Njeriu aksidental

0
243

Arian Leka

Korniza e edicionit të sivjetëm të festivalit të poezisë “Poeteka” shmang “rregullat” e zakonshme të ballafaqimit poetik, duke iu dedikuar mendimit mbi të, dhe ideve të poetëve në një lëvizje më gjithëpërfshirëse të ekzistencës së shoqërisë. Ideatori i Poetekës, Arian Leka, tregon se në fokus do të jenë P. P. Pasolini – Ideale dhe idole – tradhtimi i idealeve; Italo Calvino – Manipulimi i veprave të artit dhe përdorja e tyre si art me porosi; Adrianne Rich – Roli i poetëve në shoqëritë e sotme – nënshtrimi i depolitizuar apo estetik në shoqëritë posttotalitare etj. Për “standard”, Leka na vë në dispozicion këta autorë për t’u afruar në një debat më të gjerë kulturor

Nuk është aq e ndërlikuar, në të vërtetë, kjo që dua të shpreh. Në formën më të thjeshtë të narracionit, po nis të shtjell diçka rreth një mjeti që në mos e përdorim, e njohim të gjithë: rreth ashensorit. Shtysën fillestare për këtë ma dha regjisori holandez Dick Maas. Thuajse 30 vjet më parë, ai paraqiti në publik filmin “Ashensori” (De Lift), prej të cilit më 2001 nxori versionin “Down”, i njohur edhe me titullin “The Shalf”. Është një thriller-horror i pastër, që rrëfen historinë e një ashensori, që del nga kontrolli dhe i ngre kurthe përdoruesve të tij. Edhe pse e shohin se, me të vënë këmbët në atë ashensor, dikush dëmtohet apo zhduket gjithmonë, njerëzit vazhdojnë të hipin aty pa u ndalur. Gjer në fund. Por jeta jonë ka aq shumë horror, sa do ta kisha harruar fare filmin, sikur në trajlerin e tij një zë i errët të mos përsëriste ankthshëm këto fjali: “Take the stairs, take the stairs. For God’s sake, take the stairs!!!” (Merrni shkallët! Merrni shkallët! Për hir të Zotit merrni shkallët!!!”

Nuk është në dëshirore. Është në urdhërore. Mbajeni mend. Është këshillim me një dozë kanosjeje brenda. Është thuajse një përgjërim për t’iu kthyer mënyrave të zakonshme, që njeriu ka përdorur që prej lashtësisë, sa herë që ka dashur të ngjitet lart. Qoftë dhe për të mbërritur më pranë zotave, siç na kujton rasti i Ikarit dhe Dedalit me krahë të ngjitur. Jo ashensorin, pra! Shkallët. Shkallët.

Atyre që nuk kanë ndjerë, qoftë edhe një herë të vetme, stepje, frikë, një si angështi, marrje mendsh apo pakësim fryme teksa marrin ashensorin, sidomos gjatë herës së parë, është e vështirë t’ua bësh të pranueshme, sidomos përmes një parabole, idenë se durimi është formë e dashurisë. Është e kotë t’ua kujtosh se maturia lodh dhe se të gjithë jemi para sprovës. Kjo sepse tanimë ashensori ka krijuar mitologjinë e tij. Ai është Hokus pokus!

Sa herë që na mungojnë zgjidhjet, sa herë që na lënë këllqet, sa herë që energjia morale, shpirtërore, intelektuale që kemi mbledhur dhe që kemi dashur ta investojmë për veten dhe për shoqërinë nuk përfillet, ne i drejtohemi atij: bamirësit tonë – ashensorit. Zgjidhja nga Zoti – Deux ex machina, është ai.

Dhe shkallët? Shkallët, ato të njëpasnjëshmet, të llogariturat, të maturat me kënde, me lartësi dhe me sheshpushime për t’iu përshtatur ngritjes dhe për të rregulluar frymëmarrjen, nuk vlejnë më? Jo. Së paku jo shoqërisë sonë… Jo së paku tani për tani.

Siç dihet, parabolat priren ta zhvillojnë idenë fillestare nga pikëpamje asnjanëse. Ato bëjnë ftesë për të hyrë në bashkëbisedim përmes gjuhës metaforike dhe jo të ofrojnë këshilla të drejtpërdrejta mbi dilemat morale apo se çfarë duhet dhe ç’nuk duhet të bëjë një njeri apo e gjithë shoqëria. Parabolat nuk janë guida udhëheqëse, as programe. Ndaj për ta respektuar atë asnjanësi, që parabola e ka ruajtur, jo pa sakrificë gjer më sot, krijojmë një lloj social me nistoren e zëshme -A-. Pakashumë në metodën e Italo Calvino-s, te Komikat kozmike.

Sa herë që jeta i ka vënë përballë zgjidhje më të thjeshta, më të kollajshme, pa kokëçarje dhe sa herë që e kanë këshilluar të sajojë “by pass-e” apo “short cut-e” për të ardhmen e vet, individi -A- i është lutur vetes të përmbahet, të mos tundohet, duke përsëritur në formë liturgjie të njëjtat fjalë: “Merr shkallët, merr shkallët! Për hir të Zotit merr shkallët!”

Nuk është ndonjë formë ekzibicionizmi kjo që individi -A- po shpreh. Personalizim jo se jo. U zgjodh -A- sipas renditjes hyjnore të shkronjave në alfabet. Por as ndonjë guxim, apo idealizëm të kulluar nuk mund të gjejmë këtu e në vijim. Nuk është madje as ndonjë akt, që kërkon të ndikojë apo të ndryshojë individët e tjerë, të cilët po i quajmë -E- dhe -Y-. Është thjesht çështje e ushtrimit të praktikës morale të një individi që, teksa lutet për vetëpërmbajtje, beson se nuk është i vetmi që e bën këtë gjë.

Ky individ -A- mendon se zgjedhja e shkallëve, si formë refuzimi ndaj metodës-ashensor, nuk është alternativë e butë, por një kundërshtim ndaj asaj metodologjie, që tashmë ka hedhur rrënjë qoftë në mendësinë, qoftë në praktikën tonë të të jetuarit.

Kjo mendësi ia ka dalë të deformojë si qëllimet, ashtu edhe ambiciet më të dëlira, duke ndotur me dyshim çdo gjë, duke thyer njëkohësisht edhe besimin se një ditë shoqëria shqiptare mund të jetë një shoqëri reale, me individë mbi të cilën nuk vihen baste, si në hipizëm dhe që nuk sponsorizohen enkas mediatikisht, politikisht dhe financiarisht.

Individi -A- nuk është modeli “qytetar që përjeton vlerën e paanshme të të drejtave” dhe që ndjen “dobitë e pjesëmarrjes në kulturën e përbashkët politike”, siç do t’i kishte pëlqyer shumë Habermas-it. Ky individ nuk është as ai që të mirën e sheh si “diçka që ka të bëjë me përmbushjen e dëshirave të tij vetjake dhe që e di se përmbushja e dëshirave të këqija është e keqja më e madhe”, çka do ta ngazëllente edhe Bertrand Russell-in me këtë rast.

Individi -A- nuk është shenjt. Ai nuk është as qytetari shoqëror. Individi -A- mendon për shoqërinë, sepse është duke menduar për fatin e tij. Ai dhe shoqëria ndodhen në të njëjtën barkë. Së paku që prej kohës, kur fati individual pushoi së ekzistuari si i tillë në shoqërinë e sotme globaliste.

Ndaj dhe individi -A- vihet në kërkim të të afërmve dhe të të ngjashmëve të vet – të atyre që e kanë ndarë mendjen të vazhdojnë të marrin shkallët. Jo

për ta mohuar, por për ta çmitizuar ashensorin. Megjithëse ideja e marrjes së shkallëve herë-herë i tingëllon utopiste, poetike edhe vetë individit -A-, prapëseprapë ky individ, jo lehtë i modifikueshëm gjenetikisht, vazhdon t’i besojë vizionit të mistikut sufi Mevlana Xhalaludin Rumiu, i cili e shihte botën e shoqërinë njerëzore si një organizëm i vetëm. A nuk na nxjerrin xixa sytë, sa herë përplasim fort pas diçkaje, qoftë dhe gishtin më të vogël të këmbës?

Por, ndërkaq, individi -A- nuk dëshiron që me këtë sjellje të krijojë ndonjë veçim nga bota, ndonjë modë kryeneçe, lëvizje apo ndonjë antimodë të re. Ai po bën thjesht një propozim. Një kujtesë, si ato që lexojmë mbi paketat e cigareve, ose shohim kabita të tensionit të lartë apo kur kapërcejmë binarët e trenit. Ai sillet kështu pasi beson se, t’u kujtojë të tjerëve një gjë të harruar dhe t’u propozojë pas kësaj diçka si një shteg bashkimi, është jo detyrë, por dëshirë e tij. Detyra e tij është t’i përshkruajë imtësisht edhe ato gjëra, që më pas do të çmontohen apo harrohen krejt.

Por tashmë ky individ e di se parabolat, njëlloj si përrallat ku e mira fiton përherë mbi të keqen, kanë ndikim të kufizuar në këtë botë. E di gjithashtu, siç edhe është provuar, se në Shqipëri thuajse çdo refuzim keqkuptohet, çdo kundërvënie keqpërdoret, çdo dorëheqje keqpërdoret, çdo pjesëmarrje keqpërdoret, ndërsa të gjitha bashkë degjenerojnë.

Çdokush tashmë e ka vë në re se “anti” dhe çdo “kundër”, në fund të fundit, ka shkuar në dobi të asaj që përfaqëson “anti-n” dhe “kundra-n” vetë. Tashmë individi -A- ka mësuar diçka më shumë edhe mbi atë lloj pasigurie, që ndjen qenia kur sheh se institucionet – ende të brishta edhe pas 100 vjetësh – sfidohen për pushtet personal dhe kur, shumë nga ato që besuam se më në fund do të jenë të pavarura, plurale, binare, janë të tilla vetëm sipërfaqësisht. Ai e di se gjithçka do të ndryshojë, por jo të nesërmen reale, atë të hënë që vjen me siguri pas një të diele pushimi. Por në të nesërmen metaforike, po. Do të ndryshojnë. Nuk është bindje. Është besim i tij.

Individi -A- e di po ashtu se ashensori do të vazhdojë të mbetet mjeti më i pëlqyer për zanoret e tjera: -E-, -U- dhe -I-. Ashensori do të bekohet si një fe, do të përkrahet si një i afërm, do të mbrohet si një dashuri, do të mirëmbahet si një mëri e vjetër, do të rinovohet, do të ujdiset, do të restaurohet dhe do të shpallet si i vetmi mjet efikas i promovimit të vlerave në shoqërinë shqiptare. E di, por prapë beson. Duke dyshuar, në fakt. Se besimi është njerëzor.

Po fundja ç’e dallon një filozof nga moralisti. Filozofi nuk bën thirrje të tilla si: “Merrni shkallët! Merrni shkallët! Për hir të Zotit merrni shkallët!!!” Kështu që individit -A- i mbetet të jetë një moralist. Nga ata më tradicionalët, madje. Konservator, duhet të jetë, përderisa vazhdon të refuzojë progresin dhe një mjet kaq efikas, si ashensori.

Por këtë e bën jo për t’i nxitur njerëzit të mos guxojnë. Jo për të mos i synuar edhe vetë ato lartësi, të cilat, njëlloj si në prozën e Kafkës, janë krijuar pikërisht për t’i synuar, për t’u mbërritur nga njerëzit, përfshi këtu edhe individët -E-, -U-, -I-, -Ë-. Përkundrazi. Ai e bën këtë jo për të refuzuar lëvizjen. Madje ai është i gatshëm të pranojë (por jo t’i përligjë dhe t’i shfajësojë) edhe gabimet që bëhen për hir të lëvizjes. Ai e bën këtë për të refuzuar metodologjinë e ashensorit që, jashtë çdo norme e logjike të krijuar, të zbuluar apo të shpikur, jashtë çdo përzgjedhjeje dhe qëllimi të mirë, rrëmben njerëz nga sheshet dhe nga rruga, për t’i ngritur pa e merituar gjer në majat më të larta të sferës së përfaqësimit publik. Dhe kjo ndodh në politikë, në ekonomi, në shkencë, në letërsi dhe në arte. Ndodh vazhdimisht. Para syve tanë.

Nuk kemi pse ankohemi për gjithë sa ka ngjarë. As kujt t’i ankohemi. Përballë pasqyrës së ashensorit jemi ne. Këta individë jemi ne. Ata që hipin e zbresin jemi ne. Në mos ne vetë, janë aq rreth nesh, mbi ne, nën ne, sa mund të themi se jemi po ne. Jemi ne që, në vend të nënshkruajmë një kontratë legale me shoqërinë dhe institucionet, nënshkruajmë një kontratë okulte me ashensorin-bamirës, të cilit i jemi mirënjohës përjetë. E kështu ndaj ashensorit krijojmë vartësi, dogmë, tabu e fanatizëm.

Individi -A, megjithëse mund të mos jetë i përfshirë, mendon se është i implikuar dhe pjesëmarrës. Pikërisht sepse kupton se gjyqi mund të jetë individual, por jo fati. Sidomos kur në një shoqëri, roli i secilit është i ngjashëm me atë të detarit në një varkë, që nuk rri lidhur pas molit, por ka dalë tashmë në lundrim. Por gabimi, edhe faji, nuk është as i pandreqshëm, as i pafalshëm. Madje fare mirë mund të quhet mosdije, mosdëshirë për të ditur, mosdëshirë për të llogaritur jo hapin e parë dhe të dytë, por hapin e tretë dhe të katërt.

Teksa e këqyr dhe përpiqem të kuptoj diçka më shumë mbi shoqërinë e sotme shqiptare, mbi individët si -A-, -E-, -U-, -I-, -Ë,- -O-, -Y-, mbi personat dhe personalitetet, mbi figurat dhe figurantët e saj, mbi të investuarit, të vetëndjerët, të vetofruarit dhe të vetëbërët, të zhgënjyerit, të shpërblyerit, hatërmbeturit dhe ata që besojnë ende tek vlerat e saj, më forcohet dyshimi se kjo shoqëri, nga projektimi për të qenë me të vërtetë e lirë, e drejtë, e mbështetur mbi ligje, virtyte dhe merita (parime tashmë të degraduara në vulgarizim ende propagandistik), është shndërruar plotësisht në një shoqëri të llojit ashensor.

Edhe atyre, të cilët ende nuk e kanë provuar, u është bërë me dije se kjo është rruga, drita, jeta dhe e vërteta, alfa dhe omega. Ndaj ata, të detyruar dhe të dëshiruar, vihen në radhë dhe në gjendje pritjeje. Të kujt? Të ashensorit. Shndërruar në një lloj Godoje të ri.

Me shoqërinë shqiptare është kryer një eksperiment. Cikli është i mbyllur thuajse. Loja, me skemën që po aplikohet, duket se është strukturuar.

Prej më se dy dekadash, në vend të një “un-i shoqëror dhe qytetar”, është mbështetur “un-i instiktiv”. Është sponsorizuar ai lloj “un-i”, që “njeriun e ri” të komunizmit e zëvendësoi me “njeriun aksidental”, për të cilin jo rrjedhat e proceset logjike, por rastësitë dhe e pazakonshmja luajnë rolin vendimtar, siç vërejnë sociologët.

Kemi prekur kështu zonën më iracionale dhe më arbitrare të mënyrës se si mund të funksionojë një shoqëri. Prej materies së ardhur mirë apo të shprishur që në embrion, të formatuar apo të deformuar të kësaj shoqërie, mbruhen institucionet, shteti, qeveritë dhe drejtuesit e tyre. Prej po kësaj lënde gatuhen edhe individët-qytetarë, si shtetas të lirë dhe individët-shtetas kokulur, të nënshtruarit, ata që vetëkufizohen në ushtrimin e lirive dhe përgjegjësive të tyre, për shkak se mirënjohjen më të madhe për hapat e vegjël që kanë bërë në jetë, ia atribuojnë ashensorit. Dhe këta hapa të vegjël nuk kanë qenë të atillë, që e çojnë paksa më lart qenien humane. Kur kthen kryet pas, sheh se hapat e vegjël kanë qenë thjesht arritje të çastit, një “carpe diem” drejt përligjjes politike dhe ekonomike të “unit aksidental”. Kanë qenë hapa që, ndonëse pak më me vonesë, domosdo që do t’i arrinim edhe pa përdorur ashensorin.

E kotë ta fshehim, tashmë individët e ashensorit përfaqësojnë një çështje breznie. Kjo brezni është krijuar. Atë e gjen kudo. Por zakonisht lakmon postet e përfaqësimit publik. Edhe tipologjia e sjelljes së kësaj breznie është kornizuar. Nuk ke nevojë të studiosh, nuk ke nevojë të mësosh, makar edhe një zanat të thjeshtë dhe të qetë duarsh.

Nuk është e nevojshme të investohesh në dije dhe në maturinë e ecjes, për të avancuar në hierarkinë e administratës publike a në biznes. E rëndësishme është të kesh ambicie të verbër, të shfaqesh, të vetofrosh shërbime, të pranosh ta fillosh nga “ground zero”, nga mitingjet dhe peticionet, të jesh rezervist, nën armë. Dhe jo për të gjithë jetën. Gjer sa t’i biesh në sy Ashensorit. Sa t’i avitesh, sa të mbërrish pranë tij, sa të hysh në të, sa të mbyllet dera dhe sa të fillojë të lëvizë dhe të të ngrejë lart. Lart e më lart.

Por nuk është kjo më shkurajuesja në gjithë këtë histori alegorike. Krijimi i përshtypjes se rruga e vetme për ecjen përpara në jetë është investimi politik, se mjeti i vetëm i ngritjes lart është ashensori, i cili, bashkë me shpalljen si normale të kësaj anomalie, mbetet gjëja që e bënte Adam Michnik-un të ndjente frikën se “mos sistemet demokratike rrëshqasin sërish në binarë totalitarë”.

 

Lupus in fabula

Tanimë, edhe pse jo hapur, ekzistenca e ashensorit jo vetëm që është pranuar, por edhe po përligjet. Një brez thuajse i dorëzuar, njerëz që nuk dëshirojnë asgjë më shumë, veçse t’i lejojnë të luten dhe të rrojnë me shpresën se ashensori politik, ashensori social, ashensori religjioz, ashensori kulturor, ashensori akademik, që tashmë e kemi legalizuar si një instrument të ligjshëm, t’i pikasë sa më shpejt.

Luten që ashensorët t’i dallojnë mes mijëra të tjerëve. Luten që ashensorët t’i veçojnë dhe, më në fund, t’u hapin derën për t’i çuar… Ku? Lart? Mbi kokat e të tjerëve? Të të gjithë atyre -A-, -E-, -U-, -I-, -Ë-. -O-, -Y-, që kanë parapëlqyer shkallët edhe pse janë shumëfish më të talentuar, më të drejtë, më aftë?

Kush ka hipur qoftë edhe një herë të vetme në ashensor, e ka provuar atë që ndjejnë fillestarët, teksa shijojnë ngritjen nëpër lartësi. Të gjithë rishtarët, duke iu gëzuar lartësive të reja, turbullohen aq fort, sa pandehin se janë ata që e vënë në lëvizje mjetin. Besojnë pra se, meqenëse shtypin disa butonë, janë pikërisht ata që e drejtojnë ashensorin. Nga brenda. Ashtu pandehin ata.

Dehja nga qiejt dhe mosnjohja e të fshehtave të kësaj lloj teknologjie, nuk i lejon të kuptojnë se komandimi i këtyre lloj ashensorëve nuk bëhet nga brenda, por nga jashtë. Janë zotëruesit e vërtetë të ashensorëve, transportuesve të trupave të freskët për në frontin politik, social, religjioz, akademik dhe kulturor, ata që telekomandojnë gjithçka.

Për këta ne jemi thjesht trupa dhe numra. Si ata që dikur transportoheshin me trena. Përfshirë këtu edhe individët -A-, -E-, -U-, -I-, -Ë-, -O-, -Y-, pavarësisht se këta qenkëshin më të drejtë, më të talentuar dhe më të aftë. Ndaj dhe individët që fluturojnë “nga stallat tek sallat”, i shohim të sillen përreth si të telekomanduar. Ndaj…

E nisa këtë tekst me filmin e regjisorit holandez Dick Maas dhe po e mbyll po me të, duke risjellë në kujtesë për veten, për ju, por edhe për individët -A-, -E-, -U-, -I-, -Ë-. -O-, -Y-, thënien e njërit prej personazheve.

Pyetja ngre dyshimin jo mbi vlerat e arritura dhe të njohura të shoqërisë ku jetojmë, e cila edhe pse gjithmonë e pastabilizuar plotësisht, është më e mira e shoqërive të provuara nga historia.

Pyetja ka të bëjë me korruptimin që i bëhet strukturave të kësaj shoqërie, mes të cilave thyerja e besimit mbetet goditja më e fortë. Po e lë të papërkthyer këtë shprehje, pasi fjalët tingëllojnë fort edhe kështu: “But, if you can’t trust even the elevators, what the fuck can you trust…?”

Ndodhemi pikërisht pranë stinës, kur do të bëhemi sërish dëshmitarë të aktivizimit të të gjithë ashensorëve që përmendëm deri tani. Kemi hyrë në zonën kur ashensorët, njëlloj si në filmin e Dick Maas-it, do të dalin nga kontrolli.

Fillimisht ata do t’i joshin dhe më pas do t’u ngrenë kurthe përdoruesve të tyre. Do të shohim se si disa prej përdoruesve do të zbresin vetë nga ashensori: të lodhur, të gjymtuar apo të sëmurë nga këto ulje e ngritje të shpeshta.

Të tjerë do të flaken jashtë sakaq. Ca të tjerë do të hipin rishtas dhe do të zëvendësojnë me mish të freskët të lodhurit dhe të flakurit jashtë prej dyerve të ashensorit.

Por a do të vihen sërish në rresht para dyerve të ashensorit po aq shumë njerëz, sa edhe dje? A do të ketë sërish radhë të gjata në pritje të shërbimeve që ofrojnë ashensorët? Apo capak individë do fillojnë të dalin nga rreshti dhe nuk do ta pranojnë më këtë shërbim?

Një parabolë nuk jep këshilla të drejtpërdrejta mbi dilemat morale. Nuk jep as rrugëzgjidhje se çfarë duhet dhe ç’nuk duhet të bëjë një njeri apo një shoqëri e tërë. Parabolat thjesht thuhen dhe kaq. Askush nuk është bërë mbret ngaqë mbrëmjeve, para se ta zinte gjumi, i kanë treguar përralla me mbretër.

E meqë është fundi, vetëm për rutinë stilistikore ndoshta më lejohet të përsëris edhe një herë: “Merrni shkallët! Merrni shkallët! Për hir të Zotit merrni shkallët këtë herë!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency