Kupa e Botës për Klube Çelsi sfidon Monterrein

0
129

Trajneri i Çelsit, Rafael Benitez, ka premtuar se sot do të luajë me formacionin më të fortë në fushë, në gjysmëfinalen kundër Monterreit. Pasi ka mësuar emrin e finalistes së parë të Kupës së Botës, Korinthiansit, edhe Çelsi kërkon të presë biletën kundër skuadrës meksikane. “Pas mbërritjes në Japoni, kemi pasur probleme me gjumin dhe po përpiqemi të flemë më shumë se 4 orë, – tha me shaka tekniku spanjoll. – Por, ne nuk kemi ardhur këtu për të gjetur alibi. Do të hedh në fushë skuadrën më të fortë të Çelsit në gjysmëfinale. Nuk mund të mendojmë për finalen pa mbërritur ende atje. Nuk mund të them se kush do të luajë. Do të bëj vlerësimet e mia para ndeshjes, për të parë cili lojtar është i freskët dhe cili jo”. Nëse tekniku kërkon kujdes dhe përqendrim nga skuadra, mbrojtësi i Çelsit nuk e llogarit absolutisht Monterrein. Për stoperin e bluve të Londrës, çdo rezultat tjetër veç trofeut në tokën e samurajëve, do të ishte një dështim për kampionët e Evropës. “Kemi udhëtuar kaq larg dhe duam të kthehemi me trofeun në Londër. Kur zgjodha të vij te Çelsi, e bëra për të fituar sa më shumë trofe. Kemi përpara një shans të madh, që nuk të vjen shpesh në karrierë. Është një turne fantastik dhe ne duam ta kemi në vitrinën e klubit. Pas problemeve, duket sikur skuadra është stabilizuar sërish”. Për yllin e mesfushës ka të tjera emocione, kur bëhet fjalë për trofeun e parë që mund të fitojë. “Çeh ka luajtur 8 vite në nivele të larta për të ngritur këtë trofe. Unë jam me fat që kam shansin ta fitoj kupën që në vitin tim të parë në Londër”, – deklaroi fantazisti belg. Nga ana tjetër edhe Monterrei nuk ka udhëtuar në Japoni për turizëm. Kampionët e Kupës së Amerikës Qendrore kërkojnë të bëjnë historinë kundër Çelsit dhe më pas Korinthiansit në finale. Trajneri i klubit meksikan ka premtuar se skuadra e tij nuk do të ndihet aspak inferiore përballë kampionëve të Evropës. “Do të luajmë përballë skuadrës më të fortë të botës, Çelsit, por ne nuk kemi frikë. Them janë skuadra më e fortë e planetit, sepse të fitosh në Europë do të thotë se je më i miri. Por, ne duam të bëjmë historinë. I njoh rivalët tanë shumë mirë, por ne kemi besim në forcat tona”, – u shpreh trajneri i meksikanëve, Viktor Veçetiç.

 

Finalistët, Korinthiansi mund Al-Ahlin

Korinthiansi ka hipotekuar e para biletën për në finalen e Botërorit të Klubeve, pasi ka mundur minimalisht egjiptianët e Al-Ahlit. Brazilianët e dominuan ndeshjen që nga minuta e parë, por iu desh gjysmë ore lojë për të thyer portën e Al-Ahlit. Ishte pikërisht ish-sulmuesi i Bajernit të Mynihut dhe Hamburgut, Paolo Guerrero, ai që shënoi të parin dhe të fundit gol në gjysmëfinalen e parë. Kampionët e Amerikës Latine vijuan presionin në portën e egjiptianëve, por nuk e gjetën dot golin e qetësisë. Çelsi shpresonte në ndonjë surprizë të mundshme, por në finale do të luajë kundër skuadrës më të fortë që mund të kishte përballë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency