Zgjidhen ekselentët më të mirë. Në janar fillon aplikimi për vitin 2013-2014

0
134

Tafaj: Së shpejti do të mësojmë tri gjuhë të huaja

Kush do të përfitojë nga aplikimet e ardhshme

 

Është zhvilluar mbrëmjen e djeshme ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për studentët e ekselencës. Është viti i tretë rresht që studentët më të mirë marrin vlerësime maksimale nga shteti si dhe fitojnë të drejtën e një burse. Kategoritë që përfituan nga ky fond kanë qenë disa, por vlerësimi është bërë në bazë të titujve shkencorë dhe në bazë të mesatares së çdo studenti. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i pranishëm në ceremoni, ka vlerësuar brezin e ardhshëm si elitë që do të drejtojë vendon. “Jam krenar me rezultatet e ekselencës, nëpërmjet këtij brezi mund të themi se do të dalin liderët e rinj të vendit tonë”, – theksoi Tafaj gjatë fjalës së tij. Tafaj bëri të ditur dhe sfidat e ardhshme të arsimit, përveç mësimit të dy gjuhëve, qëllimi i ardhshëm do të jetë mësimi i tri gjuhëve që do të bëjë të pasur fjalorin e çdo shqiptari. Sipas ministrit të Arsimit, gjuhët e huaja krijojnë shanse të reja jo vetëm për studentët, por dhe për institucionet e vendit. Dhori Kule, tektor i Universitetit të Tiranës, vuri theksin te cilësia dhe rritja e standardeve. Për Kulen sfida e ardhshme do të jetë rritja e cilësisë, pasi vetëm kështu mund të dalin drejtuesit e ardhshëm. Rektori i UT-së vlerësoi dhe marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara me universitetet jashtë vendit. Ceremonia e “Ditës së Ekselencës” njohu dhe vlerësoi edhe studentët të cilët kanë arritur rezultatet më të larta në Testimet Ndërkombëtare të Anglishtes të TOEFL dhe TOEIC. Për të shënuar arritjet e tyre të shkëlqyera në njohjen e gjuhës angleze, pesë studentë të cilët kanë arritur rezultatin më të lartë në secilin prej testeve morën një çmim në formën e një tablete kompjuterike (iPAD).

Fondi i Ekselencës për vitin e ardhshëm

Përfituesit nga ky fond do të jenë disa kategori studentësh që duan të vazhdojnë studimet jashtë. Studentët që kanë arritur notën mesatare mbi 9 për shkencat natyrore inxhinierike e të jetës dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore ose përkatësisht mbi 8 për shkencat natyrore dhe mbi 8.5 për shkencat ekonomike e shoqërore për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi. Përfitues do të jenë edhe fituesit në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare me reputacion në formë çmimesh si nxënës dhe studentë të klasifikuar në tri vendet e para studentë dhe doktorantë që kanë përfunduar studimet universitare ose pasuniversitare me rezultatin shkëlqyer në një universitet të huaj që renditet në 30 më të mirët e botës. Gjithashtu përfitojnë studentët që ndjekin jashtë shtetit ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës kur janë pranuar në një nga këto universitete për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit si dhe ata që janë pranuar dhe kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike teknologji informacioni matematike fizike dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore. Në kategoritë që përfitojnë do të jenë dhe autorët e botimeve me nivel të lartë shkencor të vlerësuar edhe jashtë vendit të cilët përfitojnë çmime dhe mbështetje financiare për artikujt shkencore origjinale dhe analizat shkencore pranuar në revistat shkencore të huaja që janë të indeksuara me faktor impakti mbi 2.0.

Fituesit

Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik nga komisione përzgjedhëse të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe e Shkencës. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve në varësi të fushës si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën e miratuar nga ministri për punësim në Shqipëri. Lista botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

 

Bursat

a. Bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit.

b. Bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime bachelor ose master në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike teknologji informacioni matematike fizike dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore.

c. Bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit.

c. Çmime/shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare.

d Çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore me nivel të lartë shkencor të vlerësuara edhe jashtë vendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency