“Rama ndëshkoi shqiptarët”, Berisha: Bllokimi i tri ligjeve, faturë e PS-së në 2013-ën

0
159

Ina Jano

“Darka e gabuar”, komplot ndaj Berishës

Kryefjalë e buxhetit, hapja e vendeve të reja të punës

Në ditën kur në Bruksel ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së diskutonin për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, kreu i ekzekutivit, Berisha, deklaroi se bllokimi i tri ligjeve nga ana e opozitës do të ketë kosto politike për këtë parti. Ai tha se me veprimin e tij Rama ndëshkoi vetëm shqiptarët, dhe jo qeverinë, duke nënvizuar këtu faktin se mosvotimi i tri ligjeve do të sjellë kosto vetëm për popullin. Kryeministri pranoi se mesazhi që u dërgua në Bruksel, ishte një mesazh tërësisht negativ dhe pohoi faktin se kur nuk votohen ligjet në vend, pse duhet që të pritet që të votojnë të tjerët për ne, duke pranuar në një lloj mënyre edhe përgjigjen negative që pritet të vijë në fundjavë nga Brukseli. “Unë e mbyll këtë ekspoze me thirrjen time që zoti Rama t’i votojë tri ligjet e kërkuara, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe mesazhi është i pariparueshëm. Dua t’i njoftoj shqiptarët se mesazhi që u dërgua në Bruksel, ishte qartësisht negativ: Kur ju nuk votoni për veten tuaj, përse duhet të votojmë ne për ju, kur ju nuk votoni tri ligjet që ju kërkohen për statusin, përse do të votojmë ne për ju. Megjithatë, procesi i integrimit është një proces i gjatë dhe kompleks dhe unë i bëj thirrje që, në nderim edhe të këtij 100-vjetori, por edhe në reflektim të dëmit të madh që i bëri vendit, le t’i votojmë ato. Është kalkulim absolutisht i gabuar, në qoftë se vazhdon të besosh se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Jo. Votimi i tyre ndihmonte çdo shqiptar, ndërsa mosvotimi do të jetë një faturë shumë, shumë e rëndë mbi ata që përdorën pushtetin e qytetarëve për t’i bllokuar. Prandaj, pavarësisht se e bllokove procesin, le të votojmë dhe në këtë mënyrë të dëshmosh se nuk mund të qëndrosh në një politikë bllokuese”, – nënvizoi kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

“Darka e gabuar”

Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor, kreu i qeverisë veçoi një episod të ndodhur para disa ditësh në një nga lokalet e Tiranës. Kryeministri e quajti si “darka e gabuar” një komplot ndaj tij personalisht. Ja se si e përshkroi Kryeministri një pjesë të kësaj ngjarjeje:Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek “Rozafa”, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish-bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Së pari, filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i kësaj teze ishte përzgjedhur nënkryetari i gjithëfuqishëm i PS-së, Koço Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes ishin Edi Rama, Spartak Ngjela. Ndërkohë, një ish-mik imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: ‘Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu?’ Spartaku ia kthen: ‘Në burg më futi, por më futi me ligje’. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: ‘Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm apo si të ftuar?’ Dhe ai u thotë se shtetin Enveri e kishte serioz”, – u tha lideri i qeverisë. Ai nënvizoi se gjatë kësaj darke u lartësua figura e Enver Hoxhës, por në këtë prizëm tha se Rama duhet të kërkonte falje për kohën e diktaturës dhe lartësimin e figurës së një diktatori çnjerëzor. Berisha rikujtoi edhe faktin se i kishte kërkuar Ramës që të kandidonte për deputet, por ai nuk kishte pranuar. Duke u ndalur në Ditën e Rinisë, lideri i mazhorancës, duke shigjetuar Ramën, tha se në festën që PS-ja organizoi me të rinjtë, mungonin Blushi dhe Majko, dy nga figurat e vetme që ishin pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit.

Buxheti

Hapja e vendeve të reja të punës është një nga pikat më kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm, që kaloi në parim të premten në seancën plenare. Sipas Kryeministrit, çdo vend pune hapet, pasi investimet janë të shumta dhe në çdo hidrocentral, serë, në bujqësi dhe blegtori ka njerëz që punojnë. Ai tha se shumë nga njerëzit nuk i dinë të gjitha këto vende pune që hapen dhe që janë të padukshme, pasi ndodhen në zona të largëta. “Janë mijëra, në mos dhjetëra mijëra vende pune, të cilat janë të padukshme për mediat, pasi po nuk shkoi Sali Berisha atje, nuk marrin kurrë mundimin të shkojnë. Unë mediat i kam miq, por me këtë gjë nuk mund të jem dakord, sepse atje janë rrogat e qytetarëve, atje është puna dhe djersa, atje kudo po krijohet Shqipëria tjetër, ndaj nxitja, inkurajimi i këtij procesi, përveç energjisë së prodhuar, konvertohet në dhjetëra mijëra vende pune”, – përfundoi Berisha.

 

 

Rama: Vendet e punës janë të padukshme

Kryetari i socialistëve, Edi Rama, ironizoi deklaratat e Kryeministrit Berisha për vendet e reja të punës, në mbledhjen e grupit të PD-së. Në një reagim të shkurtër në rrjetin social Twitter, Rama shkroi: “Parafytyrojeni një Kryeministër në Bashkimin Evropian që thotë: “Ne krijojmë vende pune të padukshme, që mund t’i shihni vetëm përmes meje!” Kryeministri Berisha deklaroi se krijimi i vendeve të reja të punës është një nga synimet madhore të projektbuxhetit të këtij viti, duke nënvizuar edhe fatin e madh që të gjithë shqiptarët kanë, që në kohë krize do kenë në dispozicion një buxhet prej 410 miliardë lekësh.

 

Qëndrimi kundër, Rama: Statusi, pas zgjedhjeve të 2013-ës

Në konferencën për shtyp me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, numri një i selisë rozë u pyet nga mediat në lidhje me refuzimin e statusit Shqipërisë të vendit kandidat. Rama e cilësoi si një lajm jo të mirë për gjithë vendin, por nga ana tjetër tha se kur Shqipëria të mbajë zgjedhje të drejta, do të mundet të bëhet anëtare e familjes së madhe evropiane. “Sigurisht që nuk është një lajm i mirë, por nga ana tjetër ajo çka lajmësit do të shprehin si argument për mos marrjen parasysh të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, do duhet lexuar me shumë kujdes, në çdo rresht për të kuptuar se statusi i kandidatit është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të japë prova të prekshme të vullnetit për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, – tha Rama. Në fundjavë pritet që Shqipëria të marrë për herë të tretën jo nga BE, për shkak të bllokimit të ligjeve nga ana e Partisë Socialiste dhe mosvotimit të tyre në Parlament nga kjo forcë politike. Në fillim të tetorit, Komisioni Evropian rekomandoi statusin e vendit kandidat për vendin tonë, me kusht që të plotësoheshin edhe tre rekomandimet e mbetura nga 12 të parat. Në këto tre rekomandime përfshihet ligji për Gjykatën e Lartë, reforma parlamentare dhe ligji për nëpunësin civil, ligje të cilat ndodhen në Kuvend, por opozita refuzoi të japë votën për miratimin e tyre. Gjithashtu ajo vuri kusht problematikën e Fierit për të dhënë votën e saj pozitive në Kuvend.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency