Ngërçi për ndarjen e mandateve në KQZ, Hysen Osmanaj: Qëndrimi i PS-së, politik dhe pa bazë ligjore

0
119

Osmanaj: Kolegët ranë nën influencën e forcës politike që i ka propozuar dhe pa asnjë bazë ligjore votuan kundër, ndonëse informacioni erdhi shumë më i zgjeruar

 

Ngërçi i krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mosvotimin e projektvendimit të ndarjes së mandateve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit 2013 bëri që procesit t’i skadonin afatet kohore në komision dhe tashmë palët të shohin si mundësi zgjidhjeje Kolegjin Zgjedhor. Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, në një intervistë për gazetën “Standard” e quan vendim politik pa bazë ligjore mosvotimin e projektvendimit nga përfaqësuesit e opozitës në komision. Sipas tij, Ministria e Brendshme në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës së vendit, ka paraqitur të dhëna të sakta pranë KQZ-së që nuk janë kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e majtë. Në lidhje me ecurinë e procesit për dy zonat pilot, në të cilat do të zbatohet teknologjia në zgjedhje, në Fier dhe Tiranë, z. Osmanaj shpjegon se po i kushtohet rëndësi përcaktimit të kërkesave që duhet të zgjidhin pajisjet dhe teknologjia dhe për këtë, sipas tij, janë ngarkuar me punë ekspertë vendas dhe të huaj.

 

Z. Osmanaj, një javë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të miratonte projektvendimin për shpërndarjen e mandateve për mungesë votash. Si e gjykoni vendimin e marrë dhe sa qëndrojnë pretendimet e opozitës për informacione shtesë nga Ministria e Brendshme lidhur me lëvizjet e popullsisë në Qarkun e Kukësit?

-Po, është e vërtetë, vendimi kërkonte pesë vota, por në mbledhjen e KQZ-së ai mori katër vota dhe nuk u miratua ky projektvendim i paraqitur nga administrata për caktimin e numrit të mandateve për çdo qark. Unë nuk kam të drejtë të gjykoj votat e kolegëve, por siç e kam thënë edhe në komision, ne duhet ta miratonim aktin, pasi shkresa e ardhur nga ministra ishte shumë korrekte në përgjigje te kërkesës sonë (KQZ) dhe konform kërkesave të Kodit Zgjedhor. Vota kundër e kolegëve mendoj erdhi si rezultat i politizimit pa shkak të këtij projektvendimi ose mungesa e eksperiencës.

Ministria e Brendshme në zbatim të Kodit Zgjedhor, neni 76, pika 1, ka dërguar numrin e përgjithshëm të shtetasve për çdo qark, siç e përcakton ligji për ndarjen e mandateve, gjë që ishte në detyrimin e KQZ-së të caktonte mandatet. Mbi saksinë dhe korrektësinë e të dhënave të popullsisë nuk pati asnjë dyshim, as nga kolegët që votuan kundra.

Për sa u përket lëvizjeve të popullsisë që kërkuan kolegët në mbështetje të përfaqësuesit të PS-së, në periudhën katërvjeçare në mes zgjedhjeve, nuk është detyrë e KQZ-së që të investohemi. Lëvizjet e popullsisë janë të garantuara me Kushtetutë, dokumentacioni që kërkohet mbahet pranë zyrave të gjendjeve civile në komunat dhe bashkitë përkatëse. Kush të jetë i interesuar, aq me tepër forcat politike, konform ligjeve në fuqi, mund të interesohet për të marrë të dhëna shtesë, po jo KQZ.

A ka pasur transparencë nga Ministria e Brendshme në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me korrespondencën dhe të dhënat për numrin e popullsisë dhe të zgjedhësve?

-Ministria e Brendshme ka qenë korrekte në raport me KQZ-në, ka zbatuar në afatet ligjore çdo detyrim lidhur me zgjedhjet e aq më tepër për numrin e popullsisë. Në përgjigje të shkresës sonë ajo, përveç numrit të shtetaseve për çdo qark, ka sjellë të detajuar dhe numrin e shtetasve sipas të gjitha njësive të qeverisjes vendore, komuna dhe bashki.

Përveç shkresës së parë, me kërkesën e dy anëtarëve për të dhëna shtesë, KQZ-ja shtyu mbledhjen deri në afatin fundor dhe ministria përsëri u përgjigj me korrektesë konform ligjeve në fuqi edhe pse këto të dhëna të kërkuara nuk janë kërkesë e ligjit për këtë vendimmarrje.

Përfaqësues të Partisë Socialiste në Kuvend, por edhe në KQZ, kanë thënë se ndarja e mandateve nga Kolegji Zgjedhor vë në rrezik procesin. Kush e ka detyrimin për ta marrë këtë vendim dhe çfarë pritet nga Kolegji?

-Nuk është hera e parë që forca të caktuara politike me qëndrimet e tyre duke shfrytëzuar kompetencat e zgjeruara dhe favoret që gëzojnë në Kod, i kanë rrezikuar zgjedhjet dhe e kanë vënë në vështirësi të mëdha KQZ-në, për rrjedhojë jemi detyruar te marrim vendime ekstra ligjore për të realizuar zgjedhjet, vendime te cilat sot janë përfshirë në Kodin e ndryshuar, pra janë pranuar si të drejta dhe të domosdoshme nga krahët politikë dhe faktori ndërkombëtar.

Partia Socialiste është në të drejtën e saj për të kërkuar nga KQZ-ja çdo gjë që ajo e shef të arsyeshme, por nga ana tjetër është detyrë e KQZ-së për t’i kërkuar mjetet ligjore që vërtetojnë pretendimin e tyre, gjë që në rastin konkret, pretendimet e PS nuk ishin të mbështetura në kërkesat e ligjit.

Për sa i përket këtij vendimi dhe vendimeve të tjera për zgjedhjet është kompetence e KQZ-së si organi më i lartë shtetëror i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, por jo organi fundor, pasi është Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit ku subjektet politike kanë të drejtë të ankohen për të gjitha vendimet e KQZ-së kur ato cenojnë interesat e tyre, për rrjedhojë lidhur me pretendimin e PS-së se Kolegji nuk mund të investohet për këtë vendim, nuk qëndron.

Kolegji Zgjedhor legjitimohet plotësisht për ta shqyrtuar këtë vendim të KQZ-së bazuar në të drejtën dhe kompetencat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Sa qëndrojnë deklaratat e deputetëve të opozitës për mungesën e një plani veprimi nga institucioni më i lartë zgjedhor për të garantuar teknologjinë në zgjedhje në zonat pilot?

-KQZ-ja e riformatuar, me të filluar nga puna, hartimin e planit të veprimit e ka caktuar si një nga detyrat e para dhe ka kërkuar nga të gjitha drejtoritë hartimin e planit të veprimit në zbatim të detyrimeve dhe afateve që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor, siç jeni në dijeni u miratua nga KQZ-ja me konsensus.

Siç jeni në dijeni edhe ju, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, ndryshe nga ato të mëparshmet, në Qarkun e Fierit do të aplikohet numërimi elektronik i votave dhe në Qarkun e Tiranës verifikimi dhe regjistrimi elektronik i zgjedhësve. Kjo teknologji përdoret për herë të parë në vendin tonë dhe ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë për të garantuar përdorimin e kësaj teknologjie, por rëndësi më të madhe po i kushtojmë përcaktimit të kërkesave që duhet të zgjidhin pajisjet dhe teknologjia, janë përcaktuar termat e referencës nga drejtoria përkatëse në bashkëpunim me organet shtetërore të ngarkuara në Kod dhe ekspertë të huaj e vendas.

Për mua personalisht ne duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi përdorimit me sukses të kësaj teknologjie sesa afateve, pasi siç dihet, edhe shtete shumë të zhvilluara kanë pasur vështirësi, fillimisht në aplikimin e sistemeve të votimit dhe numërimit elektronik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u duk sikur dështoi në përballjen e parë të rëndësishme në të cilën kërkohej një konsensus i gjerë për marrjen e një vendimi me shumicë votash. E shikoni këtë si një rrezik për procesin zgjedhor në tërësi, edhe pse jemi disa muaj para zgjedhjeve parlamentare?

-Personalisht do kisha dëshirë që vendimet të merreshin me konsensusin e të gjithë anëtarëve të komisionit, madje dhe të përfaqësueseve të forcave politike në komision, por kjo do te ishte një zgjidhje ideale; por dhe kur nuk arrihet kjo nuk do të thotë dështim, demokracia është votë dhe zbatim me korrektësi të ligjit.

Të prirë nga një qëllim i mirë për një fillim të mbarë ne u dhamë kohë kolegëve të informohem më shumë, dhe pse ishim të bindur se kishim para një dokument të plotë konform kodit për të marrë vendimin e duhur; përsëri kolegët ranë nën influencën e forcës politike që i ka propozuar dhe pa asnjë baze ligjore votuan kundër ndonëse informacioni erdhi shumë më i zgjeruar.

Se sa rrezikohet procesi zgjedhor nuk mund të nxjerr konkluzion me një vendim për punën në vazhdim, theksoj se çdo vendim i KQZ-së është i rëndësishëm, por ky vendim ishte me i lehti për në, megjithëse shpresoj të jetë mungesë eksperience dhe në vazhdim kolegët do të fitojnë imunitet për të bërë realitet atë për çfarë jemi betuar para Parlamentit.

 

A jep garanci Kodi i ri Zgjedhor për garantimin e një procesi demokratik në Shqipëri dhe sa ndikim ka klasa politike në zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve?

-Unë mendoj që ky Kod Zgjedhor jap garanci të plotë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E meta e Kodit është se partitë politike gëzojnë shumë të drejta dhe për rrjedhojë, po nuk patën vullnet të mirë politik për të zhvilluar zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, si do që të bëhet Kodi dhe sa do të mundohet KQZ për zgjedhje me standarde, ato nuk mund të realizohen.

Pa vullnet politik të subjekteve zgjedhore sikur zgjedhjet t’i menaxhojë ODIHR-i, OSBE-ja dhe Komisioni i Venecias së bashku, zgjedhjet nuk do t’i arrijnë standardet e kërkuara. Kodi është ndërtuar mbi bazën e parimit bipartizan, të besimit e kontrollit reciprok dhe përgjegjësive të përbashkëta.

Administrata zgjedhore e të gjitha niveleve është bipartizane pozitë-opozitë, pra dhe përgjegjësitë duhet të jenë të përbashkëta pozitë-opozitë, të kenë besim në proces dhe të pranojnë rezultatin ashtu siç e përcakton sovrani, me votë të lirë dhe të fshehtë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency