Zbardhet kostoja 5 milionë euro për teknologjinë në zgjedhje, 3 milionë vetëm Tirana

0
144

Të premten hidhet shorti, 6 kompani marrin pjesë në tender, dy shqiptare dhe katër të huaja

Përdorimi i teknologjive të reja në zgjedhjet e 23 qershorit për Qarkun e Tiranës dhe të Fierit pritet të kapin shifrën e rreth 5 milionë eurove. Edhe pse kjo shifër nuk është vendosur në mënyrë përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shifrat u diskutuan në mbledhjen e djeshme të komisionit, gjatë së cilës u fol edhe për përcaktimin e kostove të pajisjeve të reja që do të përdoren në këto dy qarqe. Koston më të madhe të zgjedhjeve pritet ta ketë kryeqyteti, me rreth 2.979.183 euro. Ashtu siç është rënë dakord më parë, numërimi elektronik do të bëhet në Qarkun e Fierit dhe identifikimi i zgjedhësve në kryhet në Qarkun e Tiranës. Shtatë anëtarët e KQZ-së vendosën që ditën e premte të hapet gara për tenderin e këtij shërbimi dhe nga mesi i muajit shkurt, pritet të lidhet kontrata, në tentativën për të reduktuar këtë shifër.

Pas prezantimit të projektit nga eksperti Petrit Gjokutaj, si dhe dhënies së mendimeve nga përfaqësuesit e AKSHE-së dhe të Ministrisë së Brendshme, 7 anëtarët e KQZ-së e cilësuan si tepër të lartë shifrën e përllogaritur, pasi zgjedhjet në shkallë kombëtare kushtojnë 6 milionë euro. Një tjetër shqetësim ka qenë koha e shkurtër për realizimin e tenderit, pasi rrezikohen të shkelen afatet ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi kërkoi nga anëtarët dhe ekspertët e fushës që komisioni të dalë me një shifër sa më të përafërt dhe më pas ti dorgohet qeverisë për ta miratuar. “Në lidhje me vlerën, qeveria ka deklaruar se do ta përballojë çfarë do kostoje të ketë, por kjo nuk do të thotë që ne të vëmë kosto që për ne duket absurde. Ne duhet të vëmë një vlerë reale, me pas atë do ta përballojë qeveria”, tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për sa u përket mënyrave të tenderimit, palët diskutuan nëse do të jetë e hapur apo me procedurë të negociuar. Por tenderi i hapur, për shkak të afateve kohore, sipas specialistëve duket se rrezikon mosvënien në jetë të teknologjisë së re. Nga anëtarët e KQZ-së u hodh ideja e aplikimit të mënyrës së dytë të tenderimit. Ndërkohë, mospasja e një shifre të saktë për këto dy teknologji, ka hedhur dyshim për disa nga anëtarët e KQZ-së të cilët kërkuan shifra sa më të sakta. Gjithashtu ky institucion synon të realizojë me një kosto më të ulët zbatimin e dy teknologjive të reja. Gjatë diskutimeve në të djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, numërimi elektronik në Qarkun e Fierit, zuri dhe pjesën kryesore të debatit. Disa nga kompanitë që ofrojnë këtë shërbim kanë kërkuar të prodhojnë fletët e votimit, pasi jo çdo lloj formati mund të lexohet. Përfaqësuesja e Ministrisë së Brendshme, Harizaj, i mëshoi më tepër idesë që kompanitë të jenë të licencuara dhe të kenë patentën ISO 27001 si certifikim. Por, në botë janë vetëm 70 kompani që ofrojnë një shërbim të tillë. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, parashtroi se nëse procedurat e tenderimit nuk marrin udhë brenda muajit dhjetor, atëherë dy projektet teknologjike rrezikojnë dështimin. Projekti për identifikimin e zgjedhësve në mënyrë elektronike në Tiranë duket se zë edhe koston më të madhe dhe kjo pasi duhet të blihen pajisje për 1200 aparatura të posaçme. Sipas raportit të përgatitur nga specialistët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 200 mijë euro pritet të shkojnë për personelin, duke përfshirë edhe trajnimet.

 

Të dhëna për kostot e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje për Tiranën dhe Fierin

56 mijë euro bën një softi për aplikimin dhe tabelat

Fier, 3 skanerë me rreth 40 mijë euro secili

Për qarkun e Fierit janë rezervuar 8 server

Rreth 200 mijë euro kosto për personelin, përfshirë dhe trajnimet

Qarku i Tiranës do të ketë 1200 qendra votimi.

Specialistët njoftojnë se ka qendra votimi edhe me 1500 votues

Kostoja në total e parashikuar për Tiranën shkon rreth 2.979.183 euro

Rreth 50 mijë euro janë parashikuar për katër serverë në Tiranë

6 kompani marrin pjesë në tenderë, dy vendase dhe katër të huaja

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency