Humbja e statusit, Rama “harron” tri ligjet: BE nuk hapi derën për shkak të korrupsionit

0
147

Gëzim Saliu

Ditmir Bushati: BE pret nga Shqipëria atë çka mori nga Kroacia, Bullgaria dhe Rumania


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzon qeverinë për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Edhe pse Brukseli kërkoi me ngulm deri në fund votimin e tri ligjeve si të vetmen mundësi për marrjen e një përgjigjeje pozitive, për kreun e selisë rozë, humbja e statusit për të tretin vit radhazi erdhi kryesisht për shkak të mosangazhimit të ekzekutivit për zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe pamundësisë sipas tij për të ndalur korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. “Shqipëria e gjen veten sërish të refuzuar sepse nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak se vendi është mbytur në batakun e korrupsionit dhe s`ka luftuar krimin e organizuar se është zhytur në fund të batakut botëror të korrupsionit, krah për krah me Nigerinë dhe Etiopinë dhe për shkak të rolit të qeverisë për mos përmbushjen e 12 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian”, – tha Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.

 

Bushati

Kryetari i Komisionit të Integrimit njëkohësisht deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, duke analizuar procesin e integrimit të vendit, deklaroi para deputetëve të selisë rozë në mbledhjen e grupit parlamentar se janë realizuar vetëm një pjesë e 12 prioriteteve të vendosura nga BE dhe ku opozita ka dhënë sipas tij kontributin vendimtar. “Vendet anëtare konfirmojnë shqetësimin e tyre, i cili është një shqetësim për hir të së vërtetës, i trajtuar në mënyrë jashtëzakonisht shteruese nga ana e Komisionit Evropian, për mosfunksionimin e shtyllave kryesore, që mbajnë në të vërtetë ngrehinën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Vendet anëtare flasin shumë qartë për reformën e munguar në sistemin e drejtësisë, për mungesën e pavarësisë në mënyrën se si funksionojnë dhe se si japin drejtësi institucionet e institucionet e drejtësisë në Shqipëri, për mungesën e institucioneve demokratike, të cilat janë aty për të kontrolluar që jeta publike shqiptare ushtrohet brenda binarëve të Kushtetutës dhe të ligjit. Për luftën e munguar kundër korrupsionit dhe mungesën e provave të qarta që Shqipëria është në drejtimin e duhur”, – tha Bushati. Më tej, deputeti socialist nënvizoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, sipas konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, konsiderohen si kryetesti për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe më pas për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. “Pra, është e thënë në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, që zgjedhjet kanë një rëndësi esenciale dhe kanë një rëndësi shumë më prioritare se të gjitha prioritete e tjera, jo thjesht për të pasur avenirin evropian, por pikësëpari për të pasur një ambient normal, institucional, politik e shoqëror në Shqipëri”. Në këtë kontekst, Bushati fajësoi qeverinë se nuk ka arritur të përmbushë prioritet e Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë më parë Kroacia apo Rumania. “Prova të pakundërshtueshme në luftën kundër korrupsionit, dhe kur flasim për prova të pakundërshtueshme në luftën kundër korrupsionit, kryesisht BE pret nga Shqipëria atë çka mori nga Kroacia, atë çka mori nga Mali i Zi, atë çka mori nga Bullgaria në një moment, atë çka mori nga Rumania, pra raste konkrete të zyrtarëve të lartë, të cilët i nënshtrohen gjykimit, si dëshmia më e qartë që në këtë vend askush nuk qëndron mbi ligjin; Kryeministri për fat të keq i ngjan fabulës së atij të mbyturit që kërkon të mbysë tani edhe Shqipërinë. Është i paaftë që të ofrojë reforma të qëndrueshme të cilat janë thelbësore për këtë proces, që kanë të bëjnë para së gjithash me transformimin e jetës tonë demokratike, me zhvillimin e ekonomik dhe social dhe me emancipimin e shoqërisë”, – përfundoi deputeti socialist Ditmir Bushati.

Statusi, Sequi: Nuk u plotësohen tre kushtet, prandaj e humbët

Ambasadori i Bashkimit Evropian ne Tirane, Ettore Sequi, ka lajmëruar dështimin për herë të tretë të Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar se Shqipëria mund të presë nga vendet anëtare një vendim pozitiv për statusin vetëm kur të plotësojë 3 kushtet e vendosura nga Komisioni në 12 tetor. “Në tetor, KE i ka rekomanduar shteteve anëtarëve dhënien e statusit të vendit kandidat, menjëherë sa të plotësohen disa kushte, ai i ligjit për Gjykatën e Lartë, reformën e Parlamentit, nëpunësit civilë. Përveç atyre është kërkuar që të tregohet një vullnet i qartë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri Fule tha qartë se KE do të përgatisë edhe një raport tjetër për Shqipërinë sapo të ishin plotësuar këto kushte. Kjo do të thotë se kur të plotësohen këto kushte, në këtë moment Këshilli Evropian do të bëjë rekomandimin, në atë moment shtetet anëtare do të marrin një vendim. Shqipëria nuk i ka plotësuar këto kushte dhe KE nuk ka paraqitur një raport”, – deklaroi ambasadori Sequi. Sipas ambasadorit, sapo të miratohen ligjet, shtetet anëtare të BE-së do të informohen dhe në mbledhjen e radhës do të vendosin nëse Shqipëria do të jetë vend kandidat për në Bashkimin Evropian. “Sapo Shqipëria t’i përmbushë këto kushte, natyrisht që KE do t’i lajmërojë shtetet anëtare. Këshilli i Ministrave mblidhet disa herë në vit dhe në takimin e ardhshëm, pasi të jetë bërë raporti i KE-së atëherë do të merret vendimi për Shqipërinë. Shpresoj ta merrni statusin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave”, – pohoi ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Ettore Sequi.

 

“Zgjidhja me tryezë partish”, PDIU: Mosplotësimi i tri kushteve, la “topin në fushën tonë”

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu dje keqardhjen për mos marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, duke nënvizuar se fajtorë kryesorë për këtë fakt janë mosmarrëveshjet e brendshme, ato të cilat kanë frenuar rrugën evropiane të Shqipërisë. “Ky lajm i keq vjen pikërisht në kohën kur 22 vjet më parë mijëra të rinj shqiptar rrëzuan komunizmin me ëndrrën e madhe për ta parë Shqipërinë si gjithë Evropa. Por kjo ëndërr ende nuk po realizohet. PDIU ribënë dhe një herë thirrjen e saj, tashmë të njohur prej muajsh, për mbledhjen e një tryeze të të gjithë partive politike, për të arritur në një zgjidhje të këtij ngërçi të krijuar, në mënyrë që shqiptarët të jenë të barabartë përkrah të gjithë shteteve të tjera, aty ku realisht e kanë vendin. Mosplotësimi i 3 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian, solli që Komisioni Evropian të heshtë për Shqipërinë duke e lënë “topin në fushën tonë””, – shprehej PDIU në deklaratën e saj. Më tej, kjo forcë politike nënvizoi se i takon palëve në vend, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, që të tregojmë se mbi gjithçka tjetër, duhet të vendosim Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. “Si 100 vite më parë, duhet t’i tregojmë të gjithë kombit tonë dhe botës se ky vend ka njerëz të aftë që mendojnë dhe punojnë për të mirën e këtij vendi. Le të shërbejnë si frymëzim për të gjithë vargjet e të madhit Pashko Vasa: “Për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”, për të treguar dhe një herë lidhjen shpirtërore dhe historike me Evropën, jo vetëm atë gjeografike”, – përfundoi deklaratën e saj PDIU.

 

Ministri i Jashtëm gjerman: Zgjedhjet nuk janë kusht për statusin

Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Micahel Link deklaron se zgjedhjet nuk janë kusht për statusin e vendit kandidatit për Shqipërinë. Në një intervistë për “ABC News”, Link theksoi se në 2013 Shqipërisë duhet të hedhë një hap konkret përpara në integrimin evropian, por momentalisht, pa përmbushjen e kushteve, nuk mund të flitet për një datë të caktuar. “Zgjedhjet sigurisht që nuk janë kusht për statusin. Por të gjitha zhvillimet kanë peshën e tyre në integrimin evropian. Ndaj është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, që ajo të tregojë, që vendi po avancon në këtë rrugë. Besoj, se 2013 duhet të sjellë për Shqipërinë një hap konkret përpara, por tani është tepër herët për të folur për data konkrete. Për zgjerimin, ne mendojmë, se të japësh data të qarta, gjë që ne e kemi bërë tepër shpesh në të shkuarën, kjo nuk jep frytet e pritura. Më e rëndësishmja për ne është që secili që do që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, nuk duhet të lëvizë në minutën e fundit. Ky është një nga mësimet që kemi nxjerrë në të shkuarën nga shumë procese zgjerimi. Është thelbësore, që çdo shtet kandidat apo potencial kandidat të ecë në kohën e duhur në procesin evropian dhe jo minutën e fundit, në mënyrë që të favorizojë mbështetjen nga shtete anëtare. Në këtë aspekt ka shumë për të bërë nga kandidatët”, – tha ministri gjerman. Më tej ai pohoi se në rastin e Shqipërisë, duhen plotësuar kriteret kyçe për statusin. “Ne e mbështesim shumë perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe ju jeni shumë afër saj, por së pari duhet të plotësohen kriteret. Ju jeni në një rrugë të mbarë për plotësimin e kushteve, por është ende herët për të vendosur për akordimin konkret të statusit të kandidatit. Gjermania mbetet një mbështetëse e statusit në një të ardhme të afërt”, – deklaroi ministri gjerman për Çështje Evropiane, Micahel Link.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency