Çështja “Xhakja” KLD, shkarkohet Neritan Tabaku, 60 dosje të pazbardhura në kohë

0
145

Sonja Caka 

Toga e zezë e Durrësit nuk zbardhi vendimin për Ilir Xhaken, vrasësin e komisar Tahirit. Cefa: Cenoi figurën e gjyqtarit. Avokati Çekaj: Pezulloni procedimin derisa të përfundojë hetimi. Anëtarët e KLD-së: Procedimi disiplinor për moszbardhjen e dosjeve, asnjë lidhje me hetimin. Votohet unanimisht shkarkimi nga funksioni i gjyqtarit

                                        

Me votim unanim, me një dakordësi që ndodhte për herë të parë në masën e ndërmarrë ndaj një gjyqtari në mbledhjet e KLD-së, Neritan Tabaku shkarkohet nga funksioni i gjyqtarit. “Ka cenuar rëndë figurën e gjyqtarit”, – është shprehur nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, lidhur me rastin e gjyqtarit të Durrësit, i cili për të disatën herë refuzoi të paraqitej në Këshill, duke paraqitur justifikime shëndetësore. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkarkuar nga të gjitha funksionet si gjyqtar Neritan Tabakun me arsyetimin se ka shkelur rëndë detyrën në çështjen “Xhakja”. Vendimi i KLD-së vjen pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për nisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarin Tabaku. Mbledhja ka qenë posaçërisht për këtë gjyqtar dhe njoftimi i ishte komunikuar në mënyra të ndryshme, qoftë mediatikisht, me shpallje publike dhe me njoftim në Durrës.

Mbledhja

Shqyrtimi disiplinor u bë me dyer të mbyllura, ndërsa kishte dërguar si përfaqësues ligjor avokatin e tij Faslli Çekaj. Anëtarët e KLD-së vlerësuan se Tabaku ka kryer shkelje të rënda në kryerjen e detyrës si gjyqtar në Durrës, jo vetëm për moszbardhjen e vendimit të shtetasit Ilir Xhakja, por edhe për dosje të tjera penale. Presidenti Bujar Nishani, i cili është njëkohësisht dhe kreu i KLD-së, deklaroi në këtë mbledhje se është e papranueshme ekzistenca e rasteve të tilla, duke deklaruar se “raste të tilla duhen të evidentohen e të shqyrtohen me prioritet”. Ndërkohë nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, vuri në dukje se qëndrimi i Tabakut ndaj mbledhjeve të KLD, apo ndaj çështjeve në shqyrtim diskreditoi rëndë figurën e gjyqtarit. Ai deklaroi se ishte “e papranueshme neglizhenca e tij duke sjellë pasoja të rënda”. Ndërkohë, lidhur me këtë procedim, avokati i Tabakut kërkoi pezullimin derisa prokuroria të përfundojë procesin hetimor, por ko kërkesë u hodh poshtë nga anëtarët e KLD-së. Sipas këtyre të fundit, procedimi disiplinor nuk ka lidhje me hetimin, pasi dje ka qenë duke u shqyrtuar kërkesa e ministrit për shkeljet që iu gjetën këtij gjyqtari nga dy inspektoratet. Më pas, KLD vendosi me unanimitet kërkesën e ministrit të Drejtësisë. Neritan Tabaku u procedua pasi iu gjetën afro 60 dosje të pazbardhura në kohë, të cilat ishin vonuar nga 84 ditë deri në 1 vit e 7 muaj. Paralelisht, edhe organi i akuzës është duke e hetuar këtë gjyqtar, pasi dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e një vendimi, që i dha lirinë Ilir Xhakes, të akuzuarit për vrasjen e kryekomisarit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, më 13 shtator 2012.

Refuzimi

Dy herë gjyqtari Neritan Tabaku refuzoi paraqitjen në mbledhjet e KLD-së për procedimin disiplinor të kërkuar ndaj tij prej ministrit. Duke dërguar dy raporte mjekësore, gjyqtari kërkonte nga KLD të shtyhej mbledhja, pasi nuk kishte mundësi të paraqitej në mbledhje. Ministri Halimi e ka refuzuar shtyrjen e këtyre procedimeve, pasi deklaroi se Neritan Tabaku e kishte marrë njoftimin zyrtarisht dhe publikisht dhe nuk duhej të justifikohej se ishte sëmurë, bënte fizioterapi dhe nuk kishte mundësi të paraqitej apo të dërgonte një përfaqësues ligjor. Kreu i KLD-së, z. Nishani i bëri thirrje publike në mbledhjen e javës së kaluar, që edhe nëse nuk do të paraqitej personalisht, duhej të dërgonte përfaqësues ligjor pasi shqyrtimi i masës disiplinore do të bëhej.

Pezullimi dhe hetimi

KLD pezulloi muaj më parë nga detyra gjyqtarin Neritan Tabaku, i cili po hetohet për “Shpërdorim detyre” në lidhje me lirimin nga burgu të Ilir Xhakes. Këshilli pranoi kërkesën e prokurorisë për hetimin e gjyqtarit Tabaku, i cili nuk zbardhi për një vit e 8 muaj vendimin e lirimit të Xhakes. Pas hetimit të dosjeve të këtij gjyqtari, prokuroria dorëzoi në KLD kërkesën për autorizimin e fillimit të procedimit penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, ndërkohë që për çështjet e gjykuara prej tij nisi edhe një inspektim nga dy inspektoratet, ai i Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. Këshilli vendosi unanimisht të autorizojnë prokurorinë për hetimin e gjyqtarit Tabaku lidhur me moszbardhjen në kohë të vendimit dhe pengimin e zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj Ilir Xhakes në Gjykatën e Apelit Durrës.

Hetimi

U desh të ndodhte ngjarja e rëndë e 13 shtatorit në fshatin Katund Sukth të rrethit Durrës, ku mbeti i vrarë kryekomisari i komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj që të dilte në dritë një skandal i madh. Autori i vrasjes së tij, Ilir Xhakja, jo vetëm që ishte liruar nga gjykata duke marrë pafajësi për një akuzë vrasjeje, por vendimi për këtë person nuk ishte zbardhur edhe ditën kur ndodhi ngjarja. Pas arrestimit te te dyshuarit Ilir Xhakja dhe informimit në lidhje me ecurinë e çështjes së ankimit të vendimit nr.98 datë 9.2.2011, rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende te shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretarinë gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, qysh prej datës së shpalljes se vendimit. Në këto rrethana, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal i mësipërm ndaj shtetasit Neritan Tabaku për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me mos zbardhjen dhe mos depozitimin brenda afateve ligjore të vendimit gjyqësor penal nr. 98, datë 9.2.2011, duke cenuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohe ndaj shtetasit Ilir Xhakja dhe të dhënies së drejtësisë.

Skandali/ Gjyqtari Tabaku, kampion i vendimeve të pazbardhura

Hetimi i prokurorisë zbuloi një skandal në Gjykatën e Durrësit, pasi gjyqtari Tabaku rezultoi të ishte kampion i vendimeve të pazbardhura prej 2 vjetësh. Sipas hetimeve dhe njërit prej vendimeve të sekuestruara nga organi i akuzës, rezulton se gjyqtari ka dhënë pafajësi për një të akuzuar për falsifikim dokumentesh, ndërsa arsyetimi është dorëzuar në sekretari vetëm pas dy vitesh. U desh të ndodhte vrasja e kryekomisarit të Shijakut që të zbuloheshin të tjera shkelje të këtij gjyqtari. Verifikimet e akuzës treguan se në listën e vendimeve të pazbardhura nga ana e gjyqtarit tashmë te pezulluar është edhe rasti i shtetasit Jordan Findiku. Ky person është akuzuar për “falsifikim dokumentesh” nga prokuroria e Durrësit dhe në përfundim të gjykimit është kërkuar dënimi me 4 vjet heqje lirie. Në mars të vitit 2010, i pandehuri është shpallur i pafajshëm nga gjyqtari Neritan Tabaku, ndërsa vendimi i arsyetuar nuk është depozituar për dy vite me radhë në kryesekretarinë e gjykatës. Vendimi i zbardhur është vënë në dispozicion të sekretarisë vetëm në shtator të këtij viti, pas publikimit të skandalit me mungesën e vendimit ndaj të pandehurit Ilir Xhakja, i arrestuar për vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj. Edhe në këtë rast, prokuroria ka depozituar ankim në Gjykatën e Apelit, por çështja ka mbetur pezull, pasi nuk ishte dorëzuar ende dosja ndaj të pandehurve për shkak të moszbardhjes së vendimit nga ana e gjyqtarit. Mungesa e vendimeve të zbardhura në Gjykatën e Durrësit prej vitesh ishte kthyer në fenomen, aq sa kryetari ka vendosur të përjashtojë nga marrja e çështjeve të reja gjyqtarin Neritan Tabaku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency