Ambasadori i OSBE-së për integrimin: Kur ka bllokim, kemi ngecje në vend, kjo po ndodh me Shqipërinë

0
126

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, i bëri thirrje klasës politike shqiptare të punojë si një grup i vetëm kur është fjala për proceset integruese të vendit. Sipas tij, bllokimi i reformave nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë. “Për Shqipërinë dhe politikanët e saj, për klasën politike – qofshin lidershipi i partive apo deputetët – është e rëndësishme të kuptojë që vetëm kur Shqipëria luan si ekip, ekipi “Shqipëria”, së bashku, për të arritur shumicën e cilësuar, e cila është e nevojshme për të ndërmarrë hapat e reformës të kërkuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian, atëherë mund të ketë sukses. Pra, lojë skuadre dhe zhvillimi i duhur i procesit të reformave. Prezenca e OSBE-së këtu ndihmon me shtetin e së drejtës: fuqizimin e institucioneve demokratike, si parlamenti, por edhe autoritete të tjera; me zgjedhjet – ky është një tjetër moment kyç vitin e ardhshëm në 2013-ën; dhe gjëra thelbësore si këto. Disa prej tyre janë politike, të tjerat janë shumë teknike. Kur këto kryhen, sa herë është e mundur, nga ekipi Shqipëria, atëherë unë shoh mundësi të mëdha për bërjen e përparimit të nevojshëm. Kur kjo nuk ndodh, kur ka bllokim, atëherë kemi një ngecje në vend dhe kjo është ajo që, me sa duket, po ndodh këto ditë. Nuk është fundi i botës, por, padyshim, nuk është lajm i mirë. Do të doja të shihja një integrim të mirë e cilësor dhe, për këtë, e përsëris, puna në ekip do të ishte emri i lojës. Unë shpresoj ta shoh këtë – nëse guxoj do të doja ta shikoja që përpara zgjedhjeve të 2013-ës. Ndoshta duhet të presim deri pas zgjedhjeve, por do të doja ta shihja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kam përshtypjen se nuk jam i vetmi që e dëshiroj këtë”, – u shpreh Wollfarth. Gjatë intervistës së tij të dhënë për Ora News, ambasadori i OSBE-së vlerësoi marrjen e detyrës nga kryeprokurori i ri Adriatik Llalla dhe u shpreh optimist për funksionimin e pavarur të këtij institucioni. “Ai mori besimin e parlamentit, ku shumica e deputetëve votuan për të. Ai ka një të shkuar të shkëlqyer, si dhe ka përvojë në luftën kundër korrupsionit, e cila, në shumë raste, ka lidhje edhe me krimin e organizuar dhe keqbërje të tjera. Kjo është një bazë që duhet të mundësojë bërjen e një pune të shkëlqyer në të ardhmen. Ky pozicion është shumë i veçantë. Ai duhet të jetë gjithmonë i pavarur, bazuar në shtetin e së drejtës, duke filluar me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi, në një mjedis ku shumë sfida vijnë thuajse nga të gjitha anët. Pra, lejomëni t’i uroj shumë suksese, në mënyrë të veçantë, pasi kjo detyrë është jetike edhe për çdo proces të mëtejshëm integrues”, – tha Wollfarth.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency