MJEKIMI I PAKUJDESSHËM Gjykata urdhëron hetimin e 4 mjekëve të spitalit “Hygeia”

0
2242

Sonja Caka

Prokuroria e kryeqytetit pushoi kallëzimin e djalit të pacientit të dëmtuar, duke deklaruar se nuk ka vepër penale. Ekspertiza mjekoligjore del në përfundimin e një gabimi mjekësor nga ana e bluzave të bardha të spitalit privat, gjykata urdhëron akuzën për hetime të mëtejshme dhe cakton detyrat

 

I “masakruan” babanë në spital, duke i bërë dy ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk arritën ta shëronin plotësisht, duke e dërguar në një tjetër spital kur gjendja e tij u rëndua. Aty u shërua pas ndërhyrjes së tretë kirurgjikale nga ana e mjekëve. Pasi morën fund problemet shëndetësore dhe i ati i shpëtoi rrezikut për jetën, 33-vjeçari Oriol Malo nga Korça iu drejtua Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal, ku akuzonte katër nga mjekët e spitalit privat Hygeia për mjekim të pakujdesshëm ndaj tij. Por, Prokuroria e pushoi kallëzimin e të riut me pretendimin se nuk kishte vepër penale dhe nuk kishte pasur pasoja për jetën, duke e detyruar këtij të fundit t’i drejtohej për ndihmë gjykatës. Kjo e fundit, pasi shqyrtoi provat e vëna në dispozicion nga paditësi Oriol Malo, i cili kundërshtonte veprimin e Prokurorisë që pushoi hetimet ndaj mjekëve, urdhëroi akuzën e kryeqytetit të rinisë hetimet për këtë çështje. Madje, duke lënë detyrat përkatëse për prokuroren e çështjes, me qëllim zbardhjen e rastit dhe nxjerrjen e përgjegjësve për shkaktimin e kësaj gjendjeje.

Kallëzimi

Gjatë shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se kërkuesi Oriol Malo ka bërë kallëzim pranë prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në datën 17.10.2011, nëpërmjet të cilit ka kërkuar ndjekjen penale ndaj shtetasve dr. Pandadhis, Andi Kaçani,Elona Dado, Nevila Çaushi, për veprën penale të parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal. Sipas kallëzuesit, babai i tij Riza Malo është operuar nga zemra në spitalin HYGEIA Tiranë më datë 30.12.2010 dhe ka dalë nga spitali në datë 10.1.2011. Pasi ka shkuar në shtëpi ka pasur probleme dhe në datën 18.1.2012 është operuar përsëri. Në këtë operacion të dytë, doktori Andi Kaçani është treguar i pakujdesshëm duke dëmtuar shëndetin e tij. Ai është mbajtur për dy muaj në këtë spital, duke rrezikuar jetën e tij dhe më pas është operuar në një spital tjetër, “Shefqet Ndroqi” ku u shërua. Nga pakujdesia e mjekëve të spitalit Hygeia është rrezikuar plotësisht jeta e pacientit Riza Malo (babai i kallëzuesit).

Hetimi i prokurorisë

Nga ana e organit të akuzës, me urdhrin e datë 20.10.2011 është urdhëruar kryerja e veprimeve të domosdoshme hetimore, si pyetja e të sëmurit Riza Malo, të merret vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor dhe të administrohet ai, si dhe të kryhen veprime të tjera hetimore që dalin nga hetimi. Pas kryerjes së hetimeve që janë parë të domosdoshme nga ana e organit të akuzës, në përfundim, prokurorja e çështjes ka vendosur me vendimin e datës 10.4.2012 mosfillimin e procedimit penal mbi kallëzimin nr 7070, viti 2011, në baze të nenit 290/1 /ç e 291 të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale. Sipas organit të akuzës, fakti i pretenduar nga kallëzuesi, nuk provohet se ekzistojnë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal, pasi atij nuk i është rrezikuar jeta por i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Vendimi i gjykatës

Oriol Malo, pasi është njohur me vendimin e prokurorit, e ka ankimuar atë në gjykatë brenda afatit ligjor, duke kërkuar prishjen e vendimit dhe vazhdimin e hetimit, duke arsyetuar se si operacioni i parë dhe i dytë që i është bërë babit të tij në spitalin Hygeia Tiranë kanë qenë të gabuar dhe i kanë rrezikuar jetën atij. Sipas tij, nga ana e prokurorisë nuk është hetuar se përse pacienti Riza Malo ka qëndruar pas ndërhyrjes së dytë dy muaj në spital. “Nuk është hetuar nëse në rastin konkret nga ana e mjekëve të spitalit Hygeia është bërë konsultë dhe në çfarë përfundimi është arritur. Akti mjekoligjor është shprehur qartë se mjekët në operacionin e dytë kanë gabuar dhe ata mbajnë përgjegjësi. Duhet hetuar se kush janë personat përgjegjës, çfarë përgjegjësie kemi ne rastin konkret penale apo administrative”, – kërkon të dijë djali i personit të trajtuar në këtë spital. Prokurorja e çështjes kërkoi rrëzimin e kërkesës dhe lënien në fuqi të vendimit datë 10.4.2012 për mosfillimin e procedimit penal, duke pretenduar se i qëndron vendimit të mosfillimit për arsye se neni 96 i Kodit Penal kërkon domosdoshmërisht ardhjen e pasojës, dhe nëse ka pasojë ose jo, këtë e zgjidh akti i ekspertimit mjekoligjor, në bazë të të cilit nuk ka ardhur pasoja e parashikuar nga dispozita, pra dëmtim i rëndë i shëndetit, ka rrezikuar jetën e tij ose vdekjen. Duke qene se nuk kishte ardhur pasoja, është vendosur mosfillimi pasi nuk është plotësuar kriteri i kërkuar nga ligji siç është ana subjektive. Gjykata çmon se vendimi i mosfillimit të procedimit penal të Prokurorisë së Rrethit Tiranë datë 10.4.2012 duhet të prishet dhe ky organ duhet të vazhdojë hetimet e mëtejshme në lidhje me kallëzimin e bërë nga Oriol Malo pasi ai është rezultat i një hetimi jo të plotë e të gjithanshëm. U provua se gjatë hetimit paraprak të kësaj çështje janë pyetur Riza Malo, Agron Menzerxhiu, Fatmir Çaushi, Andi Kaçani, Elona Dado dhe Nevila Çaushi, si dhe janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale kartelat klinike të Riza Malos në spitalin Hygeia dhe Shefqet Ndroqi, është kryer akti i ekspertimit mjekoligjor nr 54, dt. 5.1.2012 dhe shtesë nr. 406, dt. 16.2.2012.

Detyrat e lëna prokurorisë nga gjykata

Nga tërësia e këtyre provave rezulton se Riza Malo është shtruar ne spitalin Hygeia në datë 27.12.2010 dhe është operuar në datë 30.12.2010, i është nënshtruar ndërhyrjes kardiokirurgjikale nga ora 10:30 deri në orën 14:15. Pas disa ditësh pasi kishte dalë nga spitali është shtruar urgjent në spital ku i është nënshtruar një operacioni të menjëhershëm për shkak te grumbullimit të gjakut i cili është një komplikacion pas ndërhyrjes së parë, që sipas aktit mjeko ligjor po të mos ndërhyhej nga mjekët ka qenë i rrezikshëm për jetën ky operacion është bërë në dt 18.1.2011 në spitalin Hygeia Tiranë. Gjatë kryerjes së këtij operacioni është shkaktuar një defekt kirurgjikal, çarja diafragmës nga ana e majtë dhe futja e omentumit dhe likid pleural. Pacienti Riza Malo është mbajtur për rreth dy muaj në spitalin Hygeia. Më pas ai ka dalë nga spitali dhe i është nënshtruar operacionit për here të tretë në spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë. Nga ana e organit të prokurorisë duhet të hetohet dhe të sqarohet fakti se përse ka qëndruar i shtruar në spitalin Hygeia pacienti Riza Malo pas datës 18.1.2011, të bëhet shtesë e aktit të ekspertimit mjeko ligjor dhe t’u përgjigjen mjekët këtyre pyetjeve, nëse pacienti nuk do të qëndronte në kushte spitalore, dëmtimi i shëndetit të tij të ndodhur gjatë ndërhyrjes kardikirurgjikaele në dt 18.1.2011 në spitalin Hygeia ishte i rrezikshëm për jetën, çarja e diafragmës nga ana e majtë dhe futja e omentumit dhe likid pleural ka shkaktuar dëmtim të rëndë të të shëndetit apo e ka rrezikuar jetën e shtetasit Riza Malo. Në rihetim, organi i prokurorisë duhet të kryejë këto detyra dhe veprime të tjera hetimore që i shikon të arsyeshme në kuadër të hetimit në lidhje me kallëzimin nr 7070 viti 2011, për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm të parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal.

Rezultati i akt-ekspertimit mjekoligjor

Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor shtesë nr. 406, dt. 16.2.2012, nga ana e ekspertëve mjekoligjorë është arritur në konkluzionin se gjatë trajtimit mjekësor të pacientit Riza Malo konstatohet se diagnostikimi, ndërhyrja kardoikirurgjikale, ndjekja me konsultë dhe ekzaminime sistematik nga ana e personelit mjekësor të marrë me trajtimin ka qenë korrekt. Indikacioni për ndërhyrjen kardiokirurgjikale është bërë sipas parimeve të njohura shkencore bashkëkohore me njerëz të kualifikuar, me pëlqimin e pacientit, pas informimit të tij për riskun e kësaj ndërhyrje. Gjatë ndërhyrjes së dytë, për zbrazjen e hemoperikardit, i cili është një komplikacion i rrezikshëm për jetën, po të mos ndërhyhej në mënyrë urgjente për heqjen e gjakut nga qeska e zemrës, ka ndodhur dëmtimi traumatik i diafragmës (çarja) e saj. Ky dëmtim ka sjellë futjen në të të Omentumit major i stranguluar me zona nekrotike, në vetvete përbën një gabim mjekësor. Çarja traumatike e diafragmës gjatë ndërhyrjes së dytë kardiokirurgjikale, e cila ka sjellë pasojë futjen e Omentumit në zgavrën e gjoksit, kanë sjellë rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientit Riza Malo. Për ardhjen e pasojës, rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientit Riza Malo, në momentin e ndërhyrjes së dytë kardiokirurgjikale për evakuimin e hemoperikardit (grumbullimit të gjakut në qeskën perikardiale) nëpërmjet çarjes së diafragmës, përgjegjësi direkte mban personeli mjekësor që është marrë me trajtimin e tij.

Urdhri

Nga ana e organit të prokurorisë duhet të hetohet dhe të sqarohet fakti se përse ka qëndruar i shtruar në spitalin Hygeia pacienti Riza Malo pas datës 18.1.2011, të bëhet shtesë e aktit të ekspertimit mjeko ligjor dhe t’u përgjigjen mjekët këtyre pyetjeve, nëse pacienti nuk do të qëndronte në kushte spitalore, dëmtimi i shëndetit të tij të ndodhur gjatë ndërhyrjes kardikirurgjikaele në dt 18.1.2011 në spitalin Hygeia ishte i rrezikshëm për jetën, çarja e diafragmës nga ana e majtë dhe futja e omentumit dhe likid pleural ka shkaktuar dëmtim të rëndë të të shëndetit apo e ka rrezikuar jetën e shtetasit Riza Malo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency