CEZ, ERE refuzon sërish të rregullojë situatën në treg

0
127

Blendi Hasani

Përmirësohet situate hidrike, HEC-et punojnë me kapacitet të plotë

Çmimi i energjisë elektrike që shqiptarët do të paguajnë në vijim, do të mbetet i njëjtë deri në 30 qershor të 2013-ës. Ka qenë ky vendimi i marrë dje nga bordi drejtues i Entit Rregullator të Energjisë, që ka konfirmuar dhe ka lënë në fuqi tarifimin aktual të pandryshuar. Vendimi ka qenë unanim nga të gjithë anëtarët e bordit, duke rrëzuar kërkesën për rritje që ishte dorëzuar në ERE nga të tri kompanitë që operojnë në sektor.

Në këtë mënyrë, qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë energjinë me çmimin e përcaktuar në vitin 2011 që shkon në masën 9.3 lekë për një kilovatorë. Kërkesa për rritjen e energjisë ishte paraqitur nga kompanitë që menaxhojnë prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë, ndërsa janë përcaktuar edhe tarifat e prodhimit për disa HEC-e të reja.

Ashtu si edhe më parë, ajo që penalizohet në këtë mes është kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ Shpërndarje. Të mos rritësh tarifimin për klientin fundor, kjo është një nga arritjet më të mëdha të shtetit shqiptar, sidomos në kohë krize globale. Por, tarifat janë pasojë e një llogaritjeje të hollësishme të kostos dhe jo kërkesa arbitrare të kompanive që operojnë në këtë sektor jetik të ekonomisë. Sapo u njoftua se çmimi i shitjes së energjisë elektrike me pakicë në drejtim të klientit fundor në Kosovë do të rritet me 10 për qind duke filluar nga muajt e parë të vitit të ardhshëm. Vendime të tilla janë marrë edhe nga ente rregullatore të vendeve fqinje.

Në fakt, në Shqipëri ka një veçori që e zbut mjaft problemin: prodhimi vendas kryhet duke shfrytëzuar ujin e prurjes së lumenjve, pra kostoja është minimale. Por, ana e keqe e këtij sistemi energjetik në vendin tonë është se, në rast se nuk ka prurje të mjaftueshme, atëherë do të blihet diferenca në import. Importi paraqet çmime gjithnjë e më të larta, por ERE nuk pranon kurrsesi logjikën e thjeshtë të gjërave: kompanitë mund të dalin me humbje, mjafton që të mos rritet çmimi fundor. Ajo ka arritur të marrë edhe vendime të tillë, kur KESH-it i lejonte rritje të tarifës së shitjes për CEZ-in, ndërkohë që këtij të fundit i ndalonte të pasqyronte këtë rritje të kostos në tarifimin fundor. Kjo është në kundërshtim me logjikën ekonomike të kohës. Në rast se KESH-i ka një garant, që quhet shtet, kompania private, që operon në gjithë rrjetin e shpërndarjes, në fakt, nuk ka mbështetje tjetër për bilancet e veta financiare, veç hyrjeve e daljeve, të ardhurave dhe shpenzimeve. Fakti që bilanci i degës shqiptare të CEZ Group del negativ, ndryshe nga ç’ndodh në të gjitha filialet e tjera evropiane të këtij grupi, nuk mund të stigmatizojë CEZ-in dhe asnjë nga drejtuesit e saj, përkundrazi, është një pasqyrë e pashmangshme e faktit se vendimet e ERE-s nuk kanë kontribuar për zhvillimin e këtij sektori.

 

 

Situata

Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë rritur nivelin e ujit në shtratin e lumit Drin, duke bërë që hidrocentralet në këtë basen të punojnë me fuqi të plotë. Situata energjetike paraqitet optimale në të gjithë vendin, konsumi arrin në diçka më shumë se 22 milionë kilovatorë në ditë dhe një pjesë e mirë e kësaj sasie po përballohet nga prodhimi vendas. Hidrocentralet në të gjithë vendin po gjenerojnë 18 milionë kilovatorë në ditë, ndërsa importi është në vlerat e 4.5 milionë kilovatorë me një çmim mesatar prej 55 eurosh për megavatorë.

Burime nga ministria e Energjetikës janë shprehur dje për median se me këtë nivel prurjesh dhe rezerva ujore, garantohet furnizimi i klientëve deri në fund të muajit janar. Megjithatë, situata pritet të përmirësohet edhe më tej, pasi sipas parashikimeve të sinoptikanëve, stina e ftohtë e këtij dimri do të karakterizohet me reshje të shumta. Aktualisht, niveli në liqenin e Fierzës është në 272.5 metra dhe prurjet 550 metër kub në sekondë. Niveli në liqenin e Komanit është në 173 metra dhe prurjet anësore në rreth 200 metër kub në sekondë. Niveli në liqenin e Vaut të Dejës është 74.6 metra dhe prurjet anësore në 120 metër kub në sekondë.

Para dy muajsh, qeveria lejoi KESH-in – nëpërmjet një garancie shtetërore – që të merrte një kredi prej 50 milionë eurosh në banka private për të garantuar importin e energjisë gjatë stinës së ftohtë. Thatësira e tejzgjatur gjatë muajve tetor dhe nëntor bënë që Korporata të shpenzonte 3/4 e kredisë së marrë duke importuar energji në vlera të larta. Në këtë situatë, qeveria mori masat për t’i paraprirë një blackout-i energjetik, duke parashtruar kërkesën për një kredi të dytë prej 100 milionë dollarësh nga Banka Botërore. Duket se marrja e kësaj kredie nuk do të bëhet gjatë muajit dhjetor siç ishte parashikuar, por në një periudhë tjetër, ende të pacaktuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency