Masat e Vllaznisë Osmani “ankohet” në FSHF

0
168

Masat e marra nga ana e klubit të Vllaznisë kundrejt disa lojtarëve nuk janë pritur mirë nga këta të fundit. Zbritja e kontratës deri 45%, por edhe urdhri për t’u stërvitur gjatë muajve të ardhshëm me skuadrën e të rinjve janë të papranueshme për mbrojtësin Tefik Osmani, i cili i është drejtuar federatës për ndihmë, pasi masa e rëndë ndëshkimore e marrë nga klubi shkodran i duket krejtësisht e padrejtë. Për mbrojtësin korçar, që është grumbulluar rregullisht edhe në kombëtare nga trajneri italian Xhani de Biazi, vendimi për t’u stërvitur me U-19 është një fyerje e rëndë dhe e pabazuar në asnjë pikë të rregullores. Gjithsesi, 27-vjeçari hezitoi t’u kundërpërgjigjej në media drejtuesve të klubit, për faktin e thjeshtë se Vllaznia është në heshtje për shtyp dhe thyerja e saj do t’u jepte të drejtë për ta ndëshkuar futbollistin. Në të njëjtën situate, sikurse Tefik Osmani ndodhet edhe sulmuesi Vilfor Hysa, i cili gjithashtu është gjobitur me 45% të kontratës si dhe është urdhëruar të stërvitet me të rinjtë. Në këto kushte, në pamundësi për të vijuar bashkëpunimin edhe gjatë fazës së dytë, palët pritet të ulen në bisedime, për të gjetur zgjidhjen, që mund të jetë vetëm prishja me konsensus e kontratës. Osmani dhe Hysa, lojtarë me shumë eksperiencë në superiore, s’do ta kishin aspak të vështirë për të gjetur skuadër tjetër me emër në futbollin shqiptar. Analiza e së hënës, e cila u zhvillua ndërmjet drejtuesve të klubit dhe stafit teknik, ka qenë “fatale” për futbollistët. Ajo u shoqërua me tone të ashpra dhe kritika të shumta ndaj lojtarëve. Gjatë analizës së përpara dy ditëve mësohet se presidenti i skuadrës dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, dhe kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, Ridvan Troshani, kanë qenë mjaft kritikë në lidhje me ecurinë e deritanishme të ekipit. “Në këto momente kërkojmë me vendosmëri rifutjen e Vllaznisë brenda objektivit të sezonit, i cili arrihet përmes renditjes në 3-4 vendet e para të Superiores. Është një detyrim, që të gjithë së bashku kemi ndaj qytetarëve të Shkodrës, të cilët janë shumë të ndjeshëm dhe shumë pranë Vllaznisë”, – mësohet të jenë shprehur drejtuesit kryesorë të Bashkisë së Shkodrës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency