METE: Kaluan afatet për kontratën, asnjë veprim pa marrë pagesën e garancisë prej 85 milionë euro

0
128

Blendi Hasani

Zv.ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se qeveria nuk ka ende një kontratë të nënshkruar me Vetro Energy, kompaninë që bleu Albpetrolin, ndërkohë që kompania Vetro i ka shkelur të gjitha afatet e parashikuara në ligj (afati i fundit kur duhej bërë derdhja e parave ka qenë 3 dhjetori). Ai ka pohuar se nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëjnë me Vetro Energy, ndërkohë që deri tani negociatat konsiderohen të dështuara dhe qeveria po synon të marrë 10% që Vetro Energy kishte vënë si garanci. Dervishaj ka pohuar se negociatat për momentin kanë mbetur pezull dhe qeveria po pret se çfarë do të thotë konsulenti Patton Boggs. Por, ai ka shtuar se, pa marrë pagesën e garancisë prej 85 milionë euro, “nuk do të vijojmë me asnjë veprim”.

Më parë, ministri i Financave Ridvan Bode ka pohuar sot për mediat se nuk ka asnjë zhvillim për procesin e privatizimit të kompanisë së naftës Albpetrol. Ai ka pranuar se afatet kanë skaduar ligjërisht, ndërkohë që kompania nuk ka bërë asnjë derdhje parash në buxhetin e shtetit. Bode ka ngritur supet lidhur me ecurinë e mëtejshme të procesit, duke thënë se nuk është kompetencë e tij, por e Ministrisë së Ekonomisë.

Albpetrol iu shit më se dy muaj më parë grupit Vetro Energy, për një shumë rekord prej 850 milionë euro. Aksioneri kryesor i kompanisë, që bleu Albpetrol, është biznesmeni shqiptar i njohur në fushën e naftës Rezart Taçi. Ndonëse kanë kaluar dy muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes, nuk është bërë ende kalimi i pagesës. Grupi Vetro pretendon se nuk mund të bëjë pagesën pa sqaruar disa probleme të pronësisë dhe hipotekës së puseve dhe të drejtat e naftës dhe gazit, ndërkohë që burime nga financat pohojnë se pronësia e puseve nuk përbën problem, për faktin se kompania thjesht i ka marrë në shfrytëzim ato për 25 vjet.

Arkëtimi i parave do të ishte një lehtësim i madh si për buxhetin e shtetit ashtu dhe për ekonominë shqiptare, pasi shuma prej 850 milionë euro është gati sa 10% e prodhimit të brendshëm bruto. Gjithsesi, financat në projektbuxhetin e vitit 2013 nuk i kanë parashikuar në buxhet të ardhurat e Albpetrolit.

Megjithatë, dje, zv.ministri Sokol Dervishaj iu përgjigj interesit dhe pyetjes së gazetarëve duke sqaruar se, nëse Vetro Energy do të depozitojë në ditët në vijim garancinë e kontratës, METE do të tregojë fleksibilitet për të vlerësuar rifillimin e negociatave, duke pasur në vëmendje rëndësinë e veçantë të këtij privatizimi.

DETAJ, SHIFËR

850

Milionë euro është shuma që ofroi Vetro Energy për blerjen e gjigantit shqiptar të naftës, Albpetrol

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency