Takimi me Haradinajn, Berisha: Vendimi për shtetësinë miratohet nga qeveria së shpejti

0
140

Ina Jano

Vendimi prodhon stabilitet në rajon, të bashkuar në Bashkimin Evropian

Haradinaj: AAK ka nderin që të ketë partneritet me Partinë Demokratike të Shqipërisë

 

Kryeministri Berisha bëri dje të ditur se vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare për të gjithë ata që ndodhen jashtë kufijve të vendit, do të merret shumë shpejt, pikërisht në javët në vijim në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Në konferencën e përbashkët për shtyp, me udhëheqësin e aleancës për ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili zhvilloi të hënën një vizitë zyrtare në Shqipëri numri një i mazhorancës nënvizoi faktin se vendimi për shtetësinë shqiptare do ti hapë rrugë stabilitetit rajonal. “Unë këto javë do të miratoj vendimin në qeveri, në përputhje me ligjin ekzistues, i cili autorizon dhënien për interesa ekonomike të shtetësisë shqiptare. Si thoni ju, tani, unë tu vë një taksë shqiptarëve për të marrë në shtetësinë shqiptare? Ata e kanë paguar këtë taksë. Për ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe pavarësisë, pavarësi, ata e kanë paguar taksën kudo që janë. Nuk mund ti bëj unë të huaj ata”, – tha kreu i ekzekutivit. Gjithashtu, zoti Berisha tha se në këtë pikë nuk ka asnjë përfitim ekonomik, nga ana e shtetit shqiptar, por nga ana tjetër nënvizoi faktin se shtetësia do të jetë edhe për ta huajt ashtu siç kanë bërë vende si Bullgaria dhe të tjera të cilat kanë dhënë shtetësi për shtetasit të cilët do të investojnë në Shqipëri. Gjithashtu Kryeministri theksoi faktin se deklarata e tanishme për dhënien e shtetësisë shqiptare nuk është jashtë kontekstit dhe jashtë kufijve të realitetit. Duke bërë një paralelizëm ai u shpreh se të njëjtën gjë ai e ka bërë edhe në kohën kur ka qenë President i vendit, në vitin 1992. Për këtë temë, shefi i qeverisë deklaroi: “Sapo unë u deklarova për nënshtetësinë shqiptare të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, u përballa jo vetëm me reagimin e albanofobëve, por edhe të mediave shqiptare, të cilave do ju kujtoj një moment. Lexoni dekretin e korrikut të vitit 1992 te ish presidentit Sali Berisha. Tu them të vërtetën, me sinqeritet nuk e kisha lexuar, por nuk ka nevojë të lexosh gjerat që i do. Unë kisha riprodhuar në deklaratën time pikë për pikë dekretin. Në atë kohë nuk kishte një reagim, ndërsa tani që po ecën drejt këtij procesi, tani duket si një lloj habie. Në këtë Shqipëri janë aksionarë shqiptarët kudo që ndodhen edhe ata të diasporës. Historia nuk është për tu mohuar. Lexoni aktin e pavarësisë, kush e ka firmosur. Lexoni kuvendin e parë, kush e përbënte. 18 delegatë ka pasur Kosova. Të vetët kanë patur shqiptarët në Maqedoni. Dhe këto janë të vërteta pozitive, të cilat nuk lëndojnë askënd”, – sqaroi lideri i mazhorancës. Nga ana tjetër ai e vlerësoi vizitën e zotit Haradinaj në Tiranë, si një ngjarje shumë të rëndësishme në 100 vjetorin e pavarësisë, pasi zoti Haradinaj si komandant i radhëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor në lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Kryeministri vlerësoi rolin dhe angazhimin e zotit Haradinaj, në Kosovën e pasluftës, për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike, si dhe në mbrojtjen me guxim dhe vendosmëri të lirive dhe te drejtave të minoriteteve në Republikës së Kosovës dhe rindërtimit tërësor të saj. “Është një nder i madh dhe privilegj për mua që vij sot në Shqipëri pas sfidave nëpër të cilat kam kaluar, si .dhe për tu takuar me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ky nder shtohet edhe më shumë kur dihet se sa shumë qytetarët e Kosovës e duan dhe e nderojnë Kryeministrin Berisha”, – vlerësoi kreu i AAK-së. Ai deklaroi se forca e tij politike i përket qendrës së djathtë dhe kjo do të thotë që do të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Demokratike, të udhëhequr nga zoti Sali Berisha. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për hapësirat e gjera të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës si dhe u theksua se konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së Kosovës është interes jetik i shqiptarëve, ndërsa përpjekja për bashkim kombëtar është ideali udhëheqës i shqiptarëve kudo që ndodhen.

 

Meta: Intensifikim të marrëdhënieve LSI-AAK

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, priti në selinë e LSI-së, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë mes LSI dhe AAK dhe shprehën bindjen se mbarë hapësira shqiptare në rajon sot, është më e çliruar dhe më e fortë se kurrë. Zoti Meta, pasi e uroi z. Haradinaj për një rikthim dinjitoz dhe të shumëpritur nga të gjithë shqiptarët, i shprehu atij mirënjohjen për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar përgjegjshmërinë e lartë të treguar nga Haradinaj dhe AAK në shërbim të mbarëvajtjes së bisedimeve, si një kontribut të çmuar në interes të konstruktivitetit dhe paqes në rajon. Kreu i AAK-së, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë, vlerësoi rolin e z. Meta dhe të LSI-së si pjesë e koalicionit qeverisës në Shqipëri për një politikë të jashtme dhe rajonale tepër aktive në shërbim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, z. Haradinaj shprehu angazhimin e plotë të partisë që ai drejton në interes të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të garantimit të të drejtave të të gjithë pakicave, siç është sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ndërkohë që Haradinaj u takua edhe me shefin e opozitës, Edi Rama me të cilin dha edhe një konferencë për shtyp nga selia rozë.

 

Nishani nderon Haradinajn me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Në kuadër të vizitës së tij një ditore në tiranë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, u taku edhe me Presidentin Bujar Nishani. Ky i fundit e dekoroi zotin Haradinaj me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” me motivacionin, ndër të tjera“Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës”. Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, në mjediset e institucionit të presidentit ishte i pranishëm Kryeministri Sali Berisha. Në fjalën përshëndetëse të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar çmoi lart veprimtarinë dhe kontributin e paçmuar patriotik e kombëtar të zotit Haradinaj. Presidenti Nishani u shpreh: “Është kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë, të vlerësojmë dhe t’i shprehim mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë të përkushtuar të kohëve moderne të Shqipërisë, zotit Ramush Haradinaj, i cili së bashku me bashkëluftëtarët e tij në Kosovë diti t’i dalë zot vendit të tij, popullit të tij, trojeve të shqiptarëve, dinjitetit të shqiptarëve dhe të ndeshet me një makineri të egër, që synonte spastrimin etnik, që ushtronte gjenocidin ndaj një populli, ndaj qytetarëve, ndaj një vendi. Por, gjithashtu diti në përmasat e një burri shteti të punojë fort me mjaft bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, politikanët dhe institucionet e Kosovës në konsolidimin e një shteti të ri, që po përparonte me shpejtësi drejt gjithë atyre standardeve të demokracisë për një shtet evropian. Por, gjithashtu kurrë nuk i iku përballjeve, rezistencës, duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës të ruante të pacenuar, të ruante të paprekur dinjitetin e një lufte rezistente, dinjitetin e një lufte çlirimtare, dinjitetin e një lufte së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve”, – theksoi Presidenti i Republikës.

 

Haradinaj në Kuvend: Shqiptarët kanë zgjedhur rrugët drejt BE-së

Për nder të ish-kryeministrit të Kosovës, Parlamenti i Shqipërisë u mblodh dje në një seancë të posaçme, rreth orës 18:00. Në fakt, seanca ishte e shkurtër, pasi ishte vetëm fjala e Kryetares, zonjës Jozefina Topalli, e cila vlerësoi se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia doli me drejtësinë, dhe fjala e zotit Haradinaj. Sipas tij, Shqipëria ka bërë progrese të mëdha. “Tashmë shqiptarët janë faktor kyç në rajon dhe rruga e kombit tonë është drejt BE-së dhe NATO-s. Është nder t’u drejtohem të zgjedhurve të Shqipërisë”, – u shpreh Haradinaj. “Pamja e Shqipërisë dhe shqiptarët janë parë ndryshe, por aspiratat kanë qenë të njëjta. Liria erdhi, por me flijime të mëdha. Sot faktori shqiptar është kyç për ekonominë, paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne jemi gjeneratë dëshmitare se tanimë kombi shqiptar me vullnet të lirë e ka zgjedhur rrugën e tij drejt NATO-s dhe BE. Unë do të angazhohem në këtë drejtim. Ky shekull ka filluar për së mbari për shqiptarët, por besoj se kemi potencialet për ta bërë Shqipërinë një dritë të vërtetë”, – tha Haradinaj përpara ligjvënësve të Kuvendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency