8 Dhjetori, dita kur prekëm lirinë

0
142

Nga Bislim Ahmetaj*

Me shumicën prej jush takohemi çdo 8 dhjetor e çdo 20 shkurt për të festuar dy datat e mëdha të historisë, dy data që lidhen me studentët e vitit ‘90. Ajo që më gëzon më shumë në këto takime, është fakti që as nuk jemi shtuar shumë, as nuk jemi zvogëluar shumë, jemi pothuajse të njëjtët si në shtator-tetorin e vitit ‘98, koha e zezë e hakmarrjes komuniste ndaj liderit tonë, Azem Hajdarit, koha kur Grupimi ynë vendosi të rezistonte, të mos linte harresën të hidhte rrënjë mbi veprën e tij dhe të studentëve të Dhjetorit. Sot ndihemi krenarë që ia kemi arritur ta mbajmë të ndezur zjarrin e vlerave të Lëvizjes Studentore, zjarri që u dha dritë dhe shpresë shqiptarëve më shume se çdo ngjarje tjetër pas shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912.

Ky 8 dhjetor vjen pas madhështisë së festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Asnjë aktivitet tjetër s’mund të krahasohet me madhështinë e atyre festimeve. Por, për ne është e rëndësishme të takohemi, sado modeste të jenë përmasat e festës sonë.

Posteri që shihni e që ka shoqëruar aktivitetet tona në këtë 100-vjetor, do të vazhdojë të mbetet i njëjtë edhe vitin tjetër, vit që përkon me zgjedhjet e përgjithshme. Emblema e Grupimit, një pëllumb i bardhë që fluturon i lirë në një glob blu, si dhe portreti i qeshur i Princit të Mendjeve të Lira, siç e kam thirrur prej kaq vitesh Azem Hajdarin, është shprehje e energjisë sonë të pastër, e frymëzimit tonë për vepra dhe kontribute pozitive në të mirë të shqipes sonë dykrenare, të atdheut tonë të dashur, ndërsa tek fjalët “E duam Shqipërinë” dëshiroj të ndalem pak: Po të sillnim për një çast në kujtesë miqtë tanë, të brezit tonë, nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë do të vinim re se ata janë brezi më i ndershëm i zyrtarëve të administratës, se ata janë gratë dhe burrat më të përkushtuar, se ata janë brezi më i kultivuar i administratës së shtetit shqiptar nga Konispoli në Vermosh në komuna, bashki, qarqe, dogana, polici, universitete, agjenci kombëtare e institucione qendrore. Brezi ‘90 është brezi i krenarisë kombëtare! Ndaj, fjalia e thjeshtë “E duam Shqipërinë” merr kuptimin më të plotë, si dashuri për t’i shërbyer atdheut, për t’i dhënë atij. Ja se pse na duan dhe na kujtojnë me respekt kudo, ja se pse duhet të vazhdojmë në rrugën tonë, t’i konsolidojmë vlerat tona.

Në Shkodër, Këshilli Bashkiak i qytetit vlerësoi me mirënjohje një grup ish-studentësh të Lëvizjes Studentore. Qarku i Vlorës i vlerësoi në uninamitet votash me të njëjtin titull. Shpresojmë dhe po punojmë që kjo gjë të realizohet në të 12 qarqet e Shqipërisë, jo se dhjetoristët kanë nevojë për tituj, por se tek Mirënjohja gjendet njëri ndër virtytet më të larta njerëzore. Qarqet e Shqipërisë, të zgjedhurit lokal të saj, ata që janë çdo sekondë në kontakt me qytetarët, po u shprehin mirënjohje themeluesve të pluralizmit politik, atyre që nuk kursyen asgjë për të mposhtur diktaturën më të egër, atyre që me një program minimal dyfletësh të partisë që themeluan, me një autorizim me tre rreshta të firmosur nga Azem Hajdari, u nisën si pëllumba paqeje në çdo cep të atdheut për të shpërndarë dritën që vinte nga qyteti i lirisë dhe i pluralizmit, nga Qyteti Studenti. Ja se pse e çmoj aktin e tyre dhe më lejoni që edhe në emrin tuaj, t’i falënderoj përzemërsisht të zgjedhurit lokalë të të gjitha ngjyrave politike për nismën e tyre për të vlerësuar e mirënjohur veprën e studentëve dhe pedagogëve që thirrën në dhjetor “E duam Shqipërinë demokratike, e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Sot, të dashur miq Qyteti Studenti, shtëpia e lirisë, kryeqyteti ynë, metropoli i shqiptarëve, ndihen më të respektuar, sepse në sheshin “Demokracia” çdo sekondë, çdo orë, çdo ditë e përjetësisht qindra mijëra të rinj nga të gjitha trevat shqiptare do të shkëmbejnë përshëndetjet e tyre me Prijësin e Lëvizjes Studentore, Kalorësin e Lirisë, Azem Hajdarin, më në fund përmendorja e tij doli nga magazinat e Qendrës Kombëtare të Veprave të Artit dhe do të zbukurojë sheshin më të bukur të Shqipërisë, sheshin prej nga u derdh liria në çdo skaj të Atdheut tonë.

Në mbyllje dua t’ju njoftoj se së shpejti Grupimi «Dhjetor’ 90» do të ketë edhe zërin e vet mediatik, gazetën e vet. Me emrin e vet «Dhjetor 90». Më lejoni me këtë rast të falënderoj mediat elektronike e të shkruara që u kanë bërë jehonë vazhdimisht aktiviteteve tona.

Gëzuar 8 Dhjetorin, ditën kur prekëm lirinë!

*Kryetar i Grupimit «Dhjetor `90»

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency