Kultura e Bumçit? E ulët.

0
138

Violeta Murati

Është prezantuar dje në Kuvend projektbuxheti për kulturën i vitit 2013. Projekt formal, që nuk tregon vizionin se për ku po shkon politika kulturore në vend, pa strategji e mbi të gjitha me shifra më të ulëta se vitin që shkoi

 

Mënyra se si është përpiluar nga Ministria e Kulturës projektbuxheti për vitin 2013 më shumë të jep mundësinë e leximit të një projekti primitiv sesa të vështrohet si strategji kulturore në vend. Në fakt, prej vitesh nga kjo ministri nuk marrim vesh se çfarë mbulon, çfarë konsideron strategjike dhe politikë kulturore. Si pasardhës i ministrave të tjerë, edhe Bumçi nuk ofron më shumë. Ndoshta konsiderohet më me pak vlefshmëri vizionare prej tij. Sigurisht pas Bumçit janë specialistë që merren me projektbuxhetin dhe hartimin e politikave në Ministri të Kulturës, por na duhet të pohojmë se identitetin dhe fytyrën e këtij institucioni, sido të mendojmë, e prodhon kompetenca e ministrit.

Mospasja qartë e funksionit si drejtues, kaosi që ka prodhuar sa u takon këtyre dy viteve të fundit në zbatim të ligjit në artin skenik janë çështje që do të kërkonin medoemos ekspertizë politike dhe ligjore. Këtë nuk ka arritur ta sigurojë Bumçi, duke ngurtësuar lëvizjen artistike e shpesh duke krijuar pasoja abuzive në trajtimin e fondeve. Në fakt, Bumçit i mungon diçka më tepër se aq në drejtimin e punëve të kulturës në vend. Mungesa e një vizioni të qartë mbi politikën dhe strategjinë kulturore janë akte themelore për të perceptuar kulturën dhe institucionet e saj në gjendje të lirë.

Varfëria kulturore pa u keqkuptuar me komercialitetin e bërë modë prej politikës, vazhdon të jetë këmbëkryq pa ngritur një treg konkurrent që ta bëjë kulturën “të shitshme” në një treg vlerash, dhe jo tarafesh. Si çdo vit, treguesi i buxhetit që vijon edhe për 2013-ën, prezantuar dje në Kuvend, bëhet aq formal sa debati mbi të duket si lavjerrës politik e jo përgjegjësi institucionale.

Kështu, dje, përmes zyrës së shtypit, na erdhi një njoftim për projektbuxhetin për vitin 2013, sipas të cilit, i është prezantuar dje Kuvendit. Njoftimi përmbante lajmin se ministria ka hartuar projektbuxhetin e vitit 2013 “në mbështetje të objektivave të programit të qeverisë për zhvillimin e turizmit, trashëgimisë kulturore, artit, kulturës, kulteve, rinisë dhe sportit” sipas legjislacionit “duke ruajtur kufijtë e miratuar të VKM-së përkatëse, në shtatë programe buxhetore”.

Në shifra ky projektbuxhet thuhet se kap vlerën 2.002.846 mijë lekë, krahasuar me buxhetin e vitit 2012 që rezulton me ulje 2,5%, duke e justifikuar “si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve kapitale, ndërsa fondet për paga e shpenzime korrente rezultojnë me rritje”.

Leximi rresht për rresht i zërave buxhetorë referuar programeve me të cilat operon ministria, si: arti e kultura, trashëgimia, turizmi, feja e sporti shfaqen mjaft formalë, si një raportim i zymtë, “copy paste” nga vitet, për të qenë brenda kornizës servile e rregullave tashmë të njohura politike. Por sa frytdhënëse, sa mendime origjinale, cilat janë aspiratat e një ministrie kulture që ka impakt themelor në imazh mbeten dilema që e çalojnë perceptimin mental që kanë vendosur ministrat prej vitesh në këtë dikaster.

Çdo investim strategjik apo politik në kulturë, i përkthyer në gjuhë shifrash, në koherencë me emergjencën që del duket më shumë hipokrizi e servilizëm politik se sa mirëfilli interes kulturor.

Prej renditjes së programeve që ka bërë ministria për të justifikuar shpenzimet nga fondi dhe për rrjedhojë për të lexuar projektbuxhetin kuptohet lehtë se ministri vazhdon të ketë në dorë gjithë pushtetin financiar, përtej së cilës do konsiderohej si të jashtëligjshme gjithë institucionet publike, por dhe hallka të miratuar së fundi me ligj për të lehtësuar këtë barrë.

Në fond, përveç planifikimit në fushën e trashëgimisë për të realizuar sipas njoftimit restaurime apo aktivitete kulturore të shpërndara gjeografikisht në gjithë vendin – u lihet vend në program dhe fondeve të planifikuara për investime për të përfunduar ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit në Shkodër. Ndërtimi i muzeut thuhet se ka përfunduar dhe pritet të mbyllet dhe rikonceptimi i brendshëm i tij, që deri tani ministrisë raportohet se i ka kushtuar 13.500 mijë lekë (në total financimi është 22.000 mijë lekë). Një shifër prej 25.000 jep panoramën e shpenzimeve ministria për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, si vazhdim nga viti i mëparshëm, që në total ka zënë shifrën prej 102.598.110 mijë lekë (me TVSH). “Punimet janë në proces dhe jemi drejt fazës përfundimtare të këtij projekti. Punimet kanë përfunduar në masën 80%”.

Në këtë listë përmenden dhe disa qendra historike të dy-tri qyteteve, duke dhënë shifrën prej 12.700 mijë lekë. Ndërsa kanë hequr TVSH-në për disa projekte që ka realizuar në fakt UNDP dhe UNESCO si ndërtimin e kampingut në rajonin turistik të Kukësit, Valbonës, Bjeshkët e Krumës, ndërtimin e muzeut të ri Kukës, rehabilitimin e muzeut në qytetin e Bajram Currit, restaurimin e Muzeut Etnografik Vlorë, fasadës së Prefekturës Vlorë, rikonstruksionin e Zyrës së Informacionit Turistik si dhe rikonstruksionin e shtëpisë së Omarëve Gjirokastër etj.

Në fakt, shifrat për trashëgiminë mund të duken entuziaste si investim, por çdo turist që vjen në Shqipëri e sheh kaosin e organizuar dhe rrënimet e monumenteve të kulturës përballë restoranteve luksoze, e sidomos atyre që japin përshtypjen e kështjellave të vjetra duke “konkurruar” kështu denjësisht monumentet qindra e mijëravjeçare!

Në fushën e artit dhe të kulturës raportimi i ministrit është aq sipërfaqësor sa vështirë të besohet se po drejton një ministri, e për më tepër ta konsiderosh drejtuesin e saj në krah të një përcaktimi rigoroz: ç’kuptojmë me politikë kulturore e strategji të saj në këtë vend. Kjo është hallka e ndërtuar më keq, e për rrjedhojë, e mbajtur më dobët.

Ana teorike e prezantimit nuk aspiron ndonjë vizion përveç eventeve që mbulojnë e nxisin nisma me sa më shumë para vetë institucionet e kulturës qendrore.

Në raporte paralele investimet shkojnë për të mbushur programe të varfra, shpesh realizime e prodhime të dobëta që e humbin gjurmën brenda një jave. Justifikimet shpesh nxisin lojën spekulative të ministrit në emër të përfshirjes së të rinjve, apo promovimit të “vlerave” në nivel ndërkombëtar. Por këto janë tashmë janë shndërruar në mashë për gënjeshtra të reja për kulturën tonë të varfër, ku vetëm konkurrenca artistike në një treg të lirë të vlerave mund ta dallonte. Kjo duket se nuk ka gjasë të ndodhë kurrë, për aq kohë sa ministrat vijnë e ikin pa pasur përgjegjësi e vizion mbi këtë politikë kulturore. As miratimi i ligjit të artit skenik nuk e shmangu të vërtetën e kësaj varfërie, ku më shumë duket se ndërtoi një organizëm fantazmë brenda ministrisë për të ç’orientuar paratë që hyjnë e dalin në ministri dhe ku askush nuk jep llogari, e nuk tregon transparencë. Në emër të konkurseve kombëtare rrezikon izolimi i ri kulturor. Janë krejt të paarsyeshme nga ana e Bumçit apo këshilltarëve të tij si duket mediokër për kulturën koncepti i mbylljes së festivaleve serioze të organizuar deri tani, sidomos kur këto përfshijnë dhe imazhin turistik të vendit. Ndërsa vazhdojnë të jenë të dyshimta veprimet e ministrit të Kulturës, kur kalkulohen fondet për kulturën. Mungesa e një transparence dhe formaliteti, mungesa e përgjegjshmërisë në nisma që nuk reflektojnë qëndrueshmëri të një politike të qartë kulturore e tejkalojnë kompetencën e tij si drejtues.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency