Bota e parë në sytë e një fëmije të moshuar

0
146

Sot në mbrëmje në galerinë “Zeta” hapet ekspozita “Overpass” e piktorit Lekë Tasi, që do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor

“Mbikalimi / Overpass-i i Lekë Tasit është një shkokëlim i metaforës së kalimit nga një pafajësi te tjetra, nga një “frame” kujtese te një “frame” ëndrre, nga një shkarje dore te një ngërç kontrolli, nga muzika te piktura, nga buzëqeshja te diskreditimi. Botë e parë me sytë prej sferash të qelqta të një fëmije të moshuar”, – shkruan Stefan Çapaliku në rastin e hapjes së ekspozitës së piktorit e shkrimtarit Lekë Tasi, sonte në orën 18:30 në galerinë “Zeta”.

Njëherësh kurator, Çapaliku ndalet në konceptin e kurioziteti artistik si rast në pikturën e Tasit, që mban titullin “Overpass” (Mbikalimi). “Arti si lojë, si festë dhe si simbol. Këto tre elemente të transcendentales së veprës artistike vinë e shfaqen në pikturat e Lekë Tasit nëpërmjet karaktereve groteskë të vendosur ndër rrethana tensioni dramatik, në një botë metafizike që mbaron dhe zhduket matanë linjave të kornizës. Piktura e tij është një fakt i ri semiotik në historinë e artit bashkëkohor shqiptar. Artist thellësisht i angazhuar dhe i vendosur në sordinën e epokës sonë të çatrafilluar”.

Lekë Tasi u lind më 1929 në Athinë. I ati, Koço Tasi, ish-anëtar i Parlamentit dhe i qeverisë, kishte emigruar në fund të 1924 si opozitar i Zogut. Riatdhesohet më 1941. Leka studion muzikë dhe në periudhën l946-l967; punësohet si violonçelist në radio, filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operas. Në 1975 internohet familjarisht në Grabian të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Frut i kësaj periudhe të vështirë është libri i tij me titull “Grabiani rrëzë kodrave”, botuar në 2009. Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më 199l, ku shërben deri në 1998. Pas vitit 1998 jeton si artist i lirë: pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkruan artikuj në shtyp, duke u përqendruar më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi. Ka botuar gjithashtu romanin “Korridori me vetratë” më 2004.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency