Autoritetet lokale e rajonale në BE Basha: Qytetarët, pjesë e vendimmarrjes së qytetit

0
101

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, po merr pjesë në mbledhjen e grupit të përbashkët të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe Komitetit të Rajoneve të BE-së. Anëtarë të këtij grupi janë Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, presidenti i Dhomës së Autoriteteve Lokale, përfaqësues nga Norvegjia, Danimarka etj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, z. Basha, në cilësinë e anëtarit të grupit të kontaktit, përfaqësues i Këshillit të Evropës u ndal në rëndësinë që Këshilli i Evropës i kushton pjesëmarrjes së qytetarëve, në demokracinë lokale. Z. Basha ka sjellë eksperiencën e Bashkisë së Tiranës, në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Ndër çështjet që po diskutohen në këtë takim janë prioritetet e Kongresit për periudhën 2012-2016 dhe axhenda politike e Komitetit të Rajoneve 2012-2015. Një vend të veçantë, në diskutim i kushtohet kontributit që Komiteti i Rajoneve duhet të japë, për implementimin e politikës së fqinjësisë së BE-së. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu, për qasjen mbarevropiane, për një qeverisje të mirë dhe në veçanti bilancin e Javës Evropiane të Demokracisë Lokale, në luftën kundër korrupsionit, në nivel lokal dhe rajonal. Gjendja e procesit të decentralizimit në Bashkimin Evropian, roli i autonomisë lokale dhe rajonale, në zhvillimin e politikave të BE-së dhe zbatimin e tyre janë tema të këtij takimi që po mbahet në Paris. Programi i vëzhgimit të zgjedhjeve në vitin 2013, të Kongresit dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve në këtë fushë, është një tjetër çështje e shtruar për diskutim, në mbledhjen e grupit të përbashkët të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe Komitetit të Rajoneve të BE-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency