Vlorë, pranga vrasasësit të pronarit të lokalit

0
235

Sonja Caka

Policia identifikon dhe arreston autorin e vrasjes së Amarildo Delajt, dyshohet për vrasje me pagesë

 

Tre muaj pas ekzekutimit mafioz në lokalin e tij të të riut Amarildo Delaj, arrestohet personi që dyshohet për vrasjen e tij. Por jo vetëm, pasi i riu nga Fieri i arrestuar për këtë vrasje të 3 muajve më parë, dyshohet të jetë vrasës me pagesë dhe të ketë kryer edhe krime të tjera në qytetin bregdetar dhe në kryeqytet. Fakti bëhet me dije nga burime zyrtare të policisë së Vlorës, të cilat njoftojnë arrestimin e Bledar Jambellit, ndërsa shtojnë se dyshohet edhe për disa vrasje të ndodhura në Vlorë dhe Tiranë.

Arrestimi

Në orët e vona të dy netëve më parë, policia vuri në pranga 32-vjeçarin Bledar Jambelli nga Fieri, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e të riut Delaj. Sipas policisë, kanë qenë hetimet 3-mujore të policisë në bashkëpunim me organin e akuzës të cilat çuan te autori i dyshuar, i cili dyshohet edhe për vrasje të tjera të ndodhura në Vlorë dhe Tiranë. Referuar të dhënave zyrtare të policisë së Vlorës, 32-vjeçari Jambelli nga Mbrostari i Fierit ishte shpallur në kërkim nga policia për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Po sipas policisë, “nga hetimet e kryera Strukturat Kundër Krimeve të Rënda, dyshohet se 32-vjeçari është autori i ngjarjes së ndodhur më datë 4 shtator 2012 në lagjen “Osmën Haxhiu”, në ambientet e lokal Klind, ku është vrarë me armë zjarri Amarildo Delaj, si dhe janë plagosur dy persona të tjerë. Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se Jambelli është autor edhe i disa ngjarjeve të tjera të rënda penale të ndodhura në Vlorë dhe Tiranë”. Policia bën me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.

Ngjarja

Policia nuk ka përcaktuar motivin pse 32-vjeçari Jambelli ka ekzekutuar Amarlido Delaj, ndërkohë që dyshohet si një vrasje me pagesë. I riu kishte disa kohë që ishte kthyer nga Spanja dhe dyshohet të jetë përfshirë në aktivitete kriminale në këtë shtet, kryesisht me tendencë drogën, sipas burimeve nga policia, ndërsa një prishje pazaresh mund të ketë detyruar autorët të porosisin vrasjen në Vlorë. Ekzekutimi ndodhi pak para mesnatës së datës 4 shtator, ndërsa të plagosur kanë mbetur edhe dy shokët e viktimës, Stavri Beqiraj, 27 vjeç dhe Ervis Çela, të cilët gjendeshin në të njëjtin lokal. Nga këqyrja e kufomës rezultoi se kishte marrë shumë plagë në trup, të cilat i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme, ndërsa Beqiraj ka marrë dy plumb anë bark dhe ndodhte jashtë rrezikut për jetën. Sipas hetimeve të para, rezulton se mbi 28-vjeçarin janë derdhur 18 plumba, nisur nga gëzhojat e gjetura në vendngjarje, 15 prej të cilave e kanë kapur atë në momentin që ndodhej te banaku duke punuar në kompjuter, dhe 2 kanë kapur në bark shokun e tij.

Hetimi

Nga hetimet e para rezultoi se autorët kanë gjetur momentin dhe orën për të kryer krimin. Në atë orë, vetëm çerek ore para mesnate, rruga ishte bosh dhe nuk kishte kalimtarë, ndërsa kanë pasur mundësinë që para krimit të afroheshin dhe të kryenin “porosinë”, ndërsa pas krimit të largoheshin përmes rrugicës që lidh lokalin me një pallat. Pas vrasjes, në orët e para të mëngjesit të datës 5 shtator është gjetur një automjet tip Alfa Romeo, ngjyrë jeshile dhe dyshohet, se është e autorëve. Sipas policisë së Vlorës, automjeti ka qenë pjesërisht i djegur dhe është gjetur pranë Bishtit të Kalldrëmit. Dyshohet se falë këtij mjeti, por edhe hetimeve intensive të policisë, u arrit në emrin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

 

Vlorë

Rrëmbyen një person, pranga dy vëllezërve

Dy persona janë arrestuar nga policia e Vlorës pasi akuzohen se kanë rrëmbyer dhe keqtrajtuar një të mitur. Nga burime zyrtare të policisë së qytetit bregdetar bëhet e ditur se dy vëllezërit Gazmend dhe Federik Hoxhaj, përkatësisht 26 dhe 28 vjeçar kanë ushtruar dhunë ndaj një të mituri pasi dyshonin se ky i fundit u kishte vjedhur dokumentet e makinës së tyre. Në deklaratën e dhënë në polici, fëmija tregoi se dy të arrestuarit, pasi e kanë futur në makinë të miturin me inicialet F. D. e kanë çuar në pyllin e Sodës, ku dhe e kanë keqtrajtuar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pasditen e të premtes, ndërsa i mituri u mbajt për disa orë dhe u keqtrajtua brenda automjetit të tyre në vendin e quajtur “Fisha e druve”. Të arrestuarit janë shoqëruar në dhomat e paraburgimit, ku do të gjykohen për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, ndërsa fëmija i është bashkuar familjes pas depozitimit të dëshmisë së tij.

Vodhi me dhunë një person, pranga 18-vjeçarit

Një 18-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Vlorës, pasi kërkohej për vjedhjen me dhunë të një shtetasi. Sipas policisë, nga sektori i krimeve kundër personit u vu në pranga Elis Bushi, 18 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u krye pasi dy ditë më parë, në bashkëpunim me një person tjetër, pasi e kanë dhunuar shtetasin F. Y., i kanë vjedhur edhe të gjitha sendet personale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të kësaj vepre penale. Materialet hetimore ndaj tij i kanë kaluar organit të akuzës për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, policia e Vlorës ka vënë në pranga edhe një tjetër person të dënuar për vjedhje, pas vendimit të dhënë nga gjykata e këtij qyteti. Sipas policisë, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 20 vjeçarin Feliks Halili, banues në Vlorë dhe pas prangosjes, i riu u shoqërua për në qelitë e paraburgimit, për t’u përballur me drejtësinë.

Pranga 41-vjeçarit, aksidenti një person

Një 41-vjeçar nga qyteti i Vlorës u arrestua, pasi akuzohet për kryerje të veprës penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit” dhe “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”. Policia bën me dije se arrestoi 41-vjeçarin Arben Hazizaj, pasi duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Mitsubishi” pa dokumente dhe me targa të falsifikuara, ka aksidentuar personin me iniciale R. B. Materialet hetimore ndaj këtij të arrestuari i kaluan Prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme.

Vjedhja e banesës, prangosen 3 të rinj

Tre të rinj janë vënë në pranga nga policia e Vlorës pasi akuzohen për vjedhjen e një banese. Nga efektivat e komisariatit të Policisë u bë kapja dhe ndalimi i të rinjve Eraldo Berisha, 20 vjeç; Klaudio Kovaçi, 18 vjeç; dhe Arjan Çumani, 21 vjeç , të tre banues në Vlorë. Ndalimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27 Nëntor 2012, gjatë orëve të vona të natës kanë vjedhur banesën e shtetasit N. C. Materialet hetimore i kaluan organit të akuzës për hetime të mëtejshme.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency