Servet Pëllumbi: PS ka çaluar tek taktika e saj, kur nuk ka bashkim, nuk ka fitore

0
146

Në parti nuk duhet të ketë nga ata që bëjnë edhe diellin, edhe shiun. PS nuk ka shoqëruar mendimin opozitar me veprimin opozitar

Çështja kombëtare, Pëllumbi: Opozita e tërhequr, Berisha më superior

Ish-kryetari i Kuvendit, anëtari i Asamblesë Kombëtare, Servet Pëllumbi, kritikoi dje Partinë Socialiste lidhur me taktikën e përzgjedhur nga ajo, duke theksuar se mendimi opozitar nuk është shoqëruar me veprimin opozitar. I ftuar në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, “profesori” i socialistëve kërkoi nga PS të lë mënjanë ndarjet e brendshme, pasi në të kundërt, sipas tij, nuk mund të arrihet fitorja. “Në fushatë elektorale nuk duhet të merremi më me këto çështje, si lidershipi, programi. Puna duhet të jetë se si duhet t’i koordinojmë këto hallka, qenia sa më koheziv është mjaft e rëndësishme. Kur nuk ka bashkim, nuk ka fitore. Duhet lënë mënjanë cicmicet dhe mëritë e të punohet për fitoren. Në këtë kuadër, PS të gjejë format të mbështetë lidershipin e ky i fundit të mbështesë anëtarësinë, t’i pyesë e të veprojë. Të mos krijojë të çara siç krijohen shpesh. Nuk duhet të ketë raporte të tilla në parti, që të bëjë edhe diellin, edhe shiun. Po qe kështu, e ka të humbur. Çelësi kryesor është anëtari i partisë. Po të jetë se anëtari i partisë di të vërë në lëvizje punët, i ke në rregull. Ka edhe çështje që nga ndarjet që unë nuk vete, atëherë që në fillim e ke nisur keq. Unë kam qenë kritik për bojkotin e zgjatur të opozitës. Unë kam pasur mendimin se bojkoti është mjet demokratik, kur përdoret në masë, ndërsa kur shtrihet shumë në kohë, krijon probleme. Nuk ka shoqëruar mendimin opozitar me veprimin opozitar, ka çaluar veprimi opozitar, ka çaluar në taktika. Në kuadrin e demokracisë, PS është partia më demokratike, por nuk ka ditur ta deshifrojë debatin, mendimin ndryshe. N.q.s. ti lejon debate pa fund për çështje që do merret ky vendim, duhet të zbatohet vendimi. PS duhet të ketë një harmonizim më të mirë të debateve”, – tha Pëllumbi.

 

Opozita, problem me çështjen kombëtare

I pyetur lidhur me angazhimin e Partisë Socialiste për çështjen kombëtare, Servet Pëllumbi deklaroi se në këtë drejtim opozita ka punuar jo mirë. “Në këtë drejtim Berisha është superior. Kjo është një rrugë e iniciuar nga qeveria socialiste. Atë rrugë e bëri Berisha dhe ajo është Rruga e Kombit. Berisha ka krijuar një mit si lider kombëtar. Opozita nuk duhet të mjaftohet të thotë që nuk është kështu. Ajo duhet të jetë më aktive, duhet të ketë veprime opozitare më të goditura duhet të përpunojë një strategji më të studiuar. Në këtë kuadër unë kam vërejtje për opozitën. Shumë çështje i lë përgjysmë. Ajo shtron një problem dhe më pas tërhiqet”, – tha ai.

Zgjedhjet

Lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ish-kreu i Kuvendit deklaroi se me rëndësi për fitoren e tyre mbetet kontakti me elektoratin. Pasi kritikoi Kodin e ri Zgjedhor, Pëllumbi nënvizoi se vota duhet të jetë në kontrollin e përgjithshëm qytetar. “Vetë ligji i zgjedhjeve për mendimin tim vazhdon të ketë defekte të vetat si p.sh. defekte me vetë sistemin që favorizon partitë e mëdha. Me anë të këtij sistemi do të ketë një lloj polarizimi që do ta tensionojë situatën. Unë mendoj se gjëja kryesore është vajtja tek elektorati, konsultimi me ta, qoftë për kandidaturat, qoftë për të gjitha problemet. Nuk mjafton të thuash se krijova një komision dhe e kam të sigurt mbrojtjen e votës. Unë po them që nuk ka garanci për votën dhe duhet menduar mirë që vota të jetë në kontrollin e përgjithshëm qytetar, që vetë qytetari ta mbrojë votën. Njerëzit e përkushtuar nuk janë medoemos deputetë, por ka edhe njerëz edhe më poshtë që janë të përkushtuar”, – deklaroi Servet Pëllumbi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency