Lezhë, Rama-të rinjve: PS, me politika në favor të qytetarëve

0
140

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar dje me të rinjtë socialistë të Lezhës, u shpreh se PS do të ndërtojë Shqipërinë evropiane, me politika në favor të qytetarëve, e në mënyrë të veçantë sipas tij, duke fituar betejën me korrupsionin. “Ne jemi të bindur që ne së bashku mund t’ia dalim. Ashtu sikundër jemi të bindur që Shqipëria evropiane është ajo që do të ndërtojmë së bashku këtu, në Tiranë, në Lezhë, në Shkodër, në Vlorë, në Sarandë në të gjithë Shqipërinë, Shqipëria evropiane do të ndërtohet falë programit tonë “Për një rilindje shqiptare?”, – ka theksuar Rama. Më parë, në paraditen e djeshme, kryesocialisti ka zhvilluar një takim me pensionistët në një mjedis në afërsi të parkut të liqenit artificial të Tiranës. Duke shprehur shqetësimin për gjendjen e pensioneve, rritja e të cilave sipas Ramës që prej vitit 2008 është tre herë më e ulët se sa rritja e çmimeve të shportës, pra të produkteve më jetësore, theksoi: “Në çdo aspirinë, në çdo tabletë për tensionin apo për zemrën, pensionisti paguan një taksë 10%. Ne do ta heqim këtë taksë. Do ta bëjmë 0 TVSH-në e ilaçeve sepse kështu ka qenë më parë dhe sepse vendosja e TVSH-së mbi ilaçet ka rënduar vetëm njerëzit e zakonshëm”. Më tej, kreu socialist akuzoi mazhorancën qeverisëse, duke theksuar se skema aktuale e pensioneve po shkon drejt falimentimit. “Sepse vetëm 1 shqiptar në 3 në moshë pune kontribuon për skemën e pensioneve. Nga ana tjetër jemi në kushtet kur përjetojmë një rënie dramatike të punësimit. Ju besoj e keni ndjekur që sipas INSTAT-it, Instituti i Statistikave që varet drejtpërdrejtë nga kryeministri, merreni me mend vet sa i pavarur mund të jetë, vetëm tre muaj e fundit kemi humbur 10 mijë vende pune. Në katër vitet e fundit, zyrtarisht, kemi humbur 51.500 vende pune”, – deklaroi kreu i PS-së Edi Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency