Politika, dita e studentëve

0
136

Majko: 8 Dhjetori, dita e studentëve, dhe jo e politikës

Në kuadër të Ditës së Rinisë, deputeti socialist Pandeli Majko vlerësoi dje se në këtë ditë të shënuar mungojnë ata njerëz që kryen betejën para 22 vitesh. “8 dhjetor 1990 – 8 dhjetor 2012. Pak rreshta dhe shumë kujtime për Lëvizjen Studentore të Dhjetorit. E vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Mungojnë “të munguarit”, Arben Broci dhe Azem Hajdari, si stacione të kohës që jetuam… Çdo brez ka betejën e tij për të fituar”, – tha ai në rrjetin social Facebook. Sipas Majkos, kjo është dita e studentëve, dhe jo e politikës. “Vëllezër dhe motra kudo ku jeni, Gëzuar 8 Dhjetorin! Është dita e studentëve jo e politikës! Historia vazhdon… mesazhi i Lëvizjes nuk ka ndryshuar!”

Çfarë ndodhi në 8 dhjetor?

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit Studenti, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik.

 

8 dhjetori, përurohet shtatorja e Azem Hajdarit në Qytetin Studenti

Berisha: Azem Hajdari, tribun i lirisë, na mungon

Në Qytetin Studenti, ku më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit Studenti, u bënë iniciatorë e protagonistë të rrëzimi të diktaturës hoxhiste, u inaugurua dje busti i tribunit të lirisë Azem Hajdari. Në ceremoninë e zhvilluar ishte i pranishëm Kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe figura të njohura të PD-së. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi figurën dhe kontributin që Azem Hajdari dhe për vendin, si një nga iniciatorët e lëvizjeve studentore, që i dha fund regjimit komunist. “Sot inaugurojmë shtatoren e liderit të dhjetorit, e studentit, të riut, i cili në historinë tonë kombëtare do mbetet ndofta tribuni që me guximin, kurajën vendosmërinë dhe vizionin bëri më shumë për liritë tona, për liritë e shqiptarëve. Studente dhe studentë ju do të kaloni pranë kësaj shtatoreje dhe natyrisht në tërësi nuk e keni njohur liderin e studentëve të dhjetorit ‘90, të cilët ne shqiptarët në katër anë të këtij vendi do ti quanim engjëjt e lirisë tonë. Kjo shtatore që mund të vendosej në çdo bulevard dhe shesh po këtu qëndron më madhërishëm se kudo tjetër. Qëndron në nderimin më të madh, të veprës tuaj të pavdekshme, qëndron në vendin që për ne shqiptarët që erdhëm në vitet ‘90 si njerëzit më të shtypur të planetit ky shesh do mbetet djepi ku rilindi dinjiteti ynë njerëzor, ndaj dhe i dashur Azem nuk mund të kishte vend tjetër, se këtu ku ti nise një nga betejat më të vështira dhe më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve”, – u shpreh Berisha. Më tej, kreu i mazhorancës dhe i Partisë Demokratike ka kujtuar momentet e njohjes me Azem Hajdarin, teksa theksoi se partia që themeloi dhe drejtoi tribuni i lirisë kishte marrë të gjitha vendimet për mposhtjen e klikës komuniste. “22 vjet më parë me datën 9 dhjetor afërisht këso kohe në një ditë shiu pothuajse si kjo pata fatin e madh të takoj për herë të parë në jetën time, të ulem dhe të bisedoj me Azem Hajdarin, tek i cili konstatova një vendosmëri absolute për të realizuar idealet e lirisë së bashkëstudentëve të tij, por edhe të mbarë shqiptarëve, e kisha parë disa orë më parë në demonstratën e studentëve në Rrugën e Elbasanit që ngrihej mbi supet e tyre dhe bërtiste “Poshtë dinastia, rroftë Evropa”, dhe më vonë pata fatin ta kisha bashkëpunëtor të ngushtë. Dua t’ju rrëfej se Azem Hjdari është miku im më i mirë, takohem dhe bisedoj çdo herë me të”, – u shpreh Berisha.

Fatmira Hajdari

Në përurimin e bustit të udhëheqësit të lëvizjes së studentëve të dhjetorit të vitit 1990, ishte e pranishme edhe bashkëshortja e Fatmira Hajdari, e cila në fjalën në ceremoni u shpreh se kjo ditë përbën një emocion të veçantë. “Është shumë emocionues ky moment që së bashku me këtë shi përurojmë bustin e Azem Hajdarit, bashkëshortit tim, mikut dhe vëllait tuaj. Gjej rastin të falënderoj Kryeministrin që ishte iniciatori i këtij memoriali dhe ishte ai që dha idenë që ky bust të qëndrojë këtu ku ka nisur dhe lëvizja studentore”, – u shpreh Fatmira Hajdari.

 

PDIU: 8 Dhjetori simbolizon bashkimin në një ideal të vetëm

PDIU ka përshëndetur dje ditën e rinisë, ku 22 vjet më parë një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të rrëzimit të diktaturës dhe vendosjes së demokracisë në vend. “Kjo ditë e shënuar simbolizon bashkimin në një ideal të vetëm, atë të rrëzimit të sistemit më të egër komunist në të gjithë botë. Në këtë ditë të veçantë PDIU dhe KPR shpreh vlerësimin dhe respektin për të gjithë ata të rinj, me në krye heroin Azem Hajdari, që përpara jetës së tyre vunë të ardhmen e Shqipërisë. Edhe pse idealet e atyre studentëve të Dhjetorit 90, janë ende të parealizuara sot, PDIU dhe KPR shpreson dhe uron që data 8 Dhjetor, të jetë një ogur i mirë që shqiptarët të mblidhen sërish rreth një ideali të vetëm, atij të bashkimit kombëtar”, – thuhej në deklaratën për media të PDIU-së.

 

Të rinjtë e FRD-së: Ëndrra e studentëve vazhdon të mbetet ëndërr

Të rinjtë e Partisë Fryma e Re Demokratike nderuan dje kontributin e lëvizjes studentore të vitit 1990 dhe Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari, me rastin e 22-vjetorit të kësaj lëvizje, e cila i hapi rrugën shembjes së komunizmit dhe vendosjes së pluralizmit në vend. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e forumit rinor të FRD-së, Sentiljana Barzezi, tha se ende studentët e Dhjetorit ‘90 mbeten brezi më idealist i shoqërisë shqiptare. “Aspirata e tyre “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” vazhdon të mbetet ëndrra e madhe e të gjithë shqiptarëve”. Ne jemi vendi i vetëm në Evropën Komuniste që ende nuk kemi hyrë në Bashkimin Evropian, që nuk kemi bërë zgjedhje tërësisht të lira e demokratike, ku ende nuk ka ndodhur rotacioni i elitave dhe as kufiri minimal i dy rotacioneve zgjedhore, vendi që si 22 vjet më parë i ofron rinisë alternativën e ikjes dhe ku të njëjtit persona vazhdojnë të vegjetojnë në pushtet prej dy dekadash”, – tha Barzezi. Sipas saj, rinia e FRD-së konstaton se ky vend ngjason me pashallëkun e Berishës apo Ramës, e nuk është kurrsesi vendi që donte, aspironte dhe luftonte rinia shqiptare më 1990.

 

8 Dhjetori, PR: Kjo ditë të jetë fillimi i një jete të re

Dita kombëtare e rinisë është përkujtuar edhe nga Partia Republikane, e cila i ka bërë jehonë protestave të 8 dhjetorit 1990, duke e konsideruar atë periudhë, si momentin më të rëndësishëm të ndryshimit të sistemit në Shqipëri. “Le të jetë kjo ditë, dita e fillimit të një jete të re, të një jete më të mirë për të gjithë ne, për të gjithë rininë shqiptare kudo që ndodhet. Le të tregojmë që me dijet dhe kapacitetet tona të bëjmë një vend as më të mirë. Le të bëjmë ne që Evropa e bota të mos na shohin me syrin e urrejtjes, por si njerëz normalë e me norma kulturore”, – u shpreh një aktiviste e forumit të PR-së.

 

Grupimi “Dhjetor ‘90”, peticion Edi Ramës: Ndiq ëndrrën tënde, voto tri ligjet për integrimin

“8 Dhjetori. Dita kur prekëm lirine”. Nën këtë okelio Grupimi “Dhjetor ‘90” organizoi dje takimin me ish-studentë e pedagogë, pjesëmarrës aktiv të Lëvizjes Studentore, lëvizje që çoi në legalizimin e pluralizmit politik dhe rrëzimin e diktaturës komuniste. Tingujt e himnit tonë kombëtar e kanë çelur këtë veprimtari, më pas Shpresa Ukcama, një embleme e viteve të rezistencës, ka ftuar zotin Bislim Ahmetaj, kryetarin e Grupimit “Dhjetor 90”, të mbajë fjalën përshëndetëse për të pranishmit e shumtë. Zoti Ahmetaj ka vlerësuar veprimtarinë e djemve dhe vajzave të dhjetorit si brezi i krenarisë tonë kombëtare. Ata i dhanë Shqipërisë dy datat e mëdha të historisë, 8 Dhjetorin dhe 20 Shkurtin”, – tha Ahmetaj, sipas të cilit, pas shpalljes së pavarësisë janë dhuratat më të çmuara që shqiptarët kanë marrë në këto 100 vite shtet. Më pas, kanë folur ish-studentë të atyre viteve, si dhe nënkryetari i parë i PD-së, Arben Imami. Ne mbyllje të veprimtarisë nga të pranishmit, është firmosur një peticion drejtuar krerëve të politikës në mënyrë të posaçme kreut të opozitës, ku i behët thirrje që të mos pengojë integrimin, të mos vrasë ëndrrën e Dhjetorit ‘90, me bllokimin e tri ligjeve të kërkuara nga BE-ja si kusht për dhënien e statusit vendit tonë. “E ftojmë Kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama, që për të kapërcyer mbi interesat e çastit, që i shërbejnë, jo shqiptarëve, por vetëm një grupi të vogël njerëzish, ti referohet vetvetes në të shkuarën e tij, kur së bashku me ne thurte në auditorë ëndrrën e munguar evropiane dhe sa nuk është vonë për të mos u dënuar nesër nga historia të bëjë detyrën e tij duke i lejuar deputetë socialistë të votojnë tre ligjet e bllokuara”, – thuhet ndër të tjera në peticionin e Grupimit “Dhjetor ‘90”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency