Dita e Rinisë, Berisha: Më 23 qershor rrëzoni murin e bllokimit të ëndrrës evropiane

0
123

Gëzim Saliu

Kryeministri: Më 8 dhjetor studentët dhe prijësi i tyre Azem Hajdari gjunjëzuan diktaturën

“Ne jemi një komb i vetëm që nuk na ndan dot asgjë në botë”

 

Në Ditën e Rinisë, në përkujtim të studentëve që në vitet ‘90 rrëzuan diktaturën e fundit në Evropë, Kryeministri Berisha ftoi të rinjtë e sotëm që në 23 qershorin e 2013-ës të votojnë për rrëzimin e atyre që bllokuan ëndrrën evropiane. Në koncertin festiv të organizuar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” me këtë rast, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e votës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “Sot, pas 22 vitesh, bijtë e etërve që ngujuan Shqipërinë në izolimin më të errët në tërë historinë e saj, përdorin votën e tyre në Parlament, pushtetin që u kanë dhënë qytetarët që ju bënë të lirë, për të bllokuar projektin tuaj evropian. Neobllokmenët e rinj duan të hakmerren ndaj jush, për ‘Vaterlonë’ që ju u rezervuat etërve të tyre në dhjetorin e vitit 1990. Unë jam i bindur se ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, po prisni me padurim që më 23 qershor të vitit që vjen të rrëzoni me votën tuaj të lirë murin e bllokimit të ëndrrës tuaj evropiane që kanë ngritur pinjollët e bllokmenëve hoxhistë”, – deklaroi Kryeministri Berisha.

 

Fjalimi

Në një fjalim ku kujtoi me patos ngjarjet e 8 Dhjetorit të vitit 1990 kur studentët shqiptarë u përleshëm me policinë në emër të lirisë së Shqipërisë nga diktatura, kreu i qeverisë theksoi rolin e pazëvendësueshëm të prijësit të studentëve Azem Hajdari në këto ngjarje. “Më 8 dhjetor të vitit 1990, studentët e Universitetit të Tiranës, me në krye tribunin e lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarin, u përballën në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit me diktaturën më të egër në Evropë, me regjimin e bllokmenëve hoxhistë që për 45 vjet me radhë persekutoi, burgosi, ekzekutoi me gjyqe apo pa gjyqe, iu mori jetën me sëmundje në burgje, kampe përqendrimi apo kooperativat e skllavërisë socialiste qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë. Më 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë dhe prijësi i tyre legjendar, Azem Hajdari, gjunjëzuan regjimin e bllokmenëve primitivë që iu ndalonte shqiptarëve me ligj dhe kushtetutë besimin tek Zoti, tek Krishti, tek Muhamedi, iu ndaloi pronën, lëvizjen e lirë, regjimin që edhe pas rënies së Perdes së Hekurt vari disidentë në sheshet e qyteteve tona dhe që vetëm në vitin 1990 ekzekutoi në kufijtë e rrethuar me tela me gjemba të Shqipërisë 97 bashkëmoshatarët tuaj, për fajin e vetëm se ata donin të lëviznin të lirë dhe me një akt makabër zvarriti në rrugët e Sarandës dhe Shkodrës, trupat e njomë, të pa jetë të tyre, për të terrorizuar të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë. Azem, ti je gjallë!”, – u shpreh Berisha. Më tej, Kryeministri theksoi se pavarësisht ndarjes, shqiptarët mbeten të bashkuar në një komb, një gjuhë, një kulturë. Sipas Kryeministrit, do të jenë pikërisht të rinjtë ata që do të bëjnë të mundur realizimin e ëndrrës së bashkimit kombëtar. “Sot, është krenari me qenë shqiptar, por më krenari se kurrë me qenë i ri shqiptar, sepse ju, të rejat dhe të rinjtë e këtij kombi, këto 100 vite ishit dhe jeni më shumë se çdo gjë tjetër misionarë të lirisë shqiptare, misionarë të lirisë së kombit shqiptar. Shqiptarët sot janë të lirë dhe ata lirinë e tyre ua dedikojnë vetëmohimit, sakrificës, flijimit, martirizimit të vajzave dhe djemve të kombit tonë. Por, përsëri shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete. Unë, siç kam besim tek Zoti, kam besim se do të jeni ju, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, që nuk do të pranoni kurrë të mbeten të shuara ëndrrat e dhjetëra mijëra bashkëmoshatarëve tuaj që flijuan jetën dhe rininë e tyre për ëndrrën më të bukur, idealin më të shenjtë të shqiptarëve, atë të bashkimit kombëtar. Ne vërtet sot jetojmë në pesë shtete, por ne jemi një komb i vetëm, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me një gjen, me një gjak, me një prijës të pamposhtur – Skënderbeun, me një flamur. Ne jemi një komb i vetëm që nuk na ndan dot asgjë në botë, përveç kufijve të vendosur me zjarr, me hekura dhe traktate të padrejta mbi trupin e kombit dhe trojeve tona, kufij të cilët copëtuan në pesë pjesë trupin dhe trojet shqiptare që dergjeshin pas shekujsh robërie”, – theksoi Berisha. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri kërkoi edhe një herë nga të rinjtë që të votojnë për vazhdimin e nismës së ndërmarrë nga qeveria në 7 vite, atë të Shqipërisë vend të zhvilluar. “Sot është krenari me qenë shqiptar, por dhe më krenari me qenë i ri dhe e re shqiptare, sepse ju sot ende nuk jeni të rinjtë e një vendi të pasur, apo një vendi të zhvilluar, por në një hark kohor të shkurtër prej dy dekadash mundi, djersa, energjia, mençuria, vizioni juaj, Shqipërinë e rrezuar përdhe, që përpëlitej e dergjej në varfëri ekstreme, e ngritët në këmbë dhe me shpejtësi po e ngjisni atë, po e çoni të sigurt në zenitin e zhvillimit. Shqipëria është zhvilluar dhe rritur këto 20 vite më shpejt se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë. Ajo me padurim pret votën tuaj si eliksirin e saj më 23 qershor, për t’i dhënë mandatin që ta shndërrojë atë në vend të zhvilluar, në Shqipërinë evropiane”, – deklaroi Kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency