Skënderbeu kërkon edhe Kupën Korçarët mundën ekipin e Shkumbinit me rezultatin e thellë, 4-1

0
147

Altin Vorpsi

Sfida tjetër e vlefshme për grupin B, ajo mes Flamurtarit dhe Bylisit, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike

Skënderbeu dhe kushtet e rënduara atmosferike i kanë rrëmbyer skenën Kupës së Shqipërisë që rrezikon të “pësojë” fundin e Kategorisë Superiore. Skuadra e Mirel Josës siguroi dje një fitore të madhe në Peqin në një sfidë që ishte e vlefshme për turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që ndeshja mes Flamurtarit dhe Bylisit u shty për shkak të motit të keq.

 

Në Peqin

Shkumbini, pa pretendime në këtë kompeticion, pasi lufton për mbijetesë në kampionat, ka nisur këtë ndeshje të parë të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë pa dy sulmuesit e vet kryesorë. Në formacionin e Miles mungonte Roland Dervishi (i dëmtuar) dhe Mustafaj (u pezullua 6 javë nga Disiplina). Kështu, i riu Magani ishte lojtari i vetmi në repartin ofensiv të peqinasve. Në kahun tjetër, Mirel Josa e nisi pa Shehin dhe Pejiçin i lanë vendin respektivisht Llapanjit dhe brazilianit Souzës. Sa i përket kronikës goli i parë erdhi në minutën e 33-të. Sulmuesi Plaku ka marrë një pasim nga Çaushaj dhe i pashqetësuar në zonën kundërshtare godet saktë. Por ky nuk do të ishte gëzimi i vetëm për miqtë që vetëm pesë minuta para se të mbaronte fraksioni i parë dyfishuan rezultatin me anë të një qendërmbrojtësi. Dimo futi bukur një harkim që u kthye në gol nga Bici. Në pjesën e dytë peqinasit tentuan që të bënin diçka. Skuadra vendase do të ngushtonte shifrat në minutën e 48-të kur Lluca do të mposhte portierin e Skënderbeut, Llapanji. Pas kësaj rrjete Skënderbeu krijoi dy raste të pastra shënimi me anë të Souzës që çoi dëm gjithçka duke acaruar teknikun e tij që e zëvendësoi me Tahirllarin. Atëherë kur të kujtuan se korçarët do të mjaftoheshin me kaq skuadra mike do të reagonte fuqishëm. Në 15 minutat e fundit, që u luajtën në një gjysmerrësirë, Plaku kompletoi dopietën e tij. Në minutën e 74-t, fieraku çoi në 3-1 rezultatin. Ndërkohë që për “pokerin” mendoi Orelesi që 13 minuta para mbarimit të kohës së rregullt shënoi një gol me shumë vlera. Korçarët arritën që të turpëronin në Peqin një skuadër që në turin e kaluar kishte eliminuar një emër të madh të futbollit shqiptar, Vllazninë.

 

Rrezik

Një dëborë pa pushim ka rënë e po bie dhe në Kukës, duke krijuar dyshime edhe për zhvillimin e ndeshjes së të dielës mes skuadrës vendëse dhe Kastriotit. Krutanët kanë udhëtuar që të shtunën në drejtim të qytetit verilindor, ndërsa po shijojnë bardhësinë që ka mbuluar si “vello” gjithçka. Lojtarët e Kastriotit kanë postuar nëpërmjet faqeve të tyre në Facebook foto që tregojnë dëborën e rënë, e cila duket shqetësuese dhe mund të bëjë që Kukësi-Kastrioti të ketë fatin e sfidës së Vlorës. Pra, të shtyhet, edhe pse kjo gjë nuk është ende një mundësi zyrtare.

 

 

Kategoria e Parë

Lushnjën nuk e ndal me askush, Partizani “dorëzohet” në Tiranë

Kategoria e Parë e përmbylli fazën e parë me një supersfidë, sikurse ishte Partizani-Lushnja, që u luajt në ndërkombëtarin tonë, nën dritën e projektorëve, me start nga ora 17:00. Me lagunarët të shpallur kampionë dimri javën e kaluar, kryesues që prej javës së parë e deri më tani, java e 15-të ngërthente vëmendjen e të gjithëve në “Qemal Stafa”. Aty ku të kuqtë e Nikolin Çoçllit janë mundur minimalisht, kanë humbur një penallti me anë të Thanës, por janë detyruar të “hapin krahun” edhe nga vendi i dytë, që rrëmbehet tashmë nga Mamurrasi. Nisur nga ajo që përbëjnë në vetvete këto dy skuadra, sa i takon së shkuarës, më së shumti, mund të themi se luhej një sfidë superioreje. Lushnjarët dhe “demat e kuq” vinin në përplasjen direkte pas fitoresh, me moral të lartë, ndërsa të kuqtë kishin konsumuar gjatë javës një bojkot dhe pezullim të përkohshëm të 8 futbollistëve. Megjithatë, ndërhyrja e drejtuesve bëri që situata të qetësohej dhe vëmendja të përqendrohej tek ballafaqimi më i rëndësishëm i kësaj faze. Arrestimi i aksionarit Paro Laçi të premten ishte njëlloj goditjeje psikologjike për lojtarët, megjithatë ata kanë dhënë gjithçka, e kanë kërkuar pa fund rrugën e rrjetës, por mungesa e një finalizuesi të spikatur i ka lënë duarbosh në mbyllje të kësaj faze.

 

Rezultate e javë e 15-të

PARTIZANI – LUSHNJA  0-1

Golat: Byzhyti 33′

ILIRIA – BESËLIDHJA  3-1

Golat: Lusha 17′, Doci 29′, Brataj 47′ (pen) / Danaj 10′

POGRADECI – DINAMO  3-2

Golat: Pere 53′, Pengu 64′, Mullai 80′ / Rakipi 22′, Luzi 74′

MAMURRASI – BURRELI  3-2

Golat: Meta 35′, Pustina 61′ (pen), Hima 78′ / Dalipi 1′, Lekaj 44′

GRAMSHI – TËRBUNI  1-0

Golat: Trashi 40′

HIMARA – ELBASANI  2-0

Golat: Skenderaj 36′ 86′ (pen)

NAFTËTARI – BUTRINTI  0-1

Golat: Dorti 68′

KAMZA – ADA  0-2

Golat: Çoba 19′, Doçi 68′

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency