Ulja e mortalitetit foshnjor dhe amtar Berisha: Tregues thelbësorë të zhvillimit të vendit

0
129

Ina Jano

Në 70-vjetorin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Kryeministri përshëndeti gjithë punën e personelit që punojnë në këtë institucion

Ulja e vdekshmërisë foshnjore dhe ajo amtare janë dy nga treguesit më të rëndësishëm që tregojnë zhvillimin e një vendi. Kështu u shpreh dje Kryeministri Berisha i cili në përvjetorin e 70-të të spitalit Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, nënvizoi faktin se këto janë dy nga të dhënat më kryesorë që tregojnë se vendi ynë ka arritur një stad të lartë zhvillimi. Duke bërë një paralelizëm mes punës së punonjësve me emrin e maternitetit, kreu i mazhorancës tha sei gjithë stafi qëndron si një “mbretëreshë” në të gjithë sistemin tonë shëndetësor. “Në këtë 70-vjetor ju, mjekët, infermierët, mamitë, vini krenarë, ashtu siç keni emrin, “Mbretëreshë” e sistemit tonë shëndetësor. Ju vini si “Mbretëreshë” e sistemit tonë shëndetësor, sepse ju keni një kontribut thelbësor në arritjen e disa prej treguesve më të ndjeshëm, më të rëndësishëm, më themelor për çdo vend. Ju keni kontributin tuaj në shpëtimin e jetës së nënave që lindin. Ju, së bashku me përpjekjen e madhe të sistemit tonë shëndetësor në tërësi, keni bërë që sot të kemi mortalitetin amtar ndër më të ulëtit në botë. Sot ai luhatet midis 0 dhe 8, vitin e kaluar ishte 5.7 për njëqind mijë lindje, rreth 5-6 herë më i ulët se në disa ndër vendet më të zhvilluara. Ky është një sukses i madh. Pak vite më parë mortaliteti amtar ishte disa herë më i lartë, ka qenë rreth 7-8 herë më i lartë. Në punën dhe përkushtimin tuaj qëndron një kontribut tjetër, po kaq madhor dhe po kaq i rëndësishëm, ulja në një shifrore e vdekshmërisë foshnjore. Natyrisht, të dy këta tregues janë kompleks, ndikohen nga një seri faktorësh social, ekonomik, etj., por pa punën tuaj, pa përsosjen e saj, pa përkushtimin tuaj, Shqipëria nuk do të mund të arrinte në këto rezultate të shumëpritura. Unë, në procesin e zhvillimit të këtij vendi, nuk konsideroj tregues më të rëndësishëm sesa këta të dy. Kështu që ju, në sektorin tuaj, e keni vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara dhe më të zhvilluara, keni bërë një nder shumë të madh”, – vlerësoi Kryeministri. Gjithashtu ai deklaroi se duhen kujtuar gjithnjë të gjithë mjekët të cilët më pasion dhe përkushtim kanë punuar në këtë institucion që në themelet e saj, për ta ngritur deri në nivelin që është ditët e sotme. Berisha përmendin emrin e doktor Ilir Gjylbegut, Koço Glozhenit, të cilët sipas udhëheqësit të mazhorancës jo vetëm drejtuan këtu një institucion shumë serioz, por formuan një grup të gjerë obstetër-gjinekologësh dhe e shtrinë këtë shërbim në mbarë Shqipërinë, duke u përkujdesur shumë për cilësinë e tij. Duke u ndalur në ndihmën e dhënë nga vendet e tjera, kreu i ekzekutivit tha se ndihma të mëdha të miqve tanë, ndihma e qeverisë amerikane për këtë maternitet, ndihma dhe donacione të tjera bënë që ky të ishte institucioni i parë që të merrte kthesën dhe kjo kishte një rëndësi shumë të madhe, sepse edhe vetë karakteri i punës, delikatesa e saj, përbënte një emergjencë. “Mbi të gjitha ka qenë përkushtimi juaj, puna juaj, dashuria juaj për profesionin fisnik. Ju këtu ndani çdo orë gëzimin me qindra e mijëra familje dhe, në një farë aspekti, në qoftë se gëzimi do të kishte një tempull, ai do të ishte materniteti. Sepse këtu çiftet, nënat, baballarët provojnë gëzime të pa ndjera kurrë më parë”,-vlerësoi Kryeministri gjatë fjalës së tij përshëndetëse. Në ceremoninë e festimit të 70-vjetorit të këtij spitali në shërbim të nënës e fëmijës ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë zoti Vangjel Tavo, drejtori i USAID-it për Shqipërinë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, si dhe mjekë, infermiere e mami të kësaj qendre. Zoti Berisha dhe doktor Halim Kosova zbuluan pllakatin e auditorit, i cili që sot do të mbajë emrin “Jani Basho”, në nderim të drejtorit të parë të këtij spitali, si dhe të një ndër emrave më të vjetër të mjekësisë shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency