Refuzimi, Brukseli: Statusi do të jepet kur të përmbushen tri kriteret kyçe

0
156

Gëzim Saliu

Raporti, Fule: Të mos pengohet axhenda evropiane, në funksion të interesave partiake

Presidenca qipriote, Markoullis: Plotësoni kriteret, zgjedhjet 2013, test për funksionimin e institucioneve


Bashkimi Evropian ndëshkon për herë të tretë Shqipërinë, duke mos i dhënë statusin e vendit kandidat. Brukseli zyrtar konfirmoi dje se vendi nuk e përfitoi statusin e kandidatit, për shkak të mosplotësimit të tri kritereve kyçe, të përcaktuara në raportin e 10 tetorit nga Komisioni Evropian si kushte themelore për t’u përmbushur deri në dhjetor. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian u theksua se Shqipëria do të mund të marrë statusin e kandidatit vetëm pasi të jenë përmbushur tri kriteret kyçe, përkatësisht ligji i Gjykatës së Lartë, reforma parlamentare dhe statusi i nëpunësit civil.

 

Fule

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, pohoi dje se mesazhet për Shqipërinë nga Këshilli vijnë krejtësisht të qarta, duke pasur në thelb pikërisht realizimin e kërkesave që do të mundësojnë marrjen e statusit. Ai i bëri thirrje klasës politike shqiptare të dialogojnë e të zgjidhin problemet, pa mbajtur peng axhendën e BE-së. “Mesazhet e Këshillit për Shqipërinë shumë të qarta. Njohja e punës së madhe të bërë deri tani. Por ka një inkurajim të palëve që të mbeten të angazhuar në plotësimin e reformave. Dyert e BE do të jenë të hapura me qëllim që palët të vijojë me momentin e reformave, me plotësimin e kërkesave. Në këtë rast u bëj apel politikanëve të vazhdojnë dialogun dhe të mos pengojnë axhendën evropiane, duke e kthyer atë në funksion të interesave të tyre partiake”, – deklaroi Fule, gjatë publikimit të konkluzioneve.

 

Presidenca qipriote

Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Markoullis, ku vendi i së cilës mban presidencën e radhës së BE-së,pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian bëri me dije konkluzionet mbi pritshmëritë lidhur me procesin e zgjerimit. “Mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria për të plotësuar 12 prioritetet. Vlerësojmë rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat, e lidhur me funksionimin demokratik të institucioneve, zgjedhjet e 2013-ës janë të rëndësishme. Për dhënien e statusit ftojmë komisionin të vlerësojë progresin e bërë deri më tani nga Shqipëria”, – vlerësoi ministrja e jashtme e Qipros, që mban dhe Presidencën e radhës së BE-së. Në raportin e bërë publik një ditë më parë, të miratur dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së, theksohej se Komisioni Evropian mund t’i japë statusin e kandidatit Shqipërisë, vetëm pasi të përmbushen reformat në gjyqësor, administratën publike dhe në rregulloren e parlamentit. “Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me qëllimin për të vendosur nëse do të japim statusin kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë sa më shpejt të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla”.

 

Raporti i BE-së: Kosova të përmbushë kriteret afatshkurtra, Maqedonia hap negociatat në verën e 2013-ës

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të drejtuar nga Qiproja, që ka Presidencën e radhës të BE-së, u fol edhe për Kosovën dhe mundësia reale për ta hapur bisedimet për marrëveshjen e stabilizim-asocimit, sapo Prishtina të përmbushë kriteret afatshkurtra të përcaktuara më herët në raport-progres. Një lajm pozitiv erdhi për Maqedoninë, ku Fule deklaroi se negociatat do të hapen në verën e 2013. Gjithashtu Këshilli kërkoi përpjekje më të mëdha të Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency