënie ndërkombëtare. Shtetet vogla që rrethonin Gjermaninë duhet të viheshin nën rendin jetik të Gjermanisë.

Këto shtete shikoheshin si shumë të vogla për të pasur autonomi praktike, edhe sikur të kishin zotërime të gjera koloniale dhe do të ishin të mbrojtura e të organizuara më mirë me Gjermaninë. Në Europë, si mbështetje të pohimeve të tija, ai shikonte Belgjikën, Holandën, Portugalinë, Danimarkën, Zvicrën, Greqinë dhe ‘aleancën e gjymtuar’ të Austro-Hungarisë. Versioni autarkik i Haushofer ishte i bazuar në një ide thuajse maltusiane, se toka do të mbi-popullohej e nuk do të ishte në gjendje të prodhonte ushqim për të gjithë. Nuk do të kishte rritje thelbësore për sa i përket prodhimit. Haushofer dhe shkolla gjeopolitike e Munihut do të shpërndanin konceptin e tyre të ‘Lebesraum’ dhe despotizmit, pas kufijve të 1914 dhe kërkesës gjermane “për një vend nën diell” në Rendin e Ri Europian, pastaj në Rendin e Ri Afro-Europian dhe aktualisht në Rendin Euraziatik. Ky koncept u bë i njohur si pan-rajonet dhe u mor nga doktrina amerikane Monroe dhe ideja e vetëplotësimit kombëtar kontinental. Ky ishte një shikim mbi të ardhmen e rimodelimit të drejtimit të kolonive, diçka që gjeopolitikanët nuk e shihnin si një nevojë ekonomike, por më shumë si një çështje prestigji dhe vendosje presioni mbi fuqitë e vjetra koloniale. Forca kryesore motivuese nuk do të ishte ekonomike, por shpirtërore dhe kulturore.

Haushoferi ishte ajo që sot mund të quhej një ithtar i ‘Eurazianizmit’, i cili mbronte një politikë për një aleancë të hegjemonisë ruso-gjermane, me qëllim që të mënjanohej struktura e fuqisë anglo-amerikane që ndikonte fuqimisht në Europë. Përtej të qenit një ekonomik koncept, pan-rajonet ishin po ashtu edhe një koncept strategjik. Haushofer ishte në dijeni të konceptit të “Heartland”, zhvilluar nga gjeopolitikani britanik Halford Mackinder. Nëse Gjermania do të kontrollonte Europën Lindore dhe më pas territorin rus, ajo do të kontrollonte një rajon strategjik, te i cili do të refuzoheshin fuqitë detare. Duke u vënë në aleancë me Italinë dhe me Japoninë, do të mund të rritej më tej kontrolli strategjik gjerman i Eurazisë, më këto shtete që do të bëheshin krahët detarë që do të mbronin pozicionin ishullor të Gjermanisë.

 

Marrëdhëniet dhe ndikimet te nazistët

Provat tregojnë se nuk kishte një lidhje ndërmjet gjeopolitikanëve dhe drejtuesve nazistë, edhe pse qëllimet praktike taktike ishin thuajse të padallueshme. Sekretari i Hitlerit, Rudolf Hess, i cili do të asistonte në shkrimin e “Mein Kampf”, ishte një student i afërt i Haushofer. Kur Hess dhe Hitleri u burgosën në vitin 1924 pas puçit të Munihut, Haushofer kaloi gjashtë orë duke i vizituar ata të dy, duke u sjellë vetëm nga një kopje të “Gjeografisë politike” të Friedrich Ratzel dhe “Mbi luftën” të Clausevitz. Pas LIIB, Haushofer do të mohojë se ai i kishte mësuar Hitlerin dhe pohoi se Partia Nacional Socialiste i zvetënoi studimet gjeopolitike të Hess. Ai e shikonte Hitlerin si një njeri gjysmë të edukuar i cili nuk kuptoi kurrë në mënyrë korrekte parimet e gjeopolitikës, të përçuara te ai nëpërmjet Hess dhe ministrit të Jashtëm Joachim von Ribbentrop, ky i fundit si shtrembëruesi kryesor i gjeopolitikës në mendjen e Hitlerit. Edhe pse Haushofer e shoqëroi Hess në misione të shumta propagande dhe mori pjesë në konsultimet ndërmjet drejtuesve japonezë dhe nazistë, ai ka deklaruar se Hitleri dhe nazistët zhvilluan vetëm ide gjysmake dhe parulla. Për më tepër, partia e qeveria naziste nuk kishin ndonjë organ zyrtar që të ishte perceptues për gjeopolitikën, gjë që çoi në adoptimin e pjesshëm dhe interpretimin e varfër të teorive të Haushofer. Së fundi, Hess dhe Konstantin von Neurath, ministri i Jashtëm nazist, ishin të vetmit zyrtarë që Haushofer do të pranonte se kishin aftësi të kuptonin gjeopolitikën. At Edmund A. Walsh S.J., profesori i gjeopolitikës dhe dekan në Georgetown University, i cili intervistoi Haushofer pas fitores së aleatëve, teksa përgatitej për gjyqin e Nurembergut, nuk u pajtua me vlerësimin e Haushofer se gjeopolitika ishte deformuar tmerrësisht nga Hitleri e nazistët.

Ai citon fjalimet e Hitlerit i cili deklaron se shtetet e vogla nuk kanë të drejtë të ekzistojnë dhe përdorimin prej nazistëve të argumenteve hartografike e gjuhësore të Haushofer. Edhe nëse do të ishte e deformuar, At Walsh mendon se ishte e mjaftueshme për të implikuar gjeopolitikën e Haushofer. Haushofer mohoi gjithashtu, të kishte asistuar Hitlerin për librin e tij “Mein Kampf”, duke thënë se ai e mori vesh për librin vetëm kur ky ishte botuar dhe se nuk e kishte lexuar kurrë atë. Por sipas gjeopolitikanit Walsh, edhe pse Haushofer nuk asistoi drejtpërdrejt te Hitleri, elementë dukshëm të rinj, shfaqen në “Mein Kampf”, krahasuar me fjalimet e mëparshme të Hitlerit. Idetë gjeopolitike të Lebensraum, hapësira për thellësinë e mbrojtjes, thirrja për kufijtë natyralë, ekuilibri i fuqisë detare e tokësore dhe analiza gjeografike strategjisë ushtarake, kishin hyrë në mendimet e Hitlerit ndërmjet periudhës së burgosjes dhe publikimit të librit “Mein Kampf”.

Haushofer nuk u bë asnjëherë anëtar i partisë naziste dhe mosmarrëveshjet e tij me këtë parti, çuan në burgosjen e tij të shkurtër. Ai e vinte theksin gjithmonë te ndikimi i hapësirës mbi racën, duke besuar determinizmin natyror në vend të determinizmit racor. Ai refuzonte që të bashkohej me politikat anti-semite, sidomos edhe sepse e shoqja e tij ishte gjysmë-çifute. Këtë e mbrojti Hess nëpërmjet influencës që kishte. Djali i Haushofer, Albrecht, u përzje në komplotin e 20 korrikut që synonte vrasjen e Hitlerit dhe si pasojë u ekzekutua nga Gestapo.

 

Arkivat amerikane dhe dëshmia e Haushofer

Sipas dokumenteve amerikane, jepen detaje nga dëshmia e Haushoferit pas LIIB, për forcat fitimtare. Nga këto të dhëna del qartë se vizioni gjeopolitik i Haushofer nuk u ndoq nga Hitleri dhe se gjeopolitika e Haushoferit nuk kishte lidhje me ideologjinë naziste, përderisa synonte ekuilibra dhe zgjidhje paqësore (relativisht). Detajet në vijim, prej arkivave amerikane, pohojnë këtë gjë: “Karakterizimi i Hess – Profesor Karl Haoushofer ishte një pedagog gjeopolitike, jo pjesëtar i ndonjë organizate naziste. Ai kishte një marrëdhënie shumë të njohur me Hess. Ai kishte lidhje të ngushtë me të që nga koha kur Hess ishte një student i tij deri sa ai fluturoi drejt Anglisë. Ai e përshkruan atë si në vijim: Ana e tij e fortë nuk ishte inteligjenca, por zemra dhe karakteri. Ai kishte një besnikëri të verbër ndaj Hitlerit dhe Hitleri diskutonte me të çështje mbi filozofinë, të tilla si gjeopolitika. Hess ishte shumë i arsimuar në fushën e gjeopolitikës, se sa ç’ishte Hitleri. Haushofer mendon se idetë e Hitlerit mbi “Lebensraum” u morën prej Hess, por se Hitleri nuk i kuptoi ato kurrë në të vërtetë. Për aq sa dihet nga dëshmitarët, Hess diktoi shumë prej kapitujve të librit “Main Kampf”. Në parimet kryesore, ai deklaron, se idetë e Hitlerit nuk reflektuan kurrë mësimet e tij. Ai mendon se Ribentrop e frymëzoi Hitlerin mbi gjeopolitikën, më shumë së ç’bëri Hess.

Si president i Akademisë Gjermane – Dëshmitari shpjegon diferencën e opinioneve e mësimeve të tija kundrejt atyre të Hitlerit dhe përmbajtjes së librit “Mein Kampf”. Lidhjet e dëshmitarit me Bohle ishin shumë jomiqësore. Dëshmitari ishte president i Akademisë Gjermane dhe ai deklaron se kjo organizatë, për aq kohë sa ai ishte president, nga viti 1934 në vitin 1937, nuk bënte pjesë në makinën e propagandës dhe nuk kishte lidhje me Komandën e Lartë Gjermane. Dëshmitari jep një pamje të detajuar të aktiviteteve të Akademisë. Ai nuk ka njohuri të sakta për armatimin sekret. Ai shpresonte gjithashtu për një zgjidhje paqësore. Ai mendonte se do të kishte “Lebensraum” (hapësirë jetike) të mjaftueshme për 100 vjet për gjermanët, nëse nazistët do të ishin kënaqur me atë që iu dha atyre në Munih.”

Që nga shtatori i vitit 1945, Haushofer u mor edhe në pyetje jozyrtare me qëllim që të vendosej nëse do të gjykohej në Nuremberg për krime lufte. U deklarua se ai nuk kishte kryer krime lufte. Në natën ndërmjet datave 10 e 11 mars 1946, ai dhe e shoqja kryen vetëvrasje. Ky ishte fundi i një prej mendimtarëve me ndikues në gjeopolitikë dhe në praktikën e saj. Por ky nuk ishte fundi i mendimeve të tija gjeopolitike. Ato i rezistuan kohës dhe qëndruan më lart se sa ideologjia.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency