Reportazh në Kalivaç, aty ku një vijë ujë kushton 80 milion euro

0
187

Njerëzit që e kanë rrahur shpesh atë rrugë, tregojnë se ka vite që aty veç hapen gropa e gërmohet. Gërmohet e gërmohet pa kohë! Nuk besojmë se kjo është ironi e fshatarëve në ato anë!

 

Në këto ditë kur qielli është nxirë nga moti i keq dhe zymtësia e ka vendin natyrshëm në dimër, sidomos kur sheh vende të gërryera e male të ngrëna prej ekskavatorëve buzë lumi – nuk mund të jesh indiferent. Kjo gjendje trazohet akoma më keq, kur mëson se në vende të tilla janë hedhur miliona dhe gënjeshtra e bën akoma më të thellë gropën e punëve të lënë në mes.

Këtë të thonë në fshatin Kalivaç, kur kalon pranë lumit dhe sheh si gojë të mëdha kanë ngrënë kodrën e bregun bashkë, e qëndrojnë ashtu të hapura prej kohësh. Është pamje më tej se e zymtë, duke iu afruar imazhit të katastrofës që nuk kapërdihet aq lehtë në atë zonë.

Është hidrocentral! Jo, absolutisht. Siç shihet nga fotot pamja e ofruar është jashtë normales. Duket qetësi aty rrotull. Por, njerëzit dhe makinat që shkelin ato rrugë e ngacmohen nga pamja sigurisht që tundin kokën në keqardhje edhe pse ironia ka përballë një kodër gërmuar shkallë-shkallë. Ja ky është “hidrocentral”?! Më tutje një kanal me ujë të turbullt përcjell gjithë pamjen krejt i vetëm. Ndërsa lumi është shndërruar në një gjendje katastrofale. Realisht vështirë të marrë këtë emër sot. Mbi përbërjen e tij gurore është improvizuar një rrugë që duket prej kamionëve të rëndë. Ndjekim këtë gjurmë dhe në vend na ndal përpara, ashtu siç e parashikuam: një automjet i ndarë në dysh, koka në një anë e rimorkio në anën tjetër. Rrinë në baltë prej kohësh, po buzë lumit. Njerëzit, që kalojnë në të rrallë aty tregojnë se ka kohë ajo gjendje. Edhe pse dihet që aty do të ndërtohej një hidrocentral, ose të paktën duhej të ishte mbaruar tashmë, askush nuk e di pse ajo gjendje ka mbetur në vend.

Njerëzit që kanë rrahur shpesh atë rrugë tregojnë se ka vite që aty veç hapet gropa, e gërmohet. Gërmohet e gërmohet pa kohë! Nuk besojmë se kjo është ironi e fshatarëve në ato anë! Por është shqetësim real i tyre jo vetëm për dijeninë që kanë se aty ka qenë menduar një hidrocentral, por se pafundësia e gërmimit e bën akoma më misterioze atë vend. Banorët rrëfejnë se dhe ura që u ndërtua iku shumë shpejt dhe me fjalët e zonës së tyre theksonin se “iku dhe një urë, tani do ikin dhe makinat që gërmojnë kot”.

 

Qetësia përzier me frikën e errësirës i detyron njerëzit të mendojnë se aty ka punë të liga. Të liga ata mendojnë sot se si gënjehet aq lehtë me paratë. Pa qenë nevoja të kesh një vesh të kujdesshëm të dëgjosh këta zëra, po ashtu dhe sy të vëmendshëm se si gërmimet kanë krijuar pellgje uji – fotografitë që po shoqërojnë e tregojnë këtë. Ndërsa në anë tjetër nuk janë aq budallenj njerëzit aty sa të mos marrin vesh kur në të rrallë kanë parë që të zbarkojnë ca njerëz interesantë aty, të veshur e “të krehur”. Tamam si në ndonjë film konspiracioni t’i tregojnë detajet, ndërsa më të guximshëm janë kur denoncojnë se e dinë shumë mirë vlerën e parave që ka marrë firma e ngarkuar për hidrocentralin dhe se përveç punës për ngrënien e malit dhe ngrënies së këtyre parave nuk kanë bërë gjë tjetër! Ne qeshim nga këto reflektime që shkojnë midis naivitetit por dhe një force të brendshme qytetarie për të mos heshtur, por për të rrëfyer atë që “nxihet” nga retë e mbulohet nga uji i lumit në ditë të zymta.

Ikim pa kthyer kokën pas, përcjellë me sytë e vendasve që presin që aty të ketë ndonjë shkëndijë në vend të gërmimeve të herë pas hershme, që me shumë ironi e fshehin të vërtetën. Mali i gërryer, e kthyer në një ngjashmëri të shkallëve që me shumë fantazi mund ta quajmë “digë” ka përballë reliktet e ekskavatorin, shkëlqyer njëqind copash… po ashtu ka përballë njerëzit që e shohin prej vitesh këtë pamje, e sot nuk druhen të flasin e të denoncojnë; ç’po bëhet me lumin, ç’po bëhet me hidrocentralin, ç’po bëhet me njerëzit që marrin para për këtë, dhe ç’është bërë me këto para?!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency