Konferenca Mbyllet gara, Broci dhe Haxhialushi, anëtarët e rinj të KLD-së

0
153

Sonja Caka

Zgjedhjet me ligjin e ri, të pranishëm gjyqtarët e gjithë vendit, të të tria shkallëve të gjyqësorit

 

Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi janë dy anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E thirrur nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Konferenca e Gjyqtarëve votoi për dy anëtarët e rinj, për një mandat 5-vjeçar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Broci i zgjedhur me votim direkt dhe fitues me 201 vota, ndërsa Haxhialushi u zgjodh pas balotazhit me kolegen e tij Zegjine Sollaku, duke fituar me 182 vota. Në konferencë kanë qenë të pranishëm të gjithë gjyqtarët e tri shkallëve të gjyqësorit në vend, ndërsa anëtarët e rinj të KLD-së u zgjodhën në bazë të ligjit të ri të Konferencës Kombëtare Gjyqësore. Konferenca ishte dy-ditore, ndërsa në ditën e parë u zgjodhën komisionet dhe në ditën e dytë vetëm votimi për dy vendet vakante, pas përfundimit të mandatit nga Dhurata Hveri dhe Shkëlqim Miri. Për këto vende vakante u regjistruan dhe shpallën kandidaturën shtatë gjyqtarë, 5 nga gjykata e Apelit të Tiranës dhe 2 nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Votimi

Pas një gare të fortë mes shtatë kandidatëve, pesë prej të cilave nga e njëjta gjykatë, gjyqtari Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi janë shpallur fitues për dy vendet vakante në KLD. Gjyqtari Artan Broci u angazhua përpara gjyqtarëve të Republikës se puna e tij do të orientohet nga direktiva e Presidentit, për të rritur besimin e gjyqtarëve tek KLD-ja. “Ishte një emocion i veçantë të kandidosh përpara të gjithë gjyqtarëve të Republikës. Angazhohem solemnisht përpara gjithë trupës gjyqësore për të ruajtur vlerat që kam ruajtur gjatë gjithë karrierës sime. Orientimi dhe direktiva e presidentit për të rritur besimin e gjyqtareve tek KLD është sfidë”, – u shpreh Broci. Ndërsa i zgjedhuri tjetër, pas balotazhit me gjyqtaren Zegjine Sollaku, Astrit Haxhialushi theksoi se do të kontribuojë që drejtësia shqiptare të ecë përpara. “Është një vlerësim që bëhet ndaj personit tim dhe punës që bëj prej vitesh. Mendoj se përfaqësimi i interesave të gjyqtarëve në KLD do të jetë korrekt”, – u shpreh Haxhialushi.

Batutat

Momenti i shpalljes së Artan Brocit si një prej anëtarëve të KLD-së, nuk kaloi pa batuta, të cilat shkaktuan ilaritet në sallë. Gjithçka erdhi pas shpalljes fitues të Brocit nga kryetari i komisionit të votimit Shkëlzen Sejdari, i cili në vend të fjalës fitues pa dashje niste të thoshe shpallet fajtor dhe më pas e rregulloi duke thënë fitues. Kjo fjalë shkaktoi ilaritet në sallë, çka e detyroi gjyqtarin të shfajësohet duke qeshur dhe duke deklaruar se është lapsus profesional pasi janë mësuar të shpallin fajtorë dhe fitues. Më pas, batutës iu përgjigj me batutë vetë i zgjedhuri nga pjesa më e madhe e gjyqtarëve të pranishëm, Artan Broci, i cili deklaroi se ishte i lumtur për shpalljen fajtor në këtë mënyrë, pra e pranonte fajësinë duke u shpallur anëtar KLD-je.

Ngërçi

Pas votimit të parë, për afro 1 orë, komisioni pezulloi shpalljen e fituesve. Shkak i këtij ngërçi ishte mospasja e një liste përfundimtare me numrin total të gjyqtarëve që janë anëtarë të konferencës gjyqësore, pra jo numri i të pranishmëve. Pasi, të pranishëm në konferencë ishin 339 gjyqtarë, ndërsa numri total i tyre është 387. Çdo kandidat që të shpallej fitues duhej të merret të paktën 50 për qind të votave të kolegëve plus 1 votë mbi këtë përqindje. Fillimisht u mendua se kush përfshihej në këtë listë totale, ndoshta edhe stazhierët dhe gjyqtarët që e kanë ruajtur statusin pavarësisht pozicioneve që kanë në Shkollën e Magjistraturës apo si këshilltarë. Nëse do ishin mbi 400 gjyqtarë në total, atëherë votimi duhej përsëritur dhe fituesi duhej të merrte mbi 210 vota. Por, pas marrjes së listës përfundimtare në Presidencë, me 201 vota u shpall fitues gjyqtari Broci dhe pas balotazhit, me 199 vota u shpall si fitues i dytë gjyqtari Astrit Haxhialushi.

 

Kandidaturat

1. Artan Broci – Gjykata e Apelit Tiranë, fitues me 201 vota

2. Astrit Haxhialushi – Gjykata e Apelit Tiranë, fitues me 199 vota

3. Zegjine Sollaku – Gjykata e Apelit Tiranë, doli me 113 vota

4. Agron Papajani – Gjykata e Apelit Tiranë, doli me 67 vota

5. Sokol Binaj – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, doli me 48 vota

6. Lefter Jahaj – Gjykata e Apelit Tiranë, doli me 32 vota

7. Dhimitër Lara – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, doli me 24 vota

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency