Kupa është fatale për Rubion

0

Altin Vorpsi

Loading...

Pas disfatën me Bylisin drejtuesit e Flamurtarit largojnë teknikun Spanjoll

Tekniku spanjoll, pas javës së parë të Kategorisë Superiore, la Tiranën për Flamurtarin.

 

Ka rezultuar fatale humbja në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me Bylisin. Goli i Klodian Arbrit, shënuar që në minutën e 8-të të ndeshjes së të dielës, jo vetëm nuk është rikuperuar dot nga kuqezinjtë, që kanë shpërdoruar pa fund para portierit Haxho të miqve, por ka larguar Hulian Rubion nga kuqezinjtë.

 

Zhgënjimi

Drejtuesit e Flamurtarit nuk e kanë përtypur dot më tej zhgënjimin e skuadrës, duke e shkarkuar tërë zemërimin e tyre tek trajneri, i cili u mor me shumë bujë për të realizuar objektivat madhorë sezonalë, që Gjika  i kishte vënë vetes në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Pak javë më parë vetë presidenti i Flamurtarit, njëherësh kryebashkiak i Vlorës, njoftoi dorëheqjen “de facto” nga pozicioni i tij.

 

Krisja

Fati i spanjollit duket se u vendos që në dhomat e zhveshjes së lojtarëve, pas ndeshjes me Bylisin, ku krerët e klubit vlonjat kanë debatuar hapur dhe shprehur krisjen e tyre me Rubion. Vetë kryebashkiaku Gjika nuk ka ngurruar të kritikojë ashpër lojën e skuadrës dhe trajnerin. Veç tij, shefi i klubit, Geri Çipi, ka shkëmbyer disa fjalë me trajnerin Rubio në hyrje të dhomave, të cilat të linin të kuptoje për acarimin që ekzistonte mes drejtuesve dhe stafit teknik. Më pas drejtuesit kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, ku biseda ka vijuar me tone të larta. Mësohet se edhe trajneri spanjoll ka reaguar ashpër, duke ngritur disa herë zërin ndaj fjalëve të Gjikës. I pyetur për takimin e shkurtër që pati me presidentin, trajneri Rubio u përgjigj pa e lënë akoma stadiumin “Flamurtari”, të dielën në mbrëmje: “Nuk mund t’i deklaroj ato çka thuhen në familje, pasi ato janë probleme të brendshme”.

 

Bilanc i keq

Nën drejtimin e Rubios, vlonjatët kanë luajtur 12 ndeshje në kampionat, ku kanë marrë 5 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje, duke qenë të zhbalancuar dukshëm në raport me titullin, që kishin objektiv. Në fund të fazës së parë ata e shohin veten në vendin e 7-të, me 19 pikë, plot 14 pikë larg Skënderbeut, kampion dimri. Raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, po ashtu, kuqezinjtë e nisën keq, me një humbje në shtëpi përballë Bylisit, ndërsa e shohin veten në grupin B të këtij kompeticioni përkrah ballshiotëve, Teutës e Laçit. Rubio kishte firmosur një kontratë 1-vjeçare me presidentin Gjika më 30 gusht të këtij viti, duke marrë “timonin” drejtues të kuqezinjve pikërisht një ditë para ndeshjes së javës së dytë të Superiores me Laçin, të humbur minimalisht 1-0.

 

Pasardhësi

Burime pranë klubit vlonjat, por edhe nga trajneri peqinas, lënë të kuptohet se në krye të Flamurtarit mund të rikthehet Gugash Magani, që i shpalli kuqezinjtë nënkampionë të vendit para dy sezonesh, duke rivalizuar denjësisht me Skënderbeun për titull deri javën e fundit. Kontaktet dypalëshe thuhet se kanë nisur prej ditësh.

Loading...