Enti i Banesave: Ç’duhet të bëjnë qiraxhinjtë dhe pronarët e banesave

0
154

Blendi Hasani

Si do të funksionojë procesi i lirimit të banesave dhe njohja e titujve

Enti Kombëtar i Banesave ka njoftuar dje publikun se për procesin e ngarkuar sipas aktit normativ nr. 3, datë 1.8.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara” dhe ligjit nr. 82/2012, datë 13.9.2012, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 3, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, ky Ent nuk arkëton asnjë të ardhur, përfshirë kompensim për kostot e punës (burime njerëzore, fotokopje, letër etj.).

Përmbajtja e aktit normativ dhe ligjit sa më sipër, për të gjitha subjektet e interesuara, të cilët kërkojnë kopje të aktit të njësuar, me qëllim krijimin e provave për gjykata, mund të gjendet në Qendrën e Botimeve Zyrtare, ku mund të blihet “Fletorja zyrtare”. Qendra e Botimeve Zyrtare, me adresë bulevardi “Zhanë D’Ark”, në krahun lindor të ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, është autoriteti i vetëm me ligj, i cili publikon aktet ligjore në fuqi. Ato mund të aksesohen pa pagesë, si burim zyrtar i besueshëm, dhe nga interneti lirisht nëpërmjet web-it: www.qpz.gov.al.

Gjithashtu, Enti Kombëtar i Banesave njofton se në kushtet kur kërkesat e pronarëve përmbajnë të dhëna të karakterit personal (gjendje ekonomike, moshë, numër personash për statistikë që përfitojnë të drejta etj), për të cilat gëzohet mbrojtje e posaçme me ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale, të ndryshuar”, këto dokumentacione mund t’i vendosë në dispozicion të tretëve vetëm në bazë të një vendimi gjyqësor ose urdhri për sekuestro të prokurorisë. Asnjë palë, përveç kërkuesit, nuk mund të disponojë këto akte, përfshirë dhe rastin, kur personi i interesuar është bashkëpronari i kërkuesit/kreditor dhe ka qëllim të objektit të kërkimit të tij në EKB (vetëm kopje të akteve).

Titujt dhe urdhrat e ekzekutimit, të nxjerra nga gjykatat e rretheve gjyqësore, për të cilat EKB ka kryer përfaqësim të pronarit të ligjshëm, dorëzohen tek pronarët me procesverbal dhe të gjithë subjektet debitorë, që mbajnë ende pa asnjë shkak ligjor pronën private të zënë do të njihen me to nëpërmjet Shërbimit Përmbarimor. Kjo, përveç rastit, kur kreditori zgjedh t’i drejtohet vetë debitorit kur debitori ende nuk ka bërë lirimin vullnetar të pronës.

Për të interesuarit që jetojnë në shtëpi pronarësh të ligjshëm, të cilët nuk kanë liruar dhe dorëzuar në mënyrë vullnetare pronën dhe interesohen nëse pronarët e ligjshëm janë vënë në lëvizje, EKB sqaron se në faqen e internetit të EKB mund të marrin njoftim nëse pronari ka kërkuar vënien në lëvizje të procedurës, faqe e cila është e aksesueshme gjatë gjithë periudhës prej datës 1 nëntor 2012.

EKB nuk do të lëshojë asnjë vërtetim apo konfirmim për ta apo pronarët, pasi këto subjekte janë në dijeni të plotë të rrethanës që, sipas ligjit, i kërkon lirim dhe dorëzim të pronës dhe se vërtetimi i rrethanës/fakteve juridike, ngjarjeve, sipas legjislacionit në fuqi, bëhet vetëm pranë gjykatave.

Në përputhje me Kodin e Procedurës Administrative, EKB-ja nuk do të përgjigjet nga data e këtij publikimi për asnjë çështje me objekt sqarimi, kthim përgjigje, sa më sipër, pasi ky është sqarimi i vetëm respektiv dhe bëhet publik.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency